Gratacielat qe do te sfidojne kullen Eifel

Grataçielat që do të sfidojnë kullën Eifel
Një debat i vjetër që hapet sërish pas vendimit të kryetarit të bashkisë, Bertrand Delanoe, për të lejuar ndërtimin në disa lagje të qytetit të ndërtesave që mund të arrijnë lartësinë deri në 50 metra. E sigurt është se nuk do të jetë pallati i ardhshëm ku do të vendoset gjykata. Këshilli Komunal do të votojë një rezolutë, duke i hapur rrugën ndryshimit të planit rregullator. Pasi luftoi për shumë vite kundër ambientalistëve, që ishin kundër këtyre masave, Dalanoe i ka tashmë duart e lira meqenëse socialistët nuk kanë nevojë për aleatë për të pasur mazhorancën. Por debati duket se po përçan edhe këshilltarët e djathtë, të ndarë mes "Ancients et Moderns", dy grupe që prej katër shekujsh diskutojnë për të gjitha argumentet e mundshme e të imagjinueshme. Projektet e kryetarit të bashkisë në fund të fundit janë pak revolucionare. Bëhet fjalë për ndërtesa larg nga ato "kullat" e "Defence", lagja e biznesit që po ndërtohet në perëndim të kryeqytet, e pagëzuar me emrin "Manhatani" mbi Senë.

Aty është parashikuar ndërtimi i një grataçiele të lartë 300 metra. Po ashtu jemi larg nga "Tour Montparasse", e përuruar në vitin 1972. Bëhet fjalë, në mënyrën më modeste, për të shtuar sipërfaqen ku mund të bëhen ndërtime në një qytet të mbyllur brenda kufijve striktë (20.433 banorë për kilometra katrorë). Qëllimi është për të tërhequr sërish investuesit, ndërmarrjet e mëdha, për t‘i dhënë dinamizmin një qyteti që duket se është përgjumur pas ndërtimeve të mëdha që e shndërruan qytetin në kantier ndërtimi në kohën e Miteranit. Për të arritur objektivin e tij, Delanoe po mendon të ridizajnojë gjashtë lagje, të gjitha të vendosura përgjatë bulevardit "Peripherque", që quhet ndryshe unaza autorrugore që lidh qytetin: "Batingnolles", "Porte de la Chapelle", "Porte de Montruil", "Bercy-Charenton", "Massena-Brunesau", "Porte de Versailles". Sipas kryetarit bëhet fjalë për të prezantuar "evolucionin e peizazhit urban", duke pasur parasysh se Parisi nuk është një qytet-muze dhe mund të ndërhysh, duke bërë ndërtime të larta pa prishur asnjë lloj pune. Grataçielat në qytet nuk mungojnë, por ato kanë qenë fryt i një përvoje që mbetet edhe sot traumatike për parisienët. Qyteti u rimodelua në vitet ‘70, kur Georges Pompidou donte të mbulonte kanalet për të ndërtuar një autostradë në qytet, kur golizmi mbretëror promovonte, në të mirë e në të keq, modernizimin e vendit. Ekzistojnë ende ndërtesa të ndërtuara me shpejtësi, që, për shkak të estetikës, janë kthyer shpesh në burim problemesh sociale. Rezultati? Në vitin 1977 janë ndaluar ndërtimet që mund t‘i kalonin 37 metra lartësi në disa zona, ndërsa në qendër dhe lagjet qendrore, lartësitë janë kufizuar nga 25 në 31 metra. Delanoe, me pak fjalë, po propozon një revolucion të vogël, por kundër zgjedhësve. Sipas sondazheve, në fakt, 67 për qind e parisienëve janë kundër ndërtimit të grataçielave. Me ta bashkohen edhe të gjelbërit që kërkojnë referendum, gjë që refuzohet me ngulm nga kryetari, i sigurt se do të humbasë. Por, beteja është ende në fillimet e saj: ekologjistët mbështesin me forcë faktin se ndërtimi i ndërtesave 50 metra të larta janë kundër planit për mbrojtjen e klimës të hartuar pak muaj më parë. Ata tregojnë hapur se kanë ndërmend që të "luftojnë" edhe pas votimit të Këshillit Komunal për të penguar ngritjen e grataçielave të reja në qytet.


Intervista/ Flet arkitekti Paris Nouvel. Për të qenë modern, sot duhen projektuar ndërtesa mbi 400 metra të larta


Lartësia, si mundësi për të rilindur

Janë të shumtë ata që e mbështesin idenë e kryetarit të Bashkisë së Parisit, për të futur elementë të rinj dhe të lartë në kryeqytetin e vendit. Për shumë arkitektë, kjo është një mënyrë e mirë për të rilindur qytetin. Mes tyre është edhe Paris Nouvel, arkitekti me famë botërore dhe fituesi i çmimit "Pritzker" 2008, një lloj "Nobeli" për arkitekturën.


Prej vitesh ju keni një studio tuajën në Paris. Si e imagjinoni qytetin francez me ndërtimin e grataçielave?

Jam dakord, ose më mirë plotësisht dakord me këtë vendim. Nëse ndërtohet një pallat me lartësi më të vogël se 200 metra lartësi tani nuk e përmend askush, diskutimet nisin vetëm mbi 400 metra. Për të qenë në një hap me kohën, duhet që të kemi patjetër ndërtesa të larta.


Por në "Defence", ndërtesat do të kapin lartësinë e 300 metrave...

Po, por nuk duhet të harrojnë se "Defence" është një komunë autonome. Debati mund të ndryshojë nëse, siç pretendon Sarkozi, që të gjitha komunat parisiene do të bashkohen në një të vetme.


Me pak fjalë, ju pëlqeni një Paris të "lartë"?

Kur u ndërtua përgjatë Sienës, unë kam qenë gjithmonë për pallate më të lartë, por në të vërtetë u vendos që asgjë të mos e kalonte kuotën e 26 metrave.


Çfarë simbolizon lartësia për një qytet?

Është mënyra më e mirë për të rilindur ato zona të qyteteve të mëdha, të harruara ose të përgjumura.


Por, ambientalistët parisienë nuk janë dakord me këtë vendim..

Në të vërtetë, duhet respektuar sensi estetik dhe etik. Bukuria e grataçielës qëndron në raportin me natyrën dhe atë që e rrethon. Vetëm atëherë mund t‘ia shtojë më shumë bukurinë një qyteti.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama