Gjyqtari vlerësoi se pretendimi i Nexhmije Hoxhës, në të cilin thuhet se dorëshkrimi i është dhënë në posedim në vitin 1975, rezulton i pabazuar në prova, sidomos në pjesën ku ajo pretendon se i është dorëzuar nga vetë shkrimtari në zyrën e saj. Fakti që paditësi në mënyrë të përsëritur ka shprehur konsiderata mirënjohjeje përgjatë viteve 1971-1973 kundrejt të paditurës, tha gjykata, rezulton i provuar në prova shkresore të administruara në dosjen gjyqësore. Konkretisht, në letra në të cilat Kadare i drejtohet palës së paditur për çështje të ndryshme me karakter subjektiv, social, profesional dhe personal. Edhe fakti që dorëshkrimi i “Dimrit të vetmisë së madhe” është në pronësi të Nexhmije Hoxhës, sipas gjykatës, nuk u provua gjyqësisht, çka do të thotë sipas gjyqtarit Abdullai se, sapo vendimi të marrë formë të prerë, masa “sekuestro konservative” do të kthehet në “sekuestro ekzekutive”, duke detyruar Drejtorinë e Arkivave t’ia dorëzojë dorëshkrimin zotit Kadare.
Vendimi përfundimtar i gjykatës pason një tjetër vendim të mëparshëm, që detyroi Nexhmije Hoxhën të dorëzojë me qëllim ruajtjen në arkiv të dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i vetmisë së madhe”. Çështja pritet të apelohet nga avokatët e Nexhmije Hoxhës, ndërsa Kadare do të rimarrë dorëshkrimin e librit të tij vetëm pasi vendimi të marrë formë të prerë në favor të tij. Pak kohë më parë shkrimtari i njohur iu drejtua me një padi Gjykatës së Tiranës, ku kërkonte kthimin e dorëshkrimit origjinal që posedohej nga Nexhmije Hoxha. Sipas padisë, edhe pse zonjës Hoxha i është kërkuar disa herë dorëshkrimi origjinal i librit, ajo nuk ka pranuar ta dorëzojë në Arkiv dhe as t’ia kthejë shkrimtarit.