Gore Vidal dhe fundi i nje epoke

Gore Vidal dhe fundi i një epoke
Një nga frikat më të mëdha që ka janë avionët, pasi thotë se ka pasur gjithmonë frikë nga gjërat që nuk ka ditur se si funksionojnë. Me "largimin" e Kurt Vonnegut, Joseph Heller dhe Norman Mailer, Gore Vidal, tashmë 82- vjeçar, është figura e fundit legjendare e moshës së artë të letërsisë amerikane. "Qetësi", kjo është fjala e tij e preferuar, por shpesh këtë gjendje e arrin pasi ka rrëkëllyer sasi të konsiderueshme uiski. Atëherë fytyra i merr një pamje sa qesëndritëse e përçmuese, aq edhe sensuale. Ai jeton në një shtëpi të bukur në kodrat e Hollivudit që nga viti 2003, sepse që këtej ka fare pranë spitalin. Howard Austen, miku i tij prej 53 vjetësh, ndërroi jetë në të njëjtin vit për shkak të kancerit. Të dy, para se të vinin në Hollivud, qëndruan në Napoli në një vilë të mrekullueshme, e cila ka hyrë në histori. Një pjesë të mirë të ditës, për shkak të pamundësisë së lëvizjes, pasi ndodhet në një karrige me rrota, e kalon në dhomën e tij, ku drita hyn pjerrëtazi dhe muret janë të veshur me piktura të rralla. Si edhe Oskar Wilde, Vidal është shumë i famshëm për epigramat e tij.

Të takosh këtë shkrimtar të fundmë të një brezi gjenish, është njësoj si të tentosh të takosh shumë personazhe që kanë shndritur në të shkuarën. Në dy vëllimet e tij: "Palimpsest", të botuar në vitin 1995, dhe "Point to Point Navigation", të botuar në 2006-n, ai kujton miqësinë e tij me Eleanor Roosvelt, princeshën Margaret, apo Leonard Bernstajn. Ai ishte i afërt i familjes Kennedi, i John dhe më pas shumë i afërt edhe me të shoqen. Gjatë jetës së tij ka frekuentuar dhe është shoqëruar edhe me Tennessee Williams, Christofer Isherëood, Em Forester, Albert Camus, Sartre, apo William Faulkner. Megjithatë, dikur ka shkruar se nuk i pëlqente që të shoqërohej me shkrimtarë që ishin më pak të famshëm e të talentuar se ai. Vidal nuk ka qenë kurrë një njeri që kishte dyshime për aftësinë e tij. Një shkrimtar me një krijimtari të jashtëzakonshme dhe ndjeshmëri të lartë poetike, 24 romanet e tij përfshijnë klasikë të tillë si satira transeksuale "Myra Breckenridge" apo komedia surreale "Duluth". Ai shkroi skenarin e filmit "Vera e fundit", në të cilin interpreton Elisabeth Taylor. Skenarë të tjerë përfshijnë "Ben Hur" dhe "Kurbani". Ai ishte edhe aktor dhe shfaqet në shumë filma përfshi "Roma" e Felinit, në të cilin luan vetveten.

Ai ka qenë një satirist gjenial dhe një fjalimshkrues i përkryer. Për këto dhunti, kandidoi për në Kongres dhe për pak nuk fitoi një vend kundër konkurrentit demokrat në vitin 1960. Një vit më vonë, kur ia ofruan vendin në Kongres, ai e refuzoi, duke thënë se kishte kandiduar thjesht për kuriozitet e jo për ideal, dhe se tashmë kuriozitetin e kishte kënaqur. Vidal është bujar dhe zbavitës, por gjithmonë bashkëbiseduesi ka ndjesinë se pavarësisht qetësisë sipërfaqësore, Vidal është si një bombë që mund të shpërthejë nga çasti në çast. Një nga gjërat që përçmon është edhe shtypi i shkruar. Këtë përçmim e ka nga një përshkrim që një gazetare i bëri pas një interviste me të. Ajo shkroi për paraqitjen e tij: "I lënë pas dore, mbipeshë, me pantallona të gjëra dhe me qafën që i shpërthente nga këmisha e hapur deri në bark". Ky përshkrim ka qenë ndër më ofenduesit dhe i mjaftoi për t‘i neveritur të gjithë gazetat e revistat bashkë. Por edhe në intervistat televizive nuk ka qenë shumë miqësor. Shpesh ka debatuar me gazetarët dhe të ftuarit e tjerë. Sipas vetë Vidal, atij i pëlqen t‘i thotë gjërat sikundër janë dhe se nuk para e interesojnë mendimet e të tjerëve.

