Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër, pas grabitjes së Kryqit të Shenjtë në vitin 1989, nga kisha e Shën Mërisë, kjo është grabitja e dytë më e madhe në këtë monument kulture.
Grabitja mendohet të jetë kryer gjatë natës, të dielën duke u gdhirë e hëna, me reshje e stuhi të mëdha shiu. Mësohet se kujdestari i monumentit, Vangjel Memo, e ka konstatuar vjedhjen në mëngjesin e së hënës, rreth orës 08.30. Në fillim ai ka thirrur bashkëfshatarët dhe kujdestaren e caktuar nga Mitropolia e Gjirokastrës dhe më pas ka denoncuar në Komisariatin e Policisë në Gjirokastër. Grabitësit kanë hyrë në brendësi të kishës nëpërmjet një prej dy dritareve të ngushta të pjesës verilindore, duke shkulur hekurat e kryqëzuar. Më pas ata kanë hyrë brenda, kanë bastisur mjediset e brendshme dhe kanë shkëputur të gjitha ikonat e vendosura në një rresht të gjatë të pjesës së sipërme të ikonostasit prej druri të gdhendur.
Gjatë tentativave për të hyrë në kishë, ata janë përplasur me një nga kryqet prej bronzi të pjesës së pasme të ikonostasit, janë gjakosur dhe ekspertët e krimeve kanë mundur të konstatojnë dhe të marrin gjurmët e gjakut në pllakat e gurta të dyshemesë. Pas denoncimit, në vendngjarje ka shkuar grupi operativ hetimor, që ka nisur hetimet me këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe evidentimin e gjurmëve që kishin lënë grabitësit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është provuar se grabitësit kanë qenë të pajisur me doreza, për të mos lënë gjurmë gishtash dhe kanë qëndruar për një kohë të gjatë në kishë. Ata kanë bërë kontrolle të imtësishme në të gjitha hajatet dhe anekset e tjera të saj. Gjatë bastisjes, përveç ikonave me një vlerë të pallogaritshme, ata kanë hapur e grabitur edhe rreth 30 mijë lekë të reja nga arka ku depozitohen kontributet e besimtarëve.
Kisha e vjetër e Labovës së Kryqit emërtohet kisha e Shën Mërisë dhe ndodhet në qendër të fshatit Labovë e Poshtme dhe pse mes studiuesve ka ende debate për vjetërsinë e datimit të saj, shumica e autorëve për pjesën e saj më të dukshme e vlerësojnë këtë objekt të shekullit XIII. Pavarësisht nga debatet për kohën e ndërtimit, ky monument kulture dhe besimi të krishterë është në vetvete një vepër e rrallë, që, sipas studiuesve, krijon një shkollë të veçantë arkitekture. Ndër veçantitë e saj për arkitekturën e periudhës bizantine janë veshja me tulla bizantine e pjesës së sipërme të monumentit, rindërtimi dhe shtimi me anekse në periudha të ndryshme, kupola, shtresëzimi dhe mbivendosja e afreskeve dhe ikonostaseve. Ikonostasi aktual prej druri, nga edhe janë vjedhur dy ditë më parë 18 ikona, sipas ekspertëve i përket vitit 1805. Një tjetër ikonostas me afreske të pikturuara mbi mur, zbuluar më vonë, i përket një periudhe më të hershme, ndërsa në një mbishkrim vendosur sipër derës së vjetër të kishës është fiksuar viti 1554.
Restauruesit e Institutit të Monumenteve në muret e kishës kanë mundur të dallojnë plot 9 shtresave të suvasë, sipër të cilave janë shkruar dhe mbishkruar dhjetëra afreske të pikturuara në periudha të ndryshme të historisë. Së fundi, mjafton të kujtojmë legjendën e kryqit të Labovës së Kryqit, një objekt i rrallë që u ruajt me fanatizëm nga banorët vendas deri në vitin 1990 dhe që sipas legjendave të vendasve, atë objekt Labova e kishte dhuratë nga Perandori romak, Justinian dhe se, sipas gojëdhënave, brenda veshjes së florinjtë, kryqi i Labovës ruante një copë ashkël origjinale nga druri në të cilin u kryqëzua Krishti në Jerusalem.
Marre nga : Gazeta Shqip