Inspektorja e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, Elivar Golemi ka refuzuar kërkesën e Komisionit të Ekonomisë për t’u përgjigjur përpara deputetëve në lidhje me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit. Kreu i komisionit Erion Braçe u shpreh i revoltuar për këtë refuzim të cilin ai e cilësoi si një ngjarje të paprecedentë, dhe theksoi se inspektorja ka një detyrim ligjor për t’u paraqitur në seancën dëgjimore.
“Zonja ka pasur detyrimin ligjor për t’u paraqitur në seancën dëgjimore. Zonja në fjalë e njeh autoritetin para Kuvendit po këtë e bën nën tutelën e guvernatorit. Kjo është një ngjarje e paprecedentë dhe e pandodhur në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Braçe. Ndërkohë mësohet se inspektorja i ka dërguar një njoftim komisionit të drejtuar nga Erion Braçe, vetëm gjysmë ore para mbledhjes për mospjesëmarrje, duke refuzuar për shkak se nuk është përfaqësuese e bankës:
"Sot, Komisioni i Ekonomisë do të dëgjonte znj. Elivar Golemi, Inspektore e Përgjithshme e BSH-së. Për fat të keq, gjysmë orë para mbledhjes, Inspektorja Golemi ka refuzuar ardhjen në Kuvend. Por banka nuk është sulltana ku secili përgjigjet sipas dëshirës. Inspektorja thotë se nuk përfaqëson Bankën e Shqipërisë dhe s’ka pse vjen në Komision, por nga ana tjetër shprehet se është e gatshme t'u përgjigjet pyetjeve me shkrim". Brace sqaroi në nisje të mbledhjes së komisionit, se kjo seancë dëgjimore, dhe të tjerat e parashikuara për t’u mbajtur me anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës, nuk do të ndikojnë hetimin e prokurorisë, e cila gjithashtu u ka dërguar një kërkesë anëtarëve për t’u paraqitur në prokurori.
”Ne kërkojmë përgjegjësinë administrative të secilës hallkë për drejtimin e Bankës së Shqipërisë”, tha kreu i Komisionit parlamentar të Ekonomisë.