Në dëshminë e tij, ish ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti mësohet të ketë pohuar edhe njëherë se videoregjistrimi i tij është origjinal dhe se nuk ka patur asnjë ndërhyrje në të, qoftë në figurë apo zë.
Pas dëshmisë së tij, Prifti në të dalë nga Gjykata, tha për mediat se “Kam dhënë përgjigje të sakta dhe të vërteta për çdo pyetje që bënë avokatët e të pandehurit e prokuroria. Më vjen mirë, që unë sot përfundova dhe një pjesë të detyrës sime qytetare.
Derisa bëra një denoncim publik, e kisha detyrim qytetar që të paraqitesha para Gjykatës së Lartë, për të dëshmuar për të gjitha që unë di për këtë akuzë qe është ngritur ndaj të pandehurit Ilir Meta. Më vjen mirë, që në këtë seancë pyetjesh, kisha mundësinë të sqaroja dhe njëherë paprekshmërinë dhe jo-ndërhyrjen në videon origjinale. Disa ditë më parë disa pseudo-ekspertë guxuan të hidhnin dyshime.”
Sot u dëshmua edhe për ankandin e 30.000 ton nafte bruto nga Albpetrol, ku biznesmeni Besnik Halilaj dëshmoi duke hedhur poshtë pretendimet e Dritan Priftit, se ish kryeministri Ilir Meta ka ndërhyrë tek Prifti, me qëllim që Halilaj të fitonte tenderin.
Halilaj tha se kam investuar në Shqipëri me kërkesë të Dritan Priftit, dhe se Meta nuk kishte pse të ndërhynte tek Prifti, pasi vetë ky i fundit është miku i tij.
Ndërkaq, në dëshminë e tij, nëndrejtori i Albpetrol, Pajtim Sulaj mësohet të ketë thënë se nuk ka patur asnjë ndikim nga Ilir Meta apo Dritan Prifti për shitjen e naftës.