Tre grabitësit e masakuar dhe të armatosur, kanë vjedhur rreth 3 milionë euro në degën e Union Bankës që ndodhet pranë ish-stacionit të trenit mesditën e së premtes. Shuma e vjedhur në paund, franga, euro dhe dollar kap shifrën në total të rreth 3 milionë eurove, të cilat do të transportoheshin drejt aeroportit të Rinasit dhe më pas drejt një banke në Austri. Në 4 thasët e grabitur, sipas akuzës, ndodheshin 900 mijë franga zviceriane, 800 mijë dollarë, 600 mijë paund dhe 400 mijë euro. E gjithë kjo shumë do të dërgohej drejt Austrisë, por që hetuesit ende nuk kanë saktësuar se ligjërisht sa është shuma që i lejohet bankave të nxjerrin jashtë Shqipërisë, e cila është edhe një nga pistat hetimore të prokurorisë.
Burimet pranë këtij institucioni thanë se janë ngirtur dyshime se punonjësit e kësaj banke, kanë bashkëpunuar me grabitësit, pasi dera nga ku mendohet se kanë hyrë tre personat e maskuar ishte lënë hapur. Kjo derë nuk ishte e dëmtuar dhe koridoret e shkallës së pallatit nuk ishin të monitoruara nga kamerat e sigurisë, çka i ka krijuar lehtësira grabitësve. Hetuesit thanë se vetëm një kamerë sigurie i ka fiksuar tre grabitësit kur janë afruar pranë shkallës, por pa arritur të identifikohen fytyrat e tyre.
Policia dyshone se grabitësit, kishin dijeni për lëvizjen e parave që do të bëheshin, vendim ky që ishin të informuar vetëm një grup i vogël personash. Për këtë fakt, ata kanë arrestuar edhe shefin e sigurisë së bankës Qirjako Taçe dhe shoqëruesin i vlerave monetare të bankës, Robert Felaj si persona të dyshuar, pasi kishin dijeni për lëvizjen e parave. Gjithashtu, prokuroria thotë se dy të arrestuarit nuk kanë marrë masa për kontrollin e ambienteve të garazhit ku janë fshehur tre grabitësit, nuk kanë siguruar derën nga kanë hyrë grabitësit si dhe nuk kanë shtuar numrin e efektivëve për shoqërimin e kësaj shume të konsiderueshme parash. Burimet thonë se edhe efektivët e kompanisë së ruajtjes fizike, janë treguar neglizhent në kryerjen e detyrës, duke mos zbatuar asnjë nga rregullat dhe masat për shoqërimin e parave.