Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ofron një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo informacion të vlefshëm lidhur me autorët e grabitjes së një argjendarie në qendrën tregtare TEG. “Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ofron një shpërblim prej 10 mijë euro për çdo person që jep informacion të vlefshëm në drejtim të identifikimit dhe kapjes së autorëve, në çdo rast duke ruajtur anonimatin”, thuhet një njoftimin e policisë. Ngjarja ndodhi më datën 24 dhjetor ku katër persona të veshur si Babagjysha të Vitit të Ri, nën kërcënimin e armës grabitën një argjendari në qendrën tregtare TEG.
Pas grabitjes, 4 “Babagjyshat” janë larguar menjëherë në drejtim të paditur me një automjet, të cilin e dogjën dhe e braktisën në afërsi të Lundrës. Policia e Tiranës ka vijuar hetimet intensive lidhur me këtë ngjarje, por ende nuk ka rënë në gjurmët e grabitësve të cilët mendohet të jenë pjesë e një grupi të mirëstrukturuar kriminal.