Gjykata e Lartë zbardhi dje arsyet pse pranoi kërkesën e Prokurorisë së Vlorës për transferimin e dosjes gjyqësore ndaj kryebashkiakut Shpëtim Gjika nga Gjykata e Vlorës në atë të Tiranës. Vendimi i datës 19 dhjetor 2013 zbuloi detaje të reja nga hetimet për kryebashkiakun, një prej të cilave fakti se ndaj tij kanë paraqitur kallëzim penal 68 shtetas. Kryebashkiaku dhe shtatë të pandehur të tjerë të së njëjtës dosjeje akuzohen për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit. Sipas Gjykatës, shkak i transferimit të dosjes ishte situata e rëndë lokale në Vlorë pas nisjes së gjyqit ndaj kryebashkiakut.
Gjykata i referohej pranisë së mbështetësve të Gjikës jashtë ambienteve të Gjykatës së Vlorës, gjatë seancave gjyqësore ndaj tij. Sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, rrethanat e krijuara në qytetin bregdetar do të dëmtonin zhvillimin normal të procesit. “Gjatë kohës që çështja penale është dërguar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është konstatuar se në qytetin e Vlorës janë kryer aktivitete publike në mbrojtje dhe mbështetje të të pandehurit Shpëtim Gjika, e konkretisht aktiviteti i zhvilluar më datë 09.11.2013, ku kanë marrë pjesë edhe qytetarë të qytetit të Vlorës, me qëllim mbështetjen e kryetarit të Bashkisë për akuzën e ngritur.
Ky aktivitet është shfaqur në disa televizione, si dhe në shtypin e shkruar. Po kështu, edhe më datë 31.10.2013, ka pasur grumbullim të disa qytetarëve në qytetin e Vlorës, pamje të cilat janë transmetuar nga televizionet dhe janë bërë publike, me qëllim për të mbështetur të pandehurin Shpëtim Gjika”, citohej në vendim pretendimi i prokurorisë. Në vijim të argumenteve pro transferimit të dosjes thuhej se “gjatë fazës së hetimeve paraprake të kësaj çështjeje kanë paraqitur kallëzim penal ndaj tij 68 shtetas dhe se në këtë çështje është parashikuar që të pyeten 19 dëshmitarë”.
Kolegji shprehej se kërkesa e Prokurorisë duhet të pranohej, pasi krijohej bindja se situata lokale e pretenduar dhe pasojat që mund të vijnë prej saj, do të ndikojnë në moszhvillimin e një procesi të rregullt gjyqësor për palët në proces. “Njëri prej të pandehurve, Shpëtim Gjika, është në funksionin e kryetarit të Bashkisë Vlorë, prej shumë vitesh, fakt ky që ka bërë që në ato seanca gjyqësore të zhvilluara në qytetin e Vlorës të jenë zhvilluar aktivitete publike në mbrojtje e mbështetje të tij”, theksohej në vendim.