Gjykata e Tiranes denon me burg te perjetshem Aldo Hoxhen Vrau Fatbardha Tafen

Gjykata e Tiranes denon me burg te perjetshem Aldo Hoxhen: Vrau Fatbardha Tafen

Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm 20—vjeçarin Aldo Hoxha, i akuzuar për vrasjen e Fatbardha Tafës, gjatë një tentative grabitjeje. Në përfundim të procesit, togat e zeza kanë vendosur që 20-vjeçari të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënimin maksimal për ngjarjen e ndodhur gushtin e vitit të kaluar pranë zonës së njohur si “Fusha e Aviacionit” në kryeqytet.

Vendimi i gjykatës është në përputhje me dënimin e kërkuar nga akuza e kryeqytetit. Ndërkohë Hoxha dhe avokati i tij kanë pretenduar gjatë gjithë procesit pafajësi dhe se ai nuk ka qenë në vendin e ngjarjes më 7 gusht të vitit të kaluar, ndryshe nga sa pretendon prokuroria, që thotë se ka gjetur gjurmë dhe prova. Prokurori i çështjes Endrit Bimi gjatë pretencës ka deklaruar se shenjat në trupin e autorit tregojnë përleshjen me viktimën, ndërkohë që ekspertiza e ADN-së ka përcaktuar se djersa dhe fija e flokut e gjetur në kapelen e Aldo Hoxhës, përputhen me ato të autorit të vrasjes. Kërkesa e prokurorit ka ngjallur reagimin e familjarëve të Hoxhës, të cilët kanë fyer dhe goditur me çantë prokurorin në sallën e gjyqit. Prokurori nuk ka reaguar ndaj saj, por ka pritur ndërhyrjen e forcave të policisë që ndodheshin jashtë sallës së gjyqit që të merrnin situatën nën kontroll.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 19:00 të datës 7 gusht të vitit 2012, kur Fatbardha Tafa dhe motra e saj Lumturi Gjana, të shoqëruar nga fëmijët e tyre, kanë qenë duke ecur në rrugën “Babë Rexha”, për të shkuar në lulishten tek ish-Fusha e Aviacionit. Drejt tyre ka ardhur një motor i zi, në të cilin udhëtonin dy të rinj. Drejtuesi i motorit mbante në kokë skafandër, ndërsa pasagjeri kishte në kokë kapele. Ky i fundit, ka zbritur nga motori dhe i është afruar shtetases Fatbardha Tafa, e ka sulmuar për t’i shkëputur varësen që mbante në qafë. Fatbardha ka reaguar, është përleshur me të dhe është munduar të mos e lëshojë, por është goditur me thikë. Motra e Fatbardhës, Lumturi Gjana, ka ndërhyrë për ta ndihmuar, por gjatë përleshjes është plagosur edhe ajo. Fatbardha Tafa ka humbur jetën, ndërsa Lumturi Gjana është plagosur.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama