Grate dhe jeta e tyre 24-oreshe
- Botuar: 14 vite më parë
- Shkruar nga:
Një jetë 24 orë pa ndërprerje. Për të plotësuar kërkesat e vajzave të çdo moshe nga 20 deri në 70 vjeç, qytetet ofrojnë parukeri, palestra, kurse gjuhe, biblioteka dhe supermarkete të hapura në pushimin e drekës apo nga ora shtatë e darkës e deri në mesnatë. Këto shërbime janë për brezin e grave “jashtë orarit”, sepse, sipas të dhënave të ndryshme, ato kanë çdo ditë një orë e gjysmë kohë të lirë më pak në krahasim me burrat apo të fejuarit. Atëherë zonjat fillojnë të jetojnë pas perëndimit të diellit.
Ky revolucion e ka origjinën në Nju Jork, Londër dhe Berlin. Por kohët e fundit është përhapur me shpejtësi edhe në vende të tjera të Europës Perëndimore. Shumë qytete nëpër shtete të ndryshme u ofrojnë guida specifike turistëve me dyqanet ku mund të bësh pazar deri në orën dy të natës, sallat universitare të hapura pas darke dhe libraritë që qëndrojnë hapur deri në orët e para të mëngjesit. Në Romë, për shembull, bashkia ka promovuar nismën “Të lexosh jashtë orarit”, ku 15 biblioteka qëndrojnë të hapura me rotacion deri në orën 22.00 dhe në fundjavë. Por në epokën e kultit të formës fizike, ndryshimi më i madh është për palestrat që funksionojnë gjatë natës.
Në pothuajse të gjitha vendet e Europës Perëndimore një numër shumë i madh palestrash qëndrojnë hapur nga ora gjashtë e mëngjesit deri në dy të natës. Orare të vona edhe për shumë kompani që ofrojnë kurse gjuhe, apo kuzhine për bashkëshortet e reja. Një tjetër mani është ajo e parukerive në orët e vona të natës, që shpesh shndërrohet në një vend të këndshëm, ku mund të pish ndonjë koktej apo të dëgjosh muzikë. Zgjedhjet janë të pafundme, mjafton të vendosësh.
“E di që puna natën të ekspozon më shumë ndaj rreziqeve për shëndetin, por është një mundësi e mirë për të fituar. Unë e hap parukerinë çdo ditë në orën shtatë të mbrëmjes deri në orën dy ose tre të mëngjesit. Klientet janë të shumta. Nuk fle më shumë se gjashtë orë gjumë, por gjithsesi jam e kënaqur. Ky lloj orari më jep mundësinë të bëj edhe ndonjë punë tjetër në pjesën e parë të ditës”, tregon Maria, një parukere franceze. Parukeria e saj gjendet në një nga lagjet më të mira të Parisit, aty ku gjenden shumë kompani të mëdha.
Ajo tregon se gratë që punojnë deri vonë zakonisht vijnë aty për t’u çlodhur, dëgjuar muzikë, për të pirë diçka, por edhe për t’u kujdesur për veten. Për të gjithë ata që punojnë pas orës 22.30 të mbrëmjes pothuajse të gjitha qytetet ofrojnë shërbimin “bus by night”, çdo fundjavë deri në orën pesë të mëngjesit, ku disa mikrobusë të vegjël të shoqërojnë për në shtëpi, pavarësisht se në çfarë zone të qytetit gjendesh. Në një lagje të Parisit prej pak kohësh është inauguruar një supermarket gjigant rreth 500 metra katrorë, i hapur 24 orë në ditë. Po ashtu shumë vende ofrojnë guida online mbi kategoritë e ndryshme të kohës së lirë nga pazari te bukuria.
Që koha e lirë është gjithmonë e më e paktë, sigurisht që nuk është sekret. Kjo sidomos për gratë që punojnë dhe kanë familje. Por ata që përfitojnë nga një revolucion, që lind edhe si pasojë e krizës ekonomike, janë edhe gratë beqare dhe burrat. Pjesa më e madhe e shërbimeve pas perëndimit të diellit janë në fakt për të gjithë. Megjithatë, sipas statistikave të OSBE-së, burrat gjatë ditës kanë 83 minuta më shumë kohë të lirë në krahasim me gratë e tyre. Po sipas studimeve, ato punojnë rreth 3 vjet e 3 muaj më shumë. Të vetmet momente larg tryezës së punës apo pa shoqëruar fëmijët në shkollë ose në kurse private, janë ato pas orës 19.00 të darkës. Ndoshta për këtë arsye bota po përjeton një bum të këtyre shërbimeve.
Punët e natës
Por nëse shumë njerëz e sidomos gratë, për shkak të mungesës së kohës, u duhet t’i kryejnë shërbimet e tyre në mbrëmje apo në orët e para të mëngjesit, një tjetër çështje është edhe ajo e atyre njerëzve që marrin përsipër të punojnë natën. Kjo lloj pune po bëhet gjithmonë e më e preferuar për të gjithë ata që ditën nuk mund të arrijnë të gjejnë dot asgjë. Për më tepër edhe për ata që ditën u përkushtohen studimeve. Pub-et, restorantet dhe fast food-et mbajnë vendet e para me numrin më të lartë të të punësuarve. Më i vogël, por gjithmonë në rritje të vazhdueshme, është numri i atyre që punojnë nëpër diskoteka dhe klube nate. Një nga arsyet kryesore të preferencës së këtyre lloj “profesioneve” të natës është edhe puna e parregullt.
Janë të shumtë të rinjtë që punësohen “në të zezë”, nëpër lokale si baristë dhe kamerierë. Shumë prej punëtorëve të natës shpesh nuk e dinë sesa rreziqe u kanosen për shëndetin. Dita në kohët e sotme nuk mjafton më për të gjitha gjërat. Për këtë arsye duhet të sakrifikojmë nga orët e gjumit për të plotësuar të gjitha nevojat që kemi, qofshin këto të vogla apo të mëdha.