Google zhytet ne det

Disa muaj më parë, shoqëria e Larry Page dhe Sergey Brin (themeluesit e "Google") ka bërë bashkë në "Googleplex", zyrat qendrore të kompanisë, ekspertët më të mirë në botë të oqeanografisë për të diskutuar në lidhje me mundësinë e realizimit të një harte tredimensionale të fundit të oqeaneve dhe deteve të të gjithë botës, për t‘i bërë ato thellësi "të lundrueshme" për të gjithë "lundërtarët" e "Google"-it. Gjithçka ka nisur dhjetorin e kaluar dhe që nga ai moment nuk ka shumë informacion, përfshi edhe datën e daljes së produktit të ri "made in Google". Ajo që dihet është se softueri i ri (ka shumë mundësi që të mos jetë aq i konsultueshëm në rrjet si "Google Map") nuk do të jetë një program "i mbyllur". "Google Ocean" është emri i përkohshëm i projektit. Ky do të jetë një aplikim ku të gjithë mund të ngarkojnë informacionet e tyre. Cilat për shembull? Në rastin e një zhytjeje në Detin e Kuq, me një fotokamer për përdorim nënujor, mund të vendosen në hartë pamjet e marra gjatë zhytjes të peshqve. Ose nëse një detar do të donte që të hapte blogun e tij gjatë një udhëtimi me anije në Paqësor, ai mund të shkruante rrëfimet e veta dhe t‘ia bashkëngjiste hartës së rrugëtimit të tij në "Google". Pra, ka shumë mundësi ndërhyrjeje dhe interaktiviteti. Edhe në aspektin profesional dhe në sektorin e kërkimeve shkencore. Ja përse komentet e para në lidhje me "Google Ocean" janë thuajse të gjitha pozitive.

Shumë përfaqësues të institucioneve, apo organizmave detarë të botës, janë shprehur pozitivisht dhe janë mbështetës për këtë ndërmarrje të madhe, e cila pritet të lehtësojë shumë punën e atyre që kanë veprimtari nënujore, por edhe të shuajë kureshtjen e miliona njerëzve për një botë që njihet pak nga banorët e sipërfaqeve tokësore. Maturia e deklaratave të "Google"-it për të bërë të ditur këtë lajm dhe të qenit të rezervuar për dhënien e informacionin mbi ecurinë e projektit nuk ka të bëjë vetëm me faktin se projekti nuk është përfunduar ende, edhe pse vështirësia e tij mund të jetë shumë më e madhe se ajo me të cilën janë përballur në projektet e mëparshme të "Google Earth" apo "Google Map". Sipas një specialisti, bëhet fjalë për një punë kolosale. Oqeanet mbulojnë dy të tretat e sipërfaqes së planetit tonë dhe për një pjesë të mirë të hapësirave nënujore ka shumë pak informacion. Të tilla janë, për shembull, zonat nënujore të Antarktidës, për të cilat nuk ekzistojnë fotografi, sepse realizimi i tyre, qoftë edhe përmes satelitit, është jashtëzakonisht i vështirë. Por vështirësia nuk qëndron vetëm te numri i madh i zonave të pafotografuara, por dhe te mënyra e arritjes së fotografimit të tyre, çka përbën një mision gati të pamundur. Për të pasur një ide të kësaj vështirësie, le të marrim një shembull. Për realizimin e një harte nënujore të një hapësire nga Portugalia në Marok marrin pjesë 13 institucione shkencore të specializuara për botën nënujore. Për të mbledhur të gjitha të dhënat e duhura duhen qindra ditë lundrim. Të mos flasim pastaj për përpunimin e tyre, që është histori më vete. Po si do t‘ia dalë "Google" me gjithë këto vështirësi? Një hipotezë është që "Google" nuk do të ndërmarrë asnjë kërkim të ri, por thjesht do të bëjë bashkë të gjitha informacionet që ekzistojnë aktualisht, duke u shtuar atyre hap pas hapi informacionet e tjera që do të dalin në të ardhme. Pjesën tjetër të punës mund ta bëjnë përdoruesit e programit me informacionet apo kërkimet e tyre personale a në grup. Shumë specialistë mendojnë se "Google" do të ofrojë vetëm një "pikënisje" dhe jo material të plotë e të përfunduar. Punën e "mbushjes" do ta bëjnë njerëzit e tjerë, ata që do ta përdorin programin. Ajo që "Google" do të bëjë më pas është inkurajimi i njerëzve për ta pasuruar programin me materialet e tyre të reja, por kjo gjë do të ndodhë me siguri.

Përtej kuriozitetit për të njohur format e sipërfaqes nënujore, kurioziteti më i madh është ai i njohjes së morfologjisë së oqeaneve. Ideja e një harte të sipërfaqes nënujore të planetit tonë është shumë e rëndësishme edhe praktikisht. Një informacion i mirë në këtë drejtim do të ishte i vlefshëm për të bërë parashikime në lidhje me formimin e valëve detare, apo me studimin e faunës në zona të arritshme dhe mbrojtjen e kësaj faune për zbulimin e zonave naftëmbajtëse apo edhe për të ditur paraprakisht forcën goditëse të valëve detare. Dhe nuk përfundon gjithçka këtu. Njohja e sipërfaqes nënujore është e dobishme edhe për disa vepra inxhinierike, të tilla si vendosja e kabllove nënujore të internetit. Për këtë, "Google Ocean" mund të ofrojë edhe versione të tij me pagesë. Por "Google" nuk është i pari që ndërmerr një projekt gjigand të të bërit bashkë të gjithë informacioneve që ekzistojnë për sipërfaqet nënujore të planetit. Para kësaj ndërmarrjeje, një projekt i rëndësishëm ishte ai i "Merseas", një institucion shkencor evropian që merret me studimin e nëndetit. Ky institucion ka një program të mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian, qëllimi i të cilit nuk është vetëm realizimi i një harte sa më të plotë të sipërfaqes nënujore evropiane, por edhe të kuptuarit e përbërjes së kësaj pjese nënujore. Gjithsesi sytë e të gjithë tani janë drejtuar tek projekti madhështor i Google, për të cilin nuk dihen dy gjëra: kostoja dhe data e daljes në treg, por dihet që suksesi është i sigurtë.

Nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama