Nuk ruajtën informacionin për transportimin e parave dhe dyshohet se kanë bashkëpunuar me grabitësit, arrestohet drejtori i Union Bank dhe shoqëruesi i parave. Arrestimet janë bërë ditën e sotme nga seksioni Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Pronës në Policinë e Tiranës. Burimet zyrtare thonë se në pranga kanë rënë Qirjako Sotir Taçe, 54 vjeç, me detyrë Drejtor Departamenti të sigurimit të Bankës dhe Robert Anesti Fetahu, 50 vjeç, me detyrë shoqërues i vlerave monetare pranë kësaj banke.
Sipas policisë dy të arrestuarit janë përgjegjësit kryesor të vjedhjes së parave në bankë sepse nuk ushtruan kompetencat e tyre. Rrjedhja e informacionit për lëvizjen e parave, ka bërë që grabitësit të sulmojnë bankën, duke marrë prej andej një shumë të konsiderueshme. “Këta shtetas dyshohet se kanë bashkëpunim me autorët e ngjarjes. Duke mos ushtruar kompetencat e tyre si detyrë funksionale, dyshohet se kanë ofruar mundësimin apo krijimin e kushteve për dhënie informacioni”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Me 13 shkurt, persona të maskuar dhe armatosur i grabitën paratë gjatë kohës që po nxirreshin nga banka, për tu transportuar më furgon të blinduar. Autorët u larguan me një automjet të cilin e braktisën më pas në rrugën “ Sulejman Vathi”. Në lidhje me ngjarjen u arrestuan edhe 6 punonjës të eskortës së SH.R.S.F “Euro Gjici”, shoqërues të vlerave monetare të cilët nuk bënë asgjë për të ndaluar grabitjen.