Goditen Strazimirin Gjykata pushon ceshtjen per dy deputetet Nuk ka veper penale

Goditen Strazimirin, Gjykata pushon ceshtjen per dy deputetet: Nuk ka veper penale

Pushohet çështja penale në Gjykatën e Lartë për dy deputetët Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, të cilët u akuzuan për goditje nga deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri. Sipas Gjykatës së Lartë, çështja nuk duhet të fillonte sepse ka rezultuar se nuk ka vepër penale. Akti ndodhi për arsye personale e jo për goditje për shkak të detyrës. Seanca ka zgjatur vetëm pak minuta.

Më herët Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar dënimin me burg për dy deputetët në fjalë. Në pretencën e lexuar nga prokurori Adnand Xholi, gjykatës iu kërkua që Arben Ndoka të dënohej me 1 vit burg, ndërsa Ndreu me 8 muaj. Këtë masë, gjykata, sipas prokurorit të çështjes, mund ta konvertonte në orë pune në interes të publikut. Për Ndokën u kërkua 150 orë punë ndërsa për Ndreun 100 orë. Në kërkesën e tij, organi i akuzës u kujdes të theksonte se nëse ky dënim refuzohej të kryhej nga deputetët, atëherë të zbatohej dënimi me burgim.

Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë, Gjykata vendosi pushimin e çështjes. Në përfundim të seancës, Pjerin Ndreu kërkoi falje për atë që ndodhi në Kuvend, duke argumentuar se konflikti ishte jo për shkak të detyrës por për çështje personale.  “Fillimisht duhet të kërkoj falje për atë që ka ndodhur në Kuvend, por gjithçka ndodhi në gjaknxehtësi e sipër. Ne nuk e mohuam që patëm konflikt, por e gjithë kjo u bë për të njollosur emrin e një deputeti”, tha Ndreu për mediat.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama