Google ka zbuluar identitetin e një përdoruesi, pas zbulimit të imazheve të abuzimit me fëmijë në llogarinë e tij në Gmail. Burri jeton në Hjuston të Teksasit, sipas raportimit të medias lokale. Google u lidh me një agjensi për mbrojtjen e fëmijëve, që njoftoi policinë, duke çuar në arrestimin e burrit, njofton “KHOU 11 News”. Mirëpo kompania u shpreh për “BBC-në” se nuk do të komentojë mbi llogarinë e zbuluar.
Arrestimi ngre pyetje mbi privatësinë e postës elektronike personale (email) dhe rolit të Google në hyrjen në rrjet.
Policia e Hjustonit u shpreh për median lokale se Google ka zbuluar imazhe eksplicite të një vazje të re në një email të dërguar nga John Henry Skillern. Pasi email-i iu referua policisë nga Qendra Kombëtare për Fëmijë të Humbur dhe të Shfrytëzuar, policia nisi kërkimin dhe e arrestoi burrin. 41-vjeçari është një abuzues i dënuar tashmë, me akuzën e “ushtrimit të pornografisë me fëmijë”, raporton policia.
BBC shkruan se “është e kuptueshme që Google nuk kërkon llogaritë në Gmail për forma të tjera të akvitietit ilegal, siç janë komunikimet me përmbajtje urrejtjeje”.
David Drummond, shefi i zyrës ligjore në Google është shprehur më herët se Google ndihmon në financimin e “Internet Watch Foundation” (Fondacioni i Monitorimit të Internetit), i cili ka për detyrë të “identifikojë në mënyrë proaktive imazhe të abuzimie me fëmijë, të cilat më pas i heq nga motori i kërkimit”.
Ai është shprehur se “ne kemi ndërtuar një teknologji që identifikon imazhe të tilla, i heq në mënyrë automatike dhe ua raporton autoriteteve”. Google ka mbi 400 milionë përdorues në të gjtihë botën.