Goldierocks (ose Samantha Hall), një DJ ndërkombëtare dhe transmetuese e një prej shou më të famshëm radiofonik në botë, The Selector, ishte së fundmi në Shqipëri për të dhënë një koncert në qytetin bregdetar të Vlorës.
Në herën e saj të dytë në Shqipëri, ajo mbetet pa fjalë nga bukuria e bregdetit shqiptar dhe nga njerëzit e saj muzikëdashës. Pas këtij aktiviteti, të mbështetur nga Këshilli Britanik, Goldierocks thekson: “Ajo që ne gjithmonë duam është të ushqejmë shkëmbimin e vërtetë kulturor. Kështu, dua të shoh të vijnë më shumë grupe muzikore dhe DJ anglezë në Shqipëri dhe të japin koncerte gjithandej në këtë vend. Pra, jo vetëm në Vlorë e Tiranë, por kudo nëpër këtë vend”.
Artistja simpatike 29-vjeçare angleze mbështet idenë e bashkëpunimeve midis artistëve dhe DJ shqiptarë e anglezë për të pasur krijime të veçanta muzikore.
“Në rastin e Shqipërisë, mund të them se ky vend mund të bëhet një lojtar kyç në tregun botëror. Ai ofron tinguj unikalë që vijnë nga rrënjët shqiptare”, thotë ajo në një intervistë ekskluzive për gazetën “Shqip”.
Si e përjetuat “eksperiencën” tuaj në qytetin e Vlorës së fundmi?
Kjo ishte hera ime e dytë në Shqipëri. Ishte emocionuese tek vija përsëri. Herën e parë që isha këtu, kalova një eksperiencë të mrekullueshme. E di që njerëzit këtu janë të ngrohtë dhe miqësorë. Vendi është i bukur, por Vlora është e mrekullueshme! Është spektakolare! Uau! Bregdeti i saj është i mahnitshëm. Arritëm të shijojmë pak diellin e detin, si dhe gatimet e detit. Dua të vij këtu përsëri për të kaluar pushimet. Ishte shumë bukur.
Nga ana tjetër, festa që organizuam ishte e mrekullueshme. Ajo u zhvillua në një shesh të madh të hapur. Turma njerëzish u mblodhën, nuk kishe ku të hidhje mollën dhe kjo ishte shumë bukur. Njerëzit u entuziazmuan nga atmosfera dhe unë gjithashtu kërceva lart e poshtë, “bëra qepalla” me të gjithë. U kënaqa së tepërmi. Shpresoj të kem mundësinë të luaj këtu në Shqipëri përsëri. Ndoshta vitin tjetër. U argëtova mjaft.
Kur e filloi bashkëpunimin e saj me Shqipërinë The Selector?
Herën e parë që isha në Shqipëri, unë lançova shoun tim radiofonik – The Selector – me mbështetjen e British Council (Këshillit Britanik). Kjo ndodhi rreth dy vite më parë. Ngjarja tërhoqi mjaft vëmendjen e mediave. Ne u entuziazmuam së tepërmi nga bashkëpunimi që finalizuam midis The Selector dhe një radioje lokale në Shqipëri. Ky bashkëpunim po shkon shumë mirë. Ne jemi shumë të kënaqur ta vazhdojmë atë.
Sipas mendimit tuaj, çfarë është e veçantë në këtë bashkëpunim?
The Selector është një shou shumë unikal, kudo nëpër botë ajo është e tillë. Zgjat dy orë. Përfshin të gjitha llojet e muzikës, nga hip-hop, në xhaz, dance music, popullore dhe çdo lloj tjetër muzike që është e freskët e emocionuese dhe që mban vulën ‘Made in UK’. Prandaj dhe mbështetemi financiarisht nga British Council. Çdo vend ku shfaqet The Selector vendos të jem unë prezantuesja e emisionit ku flas në gjuhën angleze ose zgjidhet një prezantuese vendase, e cila përkthehet. Shqipëria vendosi të ndjekë The Selector sipas formatit të saj origjinal dhe mendoj se kjo ishte një gjë shumë e mirë. E bën bashkëpunimin tonë më të fortë dhe më besnik.
Çfarë duhet të dimë për ju, Goldierocks?
Unë u rrita në një fshat anglez. Shumë i bukur dhe shumë rural. U vendosa në Londër për të studiuar në universitet, konkretisht Drama and Theatre Arts në Goldsmiths College, e cila mbahet si një shkollë arti prestigjioze.
Më pas nisa Goldierocks, e cila në fakt ishte një klub nate në Londër. Fillova si një DJ. Në të njëjtën kohë, isha edhe një gazetare që shkruaja për muzikën. U mora shumë me punë në televizion në Britaninë e Madhe, po ashtu edhe në radio. Dhe të gjitha këto u transformuan në një gjë vërtet të madhe – mora drejtimin e The Selector – ky shou fantastik radiofonik. Ka qenë një udhëtim emocionues. U bënë tashmë 5 vite që drejtoj The Selector. Në fillim, ne e shfaqëm këtë program në 6 vende dhe tani ky numër ka shkuar në 43. Po rritet dita-ditës. Po kthehet në një ‘kafshë’ super të madhe (qesh).
Cilat janë pritshmëritë tuaja lidhur me këtë bashkëpunim drithërues me Shqipërinë? Si e shikoni atë këtu e 5 vite le të themi?
Ajo që ne gjithmonë duam është të ushqejmë shkëmbimin e vërtetë kulturor. Kështu dua të shoh të vijnë më shumë grupe muzikore dhe DJ anglezë në Shqipëri dhe të japin koncerte gjithandej në këtë vend. Pra, jo vetëm në Vlorë e Tiranë, por kudo nëpër këtë vend. Në këtë mënyrë, njerëzit mund t’i shijojnë këta artistë të mrekullueshëm. Më pas, disa artistë shqiptarë mund të vijnë në Britaninë e Madhe. Ky është një bashkëpunim potencial nga ana artistike. Kështu, dy grupe muzikore ose dy DJ (një anglez dhe një shqiptar) mund të qëndrojnë bashkë në të njëjtën studio dhe të krijojnë muzikë. Kjo do të ishte vërtet interesante.
A jeni e familjarizuar me muzikën shqiptare dhe me trendet e saj më të fundit? Po eksperimentohet së tepërmi me përzierjet e muzikës popullore shqiptare me tingujt e xhazit e të tjera si këto.
Pak në fakt. Në të dyja eksperiencat e mia në Shqipëri ku kam luajtur si DJ, kam luajtur muzikë pop, miksime me muzikë xhaz e të tjera si këto. Por jam shumë e interesuar në atë që është specifike shqiptare.
Si mund ta ndihmojë një komb muzika?
Një pyetje shumë me vend në fakt. Muzika, pavarësisht se ku ndodhen njerëzit, pavarësisht kushteve ekonomike, kulturore apo edhe situatës në të cilën ata ndodhen, është vërtet një gjuhë universale. Ajo mund të kalojë pengesat. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për grupet muzikore për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të vendosur bashkëpunime. Në rastin e Shqipërisë, mund të them se ky vend mund të bëhet një lojtar kyç në tregun botëror. Ai ofron tinguj unikalë që vijnë nga rrënjët shqiptare.