Kolonat zanore për filmat e Emir Kusturica-s ("Arizona dream" dhe "Underground") e bënë një yll të vërtetë, por edhe pse Bregovic ka ngjitur shkallët e suksesit, thotë se ka mbetur ai i përhershmi, pra një ish-roker me pasionin e madh për lagjet e varfra dhe jetën e vështirë. "Jam një njeri i cili e ka ngritur suksesin e tij gjatë adoleshencës duke kënduar rok nëpër lokalet e Napolit. Kryesorja është se vazhdoj të mos i tremben asgjëje".
Çfarë bënit ju në një klub nate të Napolit, me bandën tuaj muzikore, kur ishit vetëm 17 vjeç?
Për një djalosh të rritur në ish-Jugosllavinë komuniste, edhe ajo ishte një mënyrë për t‘ia mbathur nga një jetë gjithmonë e njëjtë. Më çmendte ideja që do të luaja muzikë për vajzat që zhvisheshin para meje. Në moshën 17-vjeçare, po të krahasohesha me miqtë e mi të Sarajevës, unë kisha parë më shumë femra të zhveshura. Në fund të viteve ‘70, në Napoli qarkullonin shumë droga dhe kur fillova të kem probleme, nëna ime erdhi më mori menjëherë.
Si ishte jeta prej rokeri në ish-Jugosllavinë komuniste? Ju luanit muzikë në Kodesky, një grup që ka pasur sukses në vitet ‘70...
90 për qind e fitimeve i shkonin menjëherë shtetit dhe për këtë arsye aktiviteti i bandës nuk ishte dhe aq i furishëm. Kisha shumë kohë të lirë, të cilën e mbushja duke u ngjitur nëpër male e duke u bërë president i një klubi këngëtarësh.
Padyshim që ishin të gjitha aktivitete të qeta dhe pa rreziqe?
E kam kaluar pjesën më të madhe të jetës duke kërkuar të bëj gjëra shumë të vlefshme, të tipit të vizitoj të gjitha vendet e botës, ku agjencitë refuzojnë të organizojnë udhëtime dhe pushime. Por nëse luan me jetën, atëherë edhe jeta luan me ty. Kur isha në Himalaje rrëshqita dhe rashë përreth 200 metra poshtë. Nuk e di si ndodhi por mora plagë të rënda.
Është ende gjallë dëshira e madhe për të udhëtuar?
Motoja ime është: Jepi këmbëve dhe mos ndalo derisa të mbarojë benzina.
Muajin e kaluar, pasi pësuat një aksident në një hotel deklaruat: "Zoti nuk ka vendosur ende që të vijë të më përshëndesë". Cili është raporti juaj me zotin?
Do ta përkufizoja kështu: nëse nuk do të kishte qenë për Zotin, sot do të kisha vdekur dhe trupi im do të ishte bërë copë e çikë kur ra nga hoteli. Në fakt ndodhi e kundërta, thjesht mora disa gërvishtje.
Thuhet se në vendin tuaj nuk jeni shumë i pëlqyer, është e vërtetë kjo?
Fakti që unë nuk isha pjesë e luftës civile të viteve ‘90, nuk u ka pëlqyer atyre që i duan ndarjet dhe kundërveprimet. Megjithatë unë në shtëpinë time kam shitur miliona albume dhe kam udhëtuar përtej oqeanit për të dhënë koncerte.
E keni imagjinuar spektaklin që do të jepni në Milano dhe Torino në datat 15, 16 shtator?
Quhet "Three letters" dhe përfshin muzikantët e "Absolute Ensemble" të Nju Jorkut. Banda ime "Wedding & Funeral" është një përzierje zërash mashkullorë që drejtohen nga Kristjan Jarvi. Dy spektaklet e mëdha do të regjistrohen dhe do të jenë pjesë e albumit tim të ri, i cili do të titullohet "Alkool".
Çfarë do t‘i thoshit një personi që ka paragjykimi kundrejt romëve, si do ta bindnit që e ka gabim?
Në fakt të gjithë rritemi me stereotipie. Në shtëpinë time me sy paragjykues shohim gjermanët dhe turqit, të cilët në momente të ndryshme historike na kanë pushtuar. Unë në jetën time nuk kam njohur kurrë një turk apo një gjerman që t‘i korrespondonte asaj që më është ngulitur në kokë nga prindërit. Ishin gjithnjë shumë më të mirë nga ajo që më kishin përshkruar.
Meqë ra fjala te gjërat e përbashkëta, pse të gjithë arixhinjtë i bien vetëm një vegle?
Do t‘i përgjigjem me një frazë kult: pse qenve u pëlqen të lehin, sepse atë dinë të bëjnë më mirë.
Sipas jush, po shuhet muzika e madhe rome?
Po, muzikantët e mëdhenj të trombës nuk do të zhduken kurrë. Dhe e dini pse? Sepse bëjnë shumë zhurmë, që të pranohen në restorant. Gjithashtu shpesh pështymë në trombë, gjë që nuk është e hijshme. Të tjerët duhet të mbledhin bakshishe dhe shpresojmë se me kalimin e viteve të shndërrohen në muzikantë të shoqërisë së mirë. Nëse nuk do të pështynin mbi instrument, ndoshta edhe trombistët e tjerë do të kishin të njëjtin fund. Por falë Zotit...