Glenn Close si nuk e kemi parë kurrë më parë. Femra fatale tashmë është një burrë, që për të punuar maxhordom, e ndërton jetën e saj mbi një gënjeshtër. Filmi “Albert Nobbs”, që u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Venecia, është projekti që e përfshiu të tërën aktoren 64-vjeçare. Close luan rolin e një gruaje beqare, e cila pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi duke u hequr si mashkull, për të mbijetuar në shekullin e 19-të në Irlandë. Një rol që ajo e solli 30 vjet më parë në Broadway, ku fitoi dhe një çmim “Obie” për rolin në “Jeta e fshehtë e Albert Nobbs”. Ajo iu përkushtua disa vite me radhë këtij personazhi, në përpjekje për ta sjellë të ekranizuar në një film. Shkroi skenarin në bashkëpunim me John Banville, bazuar në tregimin e shkurtër të George Moor dhe nën drejtimin e regjisorit kolumbian Rodrigo Garcia realizoi filmin “Albert Nobbs”, që ngjalli jo pak diskutime në Festivalin e Venecias. “Është roli më i vështirë që kam realizuar”- u shpreh Close, aktore e nominuar për 5 çmime “Oskar”.
Subjekti që frymëzoi aktoren
Irlandë, një dramë në jetën e personelit në hotelet më luksoze të Dublinit: një fëmijë i paligjshëm i një çifti të bukur, për shkak të një dashurie të pamundur... dhe Albert…një grua e cila shtiret si burrë për të mbijetuar. Jemi në shekullin e 19-të në Irlandë, ku për një grua, që të jetë e pavarur dhe beqare, duhet të mashtrojë të gjithë, duke u shtirur sikur është burrë. Albert, një maxhordom i turpshëm, mban brenda shpirtit të tij një sekret, me qëllim për t’u arratisur nga varfëria dhe paragjykimi i të qenit beqar. Por kur një piktor i pashëm i quajtur Hubert Page një ditë të bukur troket në hotel, Albert papritur gjen frymëzimin të largohet nga jeta false dhe e gënjeshtërt që kishte krijuar rreth vetes. Ndërkohë Albert është bërë mik (mikeshë) me një gjykatëse të bukur të quajtur Helen, e cila mendon se tek ai ka gjetur mikun. Kështu Glen Close nis të jetojë (në film) një jetë të dyfishtë, ku herë ndihet si mashkulli Albert e herë si femra me emrin Janet MC Teer. Është pikërisht kjo e fundit që i hap sytë Albertit sa të mendojë se deri në ato momente ka jetuar si i/e burgosur. Glenn Close është AJO e njëkohësisht AI dhe anasjelltas.
Albert Nobbs u krijua nga një traditë e vjetër shqiptare
Kur ajo u shfaq si Albert, pati shumë pyetje rreth imazhit të saj. Close thotë se një punë të madhe në këtë drejtim ka bërë artisti Matthew Mungle, që përmes të fshehtave të makeup arriti të përshtaste pamjen me karakterin e personazhit. Por Mungle nuk do të mund ta realizonte këtë karakter nëse nuk do të kishte modelin e një burrneshe shqiptare, është shprehut Closë.
“Në një artikull të National Geographis shkruhej rreth një tradite të vjetër shqiptare. Sipas kësaj tradite, në ato familje ku nuk kishte një trashëgimtar mashkull zgjidhej një nga femrat e shtëpisë që t’i përfaqësonte në komunitetin mashkullor. Kjo femër shqiptare zgjidhte të jetonte jetën e saj si burrë dhe ajo është paradigma ime. Modeli i flokëve, vetullat, ngjyra e lëkurës, duart, lëvizjet…ishte pikërisht ky person që unë kam menduar gjatë gjithë kësaj periudhe për të realizuar karakterin e Ablert Nobbs. Foton e “virgjëreshës së betuar” nga Shqipëria, që e mora nga National Geographis, e kam mbajtur me vete gjatë gjithë projektit tim dhe realizimit të filmit. Mbi atë foto edhe Matthew Mungle arriti të sillte në sheshxhirim personazhin e “Albert Nobbs” dhe pa atë foto unë nuk do të arrija të sillja në rol karakterin e veçantë të një burrneshe””- u shpreh aktorja Glen Close.
Madje, ajo tregon se kur ishin në Kaliforni bashkë me artistin Matthew Mungle, për të realizuar disa pamje testuese për personazhin e Albert, pas punës së mrekullueshme që ai kishte bërë, aktorja sapo kishte parë veten në pasqyrë kishte filluar të qante. “Nuk isha më unë përtej asaj pasqyre. Kisha menduar se çfarëdolloj gjëje që t’i bëja fytyrës sime nuk do të mund të mos e njihja veten. Ishte hera e parë që nuk e njihja më veten. Por pavarësisht modelit të burrneshës shqiptare, që unë kisha vite që e kisha skalitur në mendjen time, pa talentin e Mungle-s nuk do t’ia kisha dalë kurrë.”- përfundon aktorja Glen Close. Në filmin që pas Venecias do të shfaqet në Festivalin e Filmit në Toronto, luajnë Glen Close, Mia Wasikowska, Aaorn Johnson. Brendan Gleeson etj.
Përgatiti: A.Tuci