Moderator ishte gazetari sportiv Dëfrim Met’hasani. Të parët e morën fjalën drejtuesit e shoqatës “Sporti na bashkon”, presidenti Leka Kosta dhe sekretari Gëzim Nushi. Presidenti Kosta theksoi se “me këtë trofe të veçantë, shoqata ‘Sporti na bashkon’, dëshiron të kontribuojë dhe të nxisë sa më shumë talentet”, ndërkohë që sekretari Gëzim Nushi nënvizoi se “ky çmim është një motiv më shumë për të rinjtë për të dhënë maksimumin e tyre”. Mbrojtësi i majtë i Flamurtarit, Glendi Mici (22 vjeç), i cili luan edhe si mesfushori krahu, fitoi çmimin e parë, në bazë të vlerësimeve të specialistëve dhe gazetarëve. Talenti i vlonjatëve, i lindur në Fier më 06.02.1991, e ka nisur karrierën te të rinjtë e Apolonisë, dhe në 2009 është transferuar në kategorinë e tretë spanjolle te Rapido Bouzas, ku ka luajtur për dy sezone). Në verën e 2011-s ka veshur bluzën e Kamzës, ndërsa sezonin e fundit, atë të Flamurtarit, me të cilin ka luajtur 23 ndeshje.
Ka qenë edhe lojtar i ekipeve kombëtare të moshave. “Jam shumë i lumtur, u shpreh Mici. Për këtë duhet të falënderoj të gjithë shokët e ekipit dhe drejtuesit e skuadrës. Ofertat nuk mungojnë nga brenda kampionatit, por unë me 99% jam lojtar i Flamurtarit. Më duhet ende përvojë, por nuk e përjashtoj ndonjë mundësi për të luajtur në një kampionat të huaj”. Mici bëhet kështu lojtari i gjashtë që e fiton këtë çmim pas Emiljano Vilës (2008-2009), Bekim Balajt (2009-2010 dhe 2011-2012), Armando Vajushit dhe Odise Roshit (të dy në 2010-2011). Të gjithë fituesit e mëparshëm janë pjesë e Kombëtares A, çka dëshmon edhe seriozitetin e çmimeve dhe objektivitetin e shoqatës “Sporti na bashkon”.
Sulmuesi Mario Morina (Tirana) dhe mesfushori Indriz Batha (Besa) fituan çmimin e dytë, ndërsa Alfred Zefi (Laçi), Ardit Peposhi (Tirana) dhe Endri Magani (Shkumbini), u vlerësuan me çmimet e treta. Çmimi “fair-play” shkoi për Igli Allmuçën, kampion me tri skuadra (Tirana, Dinamo, Skënderbeu), fitues i Kupës me Partizanin dhe tani me Kukësin që bëri surprizën në vitin e parë në Superiore, duke siguruar Europa League. Çmimi i “Meritës” iu dha presidentit të Kukësit, zotit Safet Gjici, si njeriu i vitit në futboll. Ishte pikërisht ky i fundit protagonisti kryesor i sukseseve të verilindorëve me investimet e tij. Një vend në skenë ishte edhe për skuadrën fituese të U-19, “Shkëndija e Tiranës” me trajner Shpend Kumbarçe dhe drejtuesin e Shkollës së Mjeshtërisë, Sulejman Mema.
ÇMIMET
Vendi i Parë
Glendi Mici (Flamurtari)
Vendi i Dytë
Mario Morina (Tirana)
Indriz Batha (Besa)
Vendi i Tretë
Ardit Peposhi (Tirana)
Endri Magani (Flamurtari)
Alfred Zefi (Laçi)
Çmimi “Fair-Play”
Igli Allmuça (Kukësi)
Çmimi i Meritës
Safet Gjici (Presidenti i Kukësit)
Fituesit e pesë edicioneve
2008-2009 Emiljano Vila
2009-2010 Bekim Balaj
2010-2011* Armando Vajushi
Odise Roshi
2011-2012 Bekim Balaj
2012-2013 Gledi Mici
* Në sezonin 2009-2010, çmimi u nda mes dy futbollistëve, Armando Vajushi dhe Odise Roshi