Gjykata e Hages do te hetoje ISIS-in per krime lufte

Gjykata e Hages do te hetoje ISIS-in per krime lufte

Militantët e Shtetit Islamik kanë kryer krime lufte që nga koha e nisjes së operacioneve të tyre ushtarake në Irak dhe Siri për të krijuar të ashtuquajturin Kalifat. Kështu thuhet në një raport të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Raporti i OKB-së është i bazuar në 500 dëshmi të mbledhura nga dëshmitarë, hetues dhe rrjetet sociale ku vazhdimisht militantët ekstremistë të ISIS-it hedhin foto e video me prerje kokash.

Ekzekutimet masive, shfrytëzimi i femrave dhe vajzave të mitura si skllave seksi dhe përdorimi i fëmijëve si ushtarë janë provat që kjo organizatë terroriste ka kryer krime ndaj njerëzimit.

Në raportin e OKB-së kritikohet edhe vrasja e një numri të konsiderueshëm civilësh nga ana e qeverisë irakiane në përpjekje për të mposhtur ekstremistët.

9347 persona kanë humbur jetën dhe 17 386 të tjerë kanë mbetur të plagosur vetëm gjatë muajve gusht-shtator.

“Ky raport është vërtet i tmerrshëm. Në vetëm nëntë javë të përfshira aty janë kryer krime të rënda kryesisht nga organizata e quajtur ISIL apo ISIS. Aty përfshihen përdhunime, rekrutim fëmijësh, ekzekutime masive, rrëmbime, shkatërrime xhamish, kishash dhe objektesh të tjera kulti”, tha zëdhënësi për të drejtat e njeriut në OKB, Rupert Kolvil, gjatë prezantimit të raportit.

Në raport përshkruhen veprime që thyejnë hapur ligjet ndërkombëtare dhe si rrjedhojë përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë. Sipas të dhënave paraprake, Gjykata e Hagës duket se është duke lëvizur që të nisë hetimet ndaj ISIS-it dhe grupimeve të tjera të ngjashme.

Ndër dëshmitë që do të përdoren nga Gjykata e Hagës, do të jenë videot dhe fotot me prerje kokash civilëve, fëmijëve etj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama