Të shumtë janë ata që ia përdorin shpikjen dhe të paktë janë ata që kanë ndonjë informacion në lidhje me të. Le ta takojmë dhe të shohim se cili është njeriu që na ka ndihmuar të kuptojmë gjuhët e huaja përmes kompjuterit. Në godinën 43, që është edhe hyrja kryesore drejt sekreteve të botës “Google”, doktor Ashish Venugopal, një djalë i ri në moshën 33-vjeçare, ndodhet në tryezën e tij të punës. Ai është indian nga shteti i Hyderaab dhe është diplomuar për shkenca kompjuterike në Universitetin Carnegie Mellon. Që fëmijë i kanë pëlqyer dhe tërhequr shumë gjuhët e huaja, gramatika, fonetika dhe misteret që fshihen pas tyre. Në shtëpi flisnin katër dialekte të indishtes plus anglishten. Fëmijërinë e ka kaluar mes Indisë e Singaporit dhe gjithë këto lëvizje dhe kontakte me gjuhë të vështira, si dhe atësia e jashtëzakonshme në shkencat kompjuterike përbënë përzierjen më të mirë të një gjeniu të ardhshëm. Ky është gjeniu i “Google Translator”, një “vegle” që ka ndryshuar jetën e qindra miliona njerëzve, të cilët çdo ditë, në të gjitha pjesët e botës ia besojnë internetit shpresën për t’u kuptuar nga ata me të cilët kanë lidhje, por nuk ndajnë të njëjtën gjuhë. Në asnjë sektor tjetër nuk mund të përdorësh shkencën kompjuteristike për të realizuar diçka magjike. A nuk është një magji vallë t’ia dalësh të flasësh, të komunikosh përmes kompjuterit?
Për doktorin 33-vjeçar, të cilin e konsiderojnë një gjeni, fjala kyç është pikërisht fjala: të flasësh. Sepse te fjala janë përqendruar aktualisht shkencëtarët e Translate. Dhe nuk bëhet fjalë më për një përkthim fjalë për fjalë, por për të folur në mënyrë të drejtpërdrejtë një gjuhë tjetër. Dhe kjo përmes përdorimit të aplikimeve vokale, që janë edhe zhvillimet e fundit të aventurës që ka nisur tashmë që prej 10 vjetësh nga shkencëtari Franz Ochs, i cili tani merret me zhvillimin e Androidit, sistemit operativ me të cilin “Google” është duke sfiduar OS e Steve Jobs. “Një shoqja ime më rrëfeu historinë e një emigranteje që fliste vetëm spanjisht, e cila nuk arrinte që të komunikonte me mësuesen e të birit që ishte amerikane. Kështu ajo nisi që të përdorte ‘Google Translator’ përmes celularit të saj dhe arriti që të merrej vesh me mësuesen. Dhe për të kjo ishte një lehtësi jashtëzakonisht e madhe”.
Të mendosh se e gjithë kjo histori e “Google Translator” nisi si një vjedhje e lezeçme. Njeriu i parë që zoti Translator arriti të bënte për vete përmes përkthimeve të tij, ishte vajza që më pas do të bëhej bashkëshortja e tij. “Unë jam nga jugu i Indisë, ndërsa ime shoqe nga pjesa veriore e saj: janë dy botë krejt të ndryshme edhe nga pikëpamja gjuhësore. Ne kishim nisur që të shkëmbenim mesazhe në internet, por gjithmonë në anglisht. Kishte dy javë që komunikonim me njëri-tjetrin dhe më në fund arrita që t’i “fitoja” një takim. Kështu, përmes internetit i thashë se më në fund mund të flasim në hindisht. Ajo m’u përgjigj se unë nuk dija të flisja tamil. Unë i thashë se nuk kisha mësuar hindisht. Ajo nuk e besonte që ta kisha bërë një gjë të tillë vetëm në dy javë. Në fakt ishte e pamundur. Kësisoj më thotë që t’ia provoja atë që thosha. Sakaq unë i shkrova në një hindishte të përsosur: Tani jam pak i lodhur dhe më duhet të shkoj të fle. Ajo u befasua dhe në anglisht m’u përgjigj: Ti po tallesh me mua? Ndërsa unë iu përgjigja: E si mund të tallem me ty. Unë të dua shumë. Po cili ishte sekreti? Kisha zbuluar nga një sajt këngësh hindi në internet që kishin edhe përkthim anglisht. Duke mbledhur një fjalë aty e një këtu arrita që të ndërtoj një frazë të tërë. Sigurisht ndoshta hindishtja ime ishte paksa e çuditshme me gjithë ato rima, por funksiononte. Kur u takuam bashkë m’u desh që t’i pranoja se gjithçka ishte një sajesë. Por ndërkohë vajza me të cilën isha dashuruar më kishte pranuar si të dashurin e saj”, rrëfen 33-vjeçari.
“Në fakt gjërat nuk mbetën me aq. Unë i hyra me pasion një studimi të vërtetë për përkthimin. Gjuha funksionon në të njëjtën mënyrë. Të gjithë komunikojnë, se kush arrin të bëjë çfarë, në çfarë mënyre, kur dhe ku. Shtoji të gjitha këtyre pyetjeve edhe pse-në dhe dalim te pyetjet të cilat përbëjnë edhe ABC-në e gazetarisë. Sigurisht që ka dallime. Disa i vendosin fjalët në një rend të caktuar, të tjera u shtojnë fjalëve disa germa, të tjera ia lënë kontekstit detyrën e përcjelljes së kuptimit. Ja përse pyetja e parë që duhet të bëjmë është: Në çfarë mënyre do të reagojë një gjuhë e caktuar ndaj nevojave universale? Në çfarë mënyre arabishtja do të më tregojë se cili është subjekti dhe cili është objekti?” E gjithë kjo të bën të duket se jemi rikthyer në bankat e shkollës, vetëm se doktor Venugopal ka një ndihmë, të cilën nxënësit e tjerë do ta ëndërronin: kompjuterin më të fuqishëm në planet. “Kur nisa që të punoja në ‘Google’ revolucionarizova së bashku me të tjerë gjithë mënyrën me të cilën bëheshin deri në atë kohë përkthimet. Deri në atë moment mënyra e të përkthyerit në internet ishte ajo klasikja. Ndërkohë që ne zgjodhëm një mënyrë statistikore. Kështu nëse unë them si përkthehet kjo fjali nga indishtja në anglisht, përgjigjja klasike do të jetë: duhet bërë përmes zbatimit të këtij rregulli. Ndërsa përgjigjja statistikore do të jetë: mos u shqetëso shumë me rregullat, por më ndihmo që të arrij të krijoj diçka që të mund të funksionojë gjithmonë, qoftë edhe me gabime, por që të funksionojë”.
“Google” gërmon mes përkthimeve të një fraze të vetme në shumë gjuhë të ndryshme, ose më mirë në të gjitha gjuhët e vendeve që marrin pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke u marrë me të gjitha burimet, edhe ato të letërsisë klasike dhe të feve. “Për të pasur një analogji të mënyrës se si funksionon kjo makinë, le të mendojmë për shembull një restorant kinez. Është e njëjta procedurë me anë të së cilës doktori nisi që të “fliste” hindisht me të fejuarën. “Unë nuk i njoh rregullat e gjuhës kineze, por lexoj më parë përkthimin në anglisht. Për shembull ‘pjatë me mish’ dhe marr shënim të dyja fjalët në gjuhën kineze. Më pas lexoj përkthimin e një ushqimi tjetër: ‘oriz me mish’ dhe rishoh fjalën e ripërdorur dy herë në gjuhën kineze për ‘mish’. Më pas shkoj në një pikë tjetër të menysë: ‘pjatë me perime’ dhe rishoh fjalën që pashë më parë pra ‘pjatë’. Në këtë moment jam në gjendje që të di se si i thonë në gjuhën kineze: ‘Mish me perime’. Pra mund ta gjej edhe pa lexuar përkthimin në anglisht”. Por sigurisht kjo duket e thjeshtë në parim, por pa fuqinë e stërmadhe të kompjuterit të “Google” gjithçka është e pamundur. Por ndërkohë shohim edhe anën tjetër, sepse edhe makina ka problemet e saj. Dhe pikërisht për të zgjidhur këto probleme është duke punuar aktualisht grupi i punës i drejtuar nga gjeniu indian i “Google Translator”. Por a ka, sipas tij, gjuhë që janë më të vështira se disa gjuhë të tjera, apo të gjitha për nga vështirësia dhe kompleksiteti, si dhe organizmi janë njësoj? Edhe këtu, sipas tij, dhe për sa i përket metodës që ndjek “Google Translator” nuk vlejnë shumë rregullat që përdor një përkthyes, por karakteristikat e programit të kompjuterit. “Në këtë rast për ne një gjuhë e vështirë është ajo gjuhë që ka shumë pak dokumente në internet.” Ja edhe një ironi që ka të bëjë me vetë djaloshin 33-vjeçar. Të fundit gjuhë që janë futur në shërbimin e “Google Translator” janë gjuhët indiane, pra gjuhët që njeh më mirë në botë pikërisht njeriu që ka shpikur mekanizmin e përkthimit. Kjo, sepse ato janë shumë të vështira, duke qenë se kanë shumë pak dokumente në internet. Gjithsesi, sipas doktorit, ato përbëjnë një sfidë të madhe dhe për të personalisht sfida e radhës është që ta bëjë “veglën” përkthyese sa më të shpejtë, të saktë dhe të shumanshme.