Policia e Komisariatit numër 4, në Tiranë ka vënë në pranga shtetasin Afrim Shote 37-vjeç dhe 56-vjeçarin Sofi Shote, pasi kanë goditur me shishe efektivët e policisë. Ndërkohë, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për 43-vjeçarin, G.M dhe 51-vjeçarin E.M.
Sipas burimeve pranë policisë, katër personat përveç se kanë kundërshtuar forcat policore për ushtrimin e detyrës së tyre, edhe i kanë dhunuar.
Ngjarja nis tre ditë më parë, ku në Komisariatin Dixhital është bërë një denoncim nga qytetarët, të cilët kanë dërguar foto të dy automjeteve që kishin bllokuar qarkullimin e mjeteve dhe këmbësorëve, në një zonë të Freskut.
Pasi policia ka marrë këtë informacion, janë nisur për në vendin ku ishin parkuar automjetet. Dy efektivët kanë vënë re se makinat ishin të parkuara në kundërshtim me rregullat, e kanë vendosur që të gjobisin drejtuesit e automjeteve, të cilët kanë qenë brenda në lokal duke pirë.
Mësohet se sapo punonjësit e policisë kanë nisur të vendosin gjobat, nga lokali kanë dalë S. Shote dhe A. Shote, të cilët kanë kundërshtuar në vënien e gjobave.
Por, situata është përkeqësuar kur në këtë debat janë përfshirë edhe 2 pjesëtarë të tjerë të familjes Shote.
Sipas burimeve të policisë shtetasit G.M dhe E.M nuk kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve, vetëm se kanë kundërshtuar do të hetohen në gjendje të lirë. Ndërkohë, A. Shote e S. Shote janë vënë në prangat e policisë.