Kryesojnë renditjen me +7 pikë nga To tenhemi, kur kanë mbetur 5 javë nga fundi i Premier Ligës dhe vetëm 48 orë nga ndeshje me Uest Hemin. "Sindroma" Leiçester ka përfshirë këdo, të gjithë globin, sepse ndryshe nuk shpjegohet prania e 70 gazetarëve në konferencën e djeshme të Klaudio Ranierit, të cilët vinin nga çdo cep i botës: Italia, Japonia, Australia, Danimarka, Spanja, Kina, Tailanda, SHBA dhe jo vetëm.
Leiçesteri është fenomeni i ri i futbollit global dhe të gjithë bëjnë tifozllëk për Ranierin dhe skuadrën e tij, të cilët i ndajnë shumë pak sforco nga fitorja përrallore. Por nëse dikush mendon se tensioni në shtëpinë e "dhelprave" shtohet, trajneri italian nënvizon të kundërtën:
"Jam i përqendruar vetëm te ndeshja me Uest Hemin. Dua një skuadër grintoze, që të tregojë një karakter të fortë, edhe sikur gjërat të shkojnë keq. Ky sport të detyron të luftosh, sepse futbolli është shumë i çuditshëm. Hapi i sigurt i radhës për ne është pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve. Më pëlqen himni i këtij kompeticioni, por mbi të gjitha më pëlqen kjo skuadër, tek e cila do të doja të mbyllja karrierën time, nëse pronari është dakord, normalisht. Do të qëndroja përjetë këtu. Nervoz përpara Uest Hemit?
Absolutisht jo. Nuk kemi arsye pse të kemi. Duhet të luajmë siç kemi bërë deri tani, duke buzëqeshur në fushë, çfarëdo gjëje që të ndodhë. Tashmë mbijetesën e kemi siguruar dhe sido që të shkojë, mrekullinë e kemi bërë gjithsesi.
Ndonëse, nëse luajmë me të njëjtin shpirt siç bëmë kundër Sauthemptonit dhe Sandërlendit, ku nuk pësuam gol, mund të kalojmë edhe Uest Hemin dhe t'i afrohemi titullit kampion".
Përgatiti: JETON STAMOLLA