Grabitesit e hekurit sulmojne uren e Zogut

Grabitësit e hekurit sulmojnë urën e Zogut
MILOT – Grabitësit mësyjnë dhe urën e Zogut në Milot. Ajo është shpallur “Monument kulture”, por pavarësisht kësaj, ka nisur të shkatërrohet nga ana e hajdutëve ordinerë që merren me mbledhjen dhe shitjen e skrapit. Me fitimin e këtij statusi dhe bllokimin e qarkullimit për mjetet, kjo urë shfrytëzohet për lëvizjen e këmbësorëve. Kohët e fundit, persona të paidentifikuar kanë nisur ta shkatërrojnë atë, pasi po i heqin hekurat anësorë, të cilët lidhin edhe harqet e kësaj ure, si dhe një pjesë të parmakëve. Edhe pse kjo urë është rikonstruktuar dhjetë vite më parë, duke u sjellë në parametrat që ka pasur, me qëllim për t’u ruajtur si një objekt muzeal, askush deri tani nuk kujdeset për të, me përjashtim të hajdutëve të skrapit. Ura e Zogut ndodhet në të djathtë të rrugës që të çon në Mirditë, në të dyja ekstremet e lumit Mat. Kjo urë është madhështore, me një konfigurim të tillë që e rendit atë si një ndër urat më të rralla në Ballkan e madje më gjerë. Një urë e tillë për shumë vite dhe deri në ditët e sotme është quajtur “Ura e Zogut”, pasi ishte vetë Ahmet Zogu ideatori i ndërtimit të urës shumëfunksionale, sidomos për kohën. Ajo ishte një portë e domosdoshme për të hyrë në Shqipërinë e Veriut, që përfshin Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Tropojën, Kukësin, Pukën etj. Ura është projektuar nga inxhinieri italian i quajtur Martini dhe pothuajse e gjithë baza materiale u soll nga italianët. Zbatimi i projektit u bë nga inxhinieri shqiptar Gjovalin Gjadri nga Gojani i vogël, i cili ka projektuar rrugët automobilistike Milot-Burrel, që kalon nga livadhi i Trukut nëpër Mirditë. Ura ka një gjatësi 584.7 metra e gjatë dhe 5.6 metra e gjerë. Sipas specialistëve, për nga konstruksioni është ndër urat e veçanta; e para në Ballkan e ndërtuar me metoda të avancuara, si e paranderur me një hapësirë drite të harqeve 52 metra të lartë. Por, pavarësisht të dhënave historike, këto fakte nuk i njohin grabitësit e hekurit, qëllimi i të cilëve është përfitimi i tyre për t’i shitur në pikat e grumbullimit. Autorët mbeten ende të paidentifikuar, pasi nuk është bërë kapja e tyre në flagrancë nga ana e policisë, pavarësisht emrit të madh dhe shënimit të urës së Zogut si monument kulture në veprat me rëndësi të vendit tonë. r.n

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama