Godinat bosh te komunizmit te kthehen ne qendra arti

Godinat bosh te komunizmit te kthehen ne qendra arti

“Godinat bosh, shtetërore, të mbetura nga sistemi komunist mund të shndërrohen në qendra arti.” Andy Eagle, drejtor i “Chapter”, një organizatë e njohur, e cila merret me mbështetjen e artistëve të rinj në Uells, shprehet kështu ndërsa analizon tregun e artit në Shqipëri. Eagle ka vetëm dy ditë që ka mbërritur në Tiranë, për të studiuar tregun e artit në vend dhe për të mbështetur me iniciativat e tij këtë treg, i ftuar nga “British Council”. Ashtu si në Berlinin lindor, ku ndërtesat e mbetura nga lufta e ftohtë u shndërruan në studio për artistë të rinj të ardhur nga e gjithë bota, dhe në Shqipëri, ato godina që ende nuk kanë marrë një formë mund të shfrytëzohen nga artistët. “Ka gjithnjë një mënyrë”, thotë Eagle, i cili beson se filozofia e organizatës që ai përfaqëson që prej vitit 1971, kur u krijua për herë të parë, mund të jetë e dobishme dhe në një vend të ri për sa i përket tregut të artit, siç është Shqipëria.

 

Ai merr shembullin e Uellsit, një vend i cili dikur ka pasur një industri të zhvilluar, e cila sot, ashtu siç ka ndodhur me ekonominë kudo, ka rënë. “Për të dalë nga kriza ne duhet të gjejmë zgjedhje të reja, të cilat synojnë të ringrenë ekonominë, por edhe të mos humbin atë çfarë është identiteti ynë”, thotë ai. Në Uells, 25% e popullsisë flet gjuhën e Uellsit, ndërsa pjesa tjetër anglishten. “Chapter” ka punuar për t’u rritur përqindja e njerëzve që kërkojnë të ruajnë gjuhën e këtij vendi, por pa cenuar të renë. Ruajtja e kulturës mund të bëhet duke ruajtur gjuhën. Synimi i tyre ka qenë të bëjnë bashkë politikën dhe komunitetin për kauza madhore, por edhe për të rritur standardin e marrëdhënies. Përmes kulturës dhe edukimit të komunitetit, krijohet një standard më i mirë i kulturës në vend. Me një eksperiencë të gjatë të bërjes bashkë të fushave të ndryshme të artit, si danci, teatri, muzika, kinemaja, Eagle synon ta sjellë këtë eksperiencë edhe në Tiranë, përmes formulave që ka përdorur në Uells. “Tirana është një vend energjik, një qytet që duket që vibron. Pashë që ka shumë të rinj, shumë artistë.

E rëndësishme është që kjo energji dhe ky art i bërë nga këta të rinj, të dalë në sipërfaqe”, thotë Eagle. Por si mund të evidentohet ky art? Eagle jep shembullin e ndjekur në Uells, ku subvencionimet nga shteti dhe bashkia, në këtë fushë u besohen organizatave, të cilat gjejnë format e duhura për t’i bërë bashkë këta të rinj, për të reklamuar produktin e tyre. Nëse marrim tregun e artit pamor në vend, ai është pothuajse i padukshëm. Janë hapur disa galeri të vogla private, por akoma nuk kanë arritur të jenë imponuese me artin e tyre. Mungesa e fondeve i bën këta të rinj të jenë të veçuar në iniciativat e tyre, që shpesh mbeten thjesht iniciativa.

 

“Nëse këta të rinj punojnë bashkë, do të kenë më shumë produktivitet”, thotë Andy. Qiraja do të jetë më e ulët, ndërsa marrëdhënia me njëri-tjetrin do t’u ofrojë më shumë njohje, që do t’u hapi të tjera mundësi. Andy beson në një industri kreative, e cila përfshin shumë artistë dhe u jep të gjithëve mundësinë të eksplorojnë dhe të marrin nga arti që bëjnë. “Ideja është që këta artistë të funksionojnë në bazë të donacioneve”, thotë Eagle, i cili beson se do ta sjellë punën e mirë të bërë në Uells edhe në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në Tiranë ai do të takohet me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, së cilës do t’i tregojë idetë e tij për të ndryshuar skemën e artit në vend. Më 15 prill 1971, gati 40 vjet më parë, një grup gazetarësh dhe artistësh nga Uellsi, zhvilluan mbledhjen e parë për artin në një ndërtesë të braktisur, e cila është sot një nga qendrat bashkëkohore më të njohura të artit në botë.

 

Krijimi i formave të tilla të bashkëpunimit mes artistëve të zhanreve të ndryshme do të ishte një formë kreative për të zgjuar atmosferën e artit në vend. Pas viteve ‘90, artistët e rinj kanë pasur si mundësi ekspozimi të veprave të tyre Galerinë Kombëtare apo ato pak galeri private që janë hapur. Krijimi i një qendre të tillë arti, ku mund të bëheshin bashkë ekspozita, shfaqja e filmave, teatrove, dancit apo koncerte të ndryshme, do të ndihmonte jo vetëm në evidentimin e formave të ndryshme të artit, por edhe në zhvillimin e tyre.

 

Për Eagle, çdo gjë është e mundur, për të shndërruar një terren të paeksploruar arti, në një terren tepër kreativ dhe funksional. Kjo, sipas tij, do të ndihmonte edhe jetën kulturore të kryeqytetit, por dhe do të rriste ndërgjegjësimin e artistëve ndaj identitetit të tyre kulturor dhe artistik. Andy Eagle është drejtor ekzekutiv i “Chapter”, i cili është zgjedhur nga “British Council” të nisë një tur diskutimi mbi format e reja si mund të zhvillohet arti në Kazakistan, Serbi, Ballkanin Perëndimor, Ukrainë, Azerbajxhan dhe Turqi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama