Gjykata e Lartë ka rrëzuar sot kërkesën e ish-gjyqtarit të Durrësit Neritan Tabakut për t’u rikthyer në detyrë. Në kërkesën e tij, Tabaku kërkonte që Gjykata e Lartë të anulonte vendimin administrativ të KLD-së që e shkarkoi atë pak kohë më parë nga detyra për t’i hapur rrugën hetimeve dhe procedimeve të prokurorisë. Avokati i Neritan Tabakut e ka kundërshtuar vendimin, të cilin sipas tij do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa përfaqësuesi i KLD-së në këtë çështje ka falënderuar gjykatën për dhënien e këtij vendimi. Ish-gjyqtari i Durrësit, Neritan Tabaku u shkarkua pas një vendimi të KLD pasi akuzohej për moszbardhjen në kohë të një vendimi lidhur me Ilir Xhakjen, i cili gjatë kohës që ishte në liri vrau ish-shefin e komisariatit të Shijakut, Adem Tahiraj.