Eugene Luther Gore Vidal lindi në West Point dhe ishte fëmija i vetëm i Eugene Luther Vidal dhe Nina Gore. Fëmijërinë e kaloi në Uashington DC. Në moshën 10-vjeçare, prindërit e tij u divorcuan dhe marrëdhënia me mamanë e alkoolizuar ka qenë e vështirë dhe me ndikim të keq. Ajo ishte një grua e vështirë e me shumë probleme dhe Vidal fajëson atë për pjesën më të madhe të problemeve që pati në jetë. Për të, e ëma ishte një forcë e keqe e natyrës, të cilën ai pati fatin e keq ta kishte pranë për një kohë të gjatë. Ndërkohë, një nga njerëzit me të cilët pati lidhje më afektive ishte gjyshi nga mamaja, një ish-senator demokrat, i cili ishte i verbër që në moshën 10-vjeçare dhe i jepte të nipit për të lexuar shumë libra. I njohur për shijet e tij ndryshe seksuale, në të ri Vidal ka pasur më shumë se një marrëdhënie heteroseksuale, por dashuria e tij e madhe e viteve të shkollës ishte Jimmie Trimble.

Fatkeqësisht ai ndërroi jetë në moshën 20-vjeçare. Për të Vidal shkroi: "Djersa e tij vinte era mjaltë. Ai ishte si Aleksandri i Madh". Edhe më pas, ai ka shkruar se Trimble ishte njeriu që ka dashur me të vërtetë në jetë, personi të cilit në njëfarë mënyre ai i qëndroi besnik në ndjenjë. Madje aq e madhe ka qenë dashuria e tij, saqë Vidal e ka lënë me amanet pas vdekjes që ta varrosnin në të njëjtin varr me mikun e tij, në një varrezë në Uashington. Për sa i përket letërsisë, romani i parë i Vidal ishte "Williwaw" një roman lufte që u prit mirë në vitin 1946, por suksesi i vërtetë i erdhi me "The City and the Pillar", një roman ku ai del hapur me preferencën e tij homoseksuale, të cilin ia kushton Jimmie Trimble, njeriut që ndikoi jetën e tij më shumë se askush tjetër. Për Vidal, termi "homoseksual" nuk ishte i vlefshëm të përdorej, sepse seksualiteti njerëzor është shumë kompleks dhe i ndryshueshëm për t‘u përcaktuar ngurtësisht në një term të vetëm. Pas librit të tretë që e bëri të famshëm, Vidal shkoi në Guatemala dhe shkroi një sërë romanësh, por me pseudonime. Ndërkohë, edhe pse ishte një person që nuk i pëlqente publiciteti, ai bashkëpunoi haptas me Doktor Aslfred Kinsey, "seksologun" e parë amerikan, i cili botoi në vitin 1948 studimin e famshëm "Sjellja seksuale e mashkullit". Për Vidal Kinsey ishte po aq i rëndësishëm sa edhe Freud. Pas botimit të librit të tij, e gjithë bota seksuale ndryshoi nën një këndvështrim të ri, nën atë të homoseksualitetit. Për Vidal ai bëri një revolucion seksual. Me të gjithë preferencën për meshkujt, thuhet se Vidal frekuentonte edhe femrat, madje me njërën prej tyre ka edhe një fëmijë. Kur e pyesin se a është interesuar ndonjëherë për vajzën, që tashmë është e rritur, ai thotë se nuk kishte arsye ta bënte, pasi kur e ëma i tha se ishte shtatzënë, ai i dha para për abortin, të cilat ajo i përdori për të shkuar në Boston e për t‘u martuar me një njeri të pasur.

Ai ka pasur edhe një kurajë të madhe për t‘iu kundërvënë disa personave apo çështjeve të caktuara, të tillë si Riçard Nikson, apo ekspansionizmit sionist. Ai ka folur edhe kundër ish-zëvendëspresidentit amerikan, Al Gore, i cili ishte një kushëri i largët. Për sa i përket luftës dhe paqes Vidal e konsideron veten një pacifist të lindur dhe për sa i përket regjimit aktual në Shtetet e Bashkuara, ai për të është një regjim i pandershëm me një President të korruptuar, i cili mashtroi për të ardhur në pushtet. "Është një regjim që nuk mund të bëhej më i keq", thotë shkrimtari. Sipas tij, politikanët janë njerëz të paqartë dhe askush nuk i di aftësitë e tyre reale. E vetmja gjë e sigurt është se prej tyre mund të pritet çdo gjë: mund të ketë surpriza të mira, por siç e ka treguar edhe vetë historia më shumë gjasa ka që surprizat të jenë të pakëndshme. Pas një jete të gjatë e të mbushur me krijimtari e histori personale, a mund të ketë pendime një person kaq i famshëm sa Vidal? "Keqardhje të mëdha nuk kam dhe njëherazi nuk kam asnjë ndjesë për t‘i kërkuar askujt. Ndoshta ngaqë kam luajtur fort", thotë shkrimtari. Ai ka folur shumë në intervistat e fundit se është i gatshëm për të bërë "kalimin e madh", po çfarë pret Vidal të gjejë "matanë"? "Asgjë të veçantë, por sigurisht jam kureshtar. Kam kuriozitetin e atij që shkon për të parë një film në kinema. Unë e druaj vdekjen vetëm nëse dikush do të më thoshte me siguri se kur do të ndodhte, përndryshe jam indiferent, por njëherazi edhe kureshtar. Ndodh që e mendoj si një rilindje. Ndoshta vdesim këtu për të rilindur diku tjetër".

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama