Dy persona janë arrestuar pasi akuzohet për vjedhje dhe trafikim të veprave të arti në objekte kulti dhe janë sekuestruar një sërë ikonash dhe pikturash të vjedhura në disa qytete të Shqipërisë dhe në Maqedoni. Dy të arrestuarit janë Arben Spaho, 40 vjeç, lindur në Pogradec dhe banues në Kamëz Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe Gjergji Thimo, 43 vjeç, lindur ne Korçë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe falsifikimin të dokumenteve zyrtare.
Nga kontrolli i ushtruar në banesat dhe ambientet e tjera që posedojnë këta shtetas, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
• 223 ikona të kishave të përmasave të ndryshme (disa prej te cilave dyshohet se janë të vjedhura në Maqedoni).
• 6 ikona të cilat dyshohet se janë vjedhur në Shqipëri dhe Maqedoni me synim trafikimin e tyre me destinacion vendet e BE.
• 4 piktura murale të konservuara, të dyshuara si të vjedhura në Kishën e Voskopojës dhe qytetin e Korçës.
• 522 piktura bronzi, të cilat i përkasin periudhës së mesjetës.
• 322 objekte të ndryshme të cilat i përkasin periudhës mesjetare.