Godina 5-shekullore te Myftinise ne Korce do te shembet
- Botuar: 12 vite më parë
- Shkruar nga:
Lajmi konfirmohet për gazetën nga burime të Myftinisë, sipas të cilave ky vendim lidhet me faktin se ndërtesa është e amortizuar, ndërsa do të ketënjë ndërtim të ri për zyrat e administratës së xhamisë së Iljaz Bej Mirahorit. Në fakt Myftinia është një nga ndërtesat e para të krijimit të qytetit të Korçës, që i kanë dhënë identitetin këtij qyteti.
Ajo mban vulën e themelimit të tij, ndërkohë që ka mbi supet e saj më shumë se 517 vite jetë. Kjo ndërtesë, e cila ka një rëndësi të madhe historike, ndonëse nuk është shpallur monument kulture, është ndërtuar së bashku me xhaminë, rreth vitit 1496 nga Iliaz Bej Mirahori dhe në këtë mënyrë ato janë dy nga godinat e para dhe njëherësh më të vjetra të qytetit juglindor të vendit.
Ndërkaq mësohet se vetë themeluesi i xhamisë historike të Korçës, Iliaz Bej Mirahori, ka shkruar në testamentin e tij se kjo godinë duhet të shërbente si shkollë, ku të gjithë vajzat dhe djemtë të mësinin mësimet e fesë përkatëse. Ajo ka shërbyer edhe si Medrese, ndërkohë që pas viteve ’90 ajo ka funksionin e Myftinisë, ndërsa aty kryheshin të gjitha pritjet zyrtare në raste festash dhe jo vetëm të autoriteteve të spektrit musliman.
Duhet thënë se gjendja e ndërtesës është mjaft e rënduar, pasi në dy dekadat e fundit në mënyrë të veçantë nuk ka pasur asnjë lloj investimi, ndërsa është dhe në rrezik shembjeje. Për t’i paraprirë kësaj, pasi degradimi ka kohë që e ka përfshirë atë, është menduar nga vetë drejtuesit e Myftinisë që ajo të shembet, për t’u ringritur një tjetër godinë bashkëkohore, që do të shërbejë për zyrat e administratës së xhamisë në fjalë.
Tashmë lajmi vetëm konfirmohet si i vërtetë, por askush nuk bën të qartë se kush do e marrë përsipër ndërtimin e objektit të ri dhe se si do të shembet një godinë historike, që është themeluesja dhe shenja e parë e qytetit të Korçës. Vlerat historike të saj, për fat të keq, nuk janë marrë parasysh, megjithëse ajo ka plot 517 vite jetë. Ndërsa rezistoi për pesë shekuj, sot pamja e jashtme dhe e brendshme e ndërtesës lënë shumë për të dëshiruar.
Myftinia e Korçës ndodhet shumë pranë qendrës së qytetit, mes xhamisë së vjetër të Iliaz Bej Mirahorit dhe komisariatit të policisë në këtë qytet. Bashkë me shembjen e kësaj ndërtese, pritet të mbeten në udhëkryq disa familje, të cilat banojnë në pjesën e pasme të kësaj ndërtese, si qiraxhinj të vendosur aty më shumë se 30 vjet më parë, ndërsa prona e tyre i takon xhamisë. Situata do bëhet më dramatike për këta banorë, të cilët nuk janë trajtuar si të pastrehë nga ana e bashkisë së qytetit.