Nuk bëhet fjalë për një periudhë të keqe për grekët. Ata po tronditen në thelbin e tyre dhe po tmerrohen nga kjo dhe, mbi të gjitha, nuk dinë se si do të vazhdojë kjo situatë. Qeveria sigurisht që meriton që të fajësohet pjesërisht për një situatë të tillë, sepse për gjashtë muaj, vetëm ka diskutuar në lidhje me situatën dhe vetëm tani në fund, njoftoi masat e reformës. Kjo mungesë veprimi ndikon negativisht te popullsia, sepse mbi të gjitha, grekët janë mbajtur në errësirë për situatën katastrofale në të cilën është zhytur vendi. Një tjetër pasojë e kësaj situate është se tashmë ka vetëm një mënyrë për të dalë nga kriza: nëse vendi do të reformohet, atëherë grekët duhet të vuajnë.
Gjatë 2004-2008, Bashkimi Europian i ka dhënë Greqisë miliarda euro. Mbi një e treta e forcës punëtore të vendit punojnë në ndërmarrjet shtetërore dhe gjatë gjithë vitit, 14 ditë janë pushim, festa kombëtare e të tjera si këto. Si ka mundësi që për një kohë të gjatë grekët kanë jetuar përtej mundësive të tyre reale ekonomike?
Jo gjithmonë, situata ka qenë e tillë. Unë jetoj në Athinë që nga viti 1965. Deri në fund të viteve ‘70, Greqia ishte e varfër, ndonëse një vend i respektuar. Më pas, në vitin 1981, kur Greqia u bë anëtare e Komunitetit Ekonomik Europian (EEC) mori shumë para dhe grekët fillimisht nuk dinin se si ta menaxhonin këtë sasi. As politikanët dhe as njerëzit e thjeshtë nuk kishin një ndërgjegje të qartë për këto para. Më pas, të gjitha qeveritë që erdhën në pushtet mbështetën mënyrën e jetesës mbi kredi dhe borxhe. Aktualisht kemi mbërritur në një pikë kur popullsia nuk dëshiron që të shtrëngojë rripin dhe qeveria, ndërkohë nuk mund të menaxhojë financat e saj. Ende dyshoj se qeveria ka ndërmend që të zbatojë seriozisht masat shtrënguese që sapo i ka njoftuar.
A mendoni se popullsia greke është thjesht e paaftë për të bërë autokritikë?
Kjo nuk është kriza e parë e tmerrshme nëpër të cilën po kalon Greqia, por është më e pashpresa dhe gjithsesi, ajo është e para herë kur popullsia, media dhe politikanët më në fund kanë folur hapur për shqetësimet dhe problemet. Tashmë nuk ka më iluzione.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, u ka bërë thirrje grekëve që të “bëjnë detyrat e shtëpisë” dhe industria gjermane, ndërkohë është e shqetësuar për mundësinë e përhapjes së krizës edhe në Gjermani. Sipas jush, a po e trajton Gjermania çështjen e Greqisë në mënyrën e duhur?
Si edhe shumë vende të tjera anëtare të Bashkimit Europian, Gjermania është përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe që të bindë Athinën për të ndërmarrë ndryshime. Mendoj se kjo është gjëja e duhur, sepse ne kemi nevojë urgjente për ndryshime. Grekët nuk janë ndier të fyer nga sjellja e qeverisë gjermane.
Megjithatë, gazetat greke po paralajmërojnë për një mundësi të “histerisë antigjermane”. Pas faqes së parë të revistës gjermane “Focus”, në të cilën pasqyrohej një foto jo shumë e këndshme e statujës së Venusit, një grup konsumatorësh grekë bëri thirrje për bojkotin e mallrave gjermane. Dhe më pas, Theodoros Pangalos, zëvendësministri grek, deklaroi publikisht se gjermanët morën paratë e grekëve dhe arin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kanë refuzuar gjithmonë që të paguajnë reparacionet e luftës.
I gjithë inati në fakt u përqendrua ndaj revistës “Focus” që ishte edhe shkaku i vetëm i këtij shpërthimi. Personalisht mendoj se faqja kryesore e revistës ishte pak e pakëndshme, por reagimi i politikanëve grekë ishte i ekzagjeruar. Në fund të fundit bëhej fjalë vetëm për një revistë të caktuar dhe jo me diçka të artikuluar nga qeveria gjermane. Për hir të së vërtetës, grekët kanë pasur gjithmonë më shumë simpati ndaj gjermanëve, që dikur ishin pushtuesit e tyre, se sa ndaj amerikanëve dhe britanikëve që ishin “çlirimtarët”. Por tani ky perceptim, ky qëndrim po ndryshon. Ndoshta marrëdhëniet greko-gjermane po dëmtohen dhe kjo është për të ardhur keq. Kur grekët janë në stres, sikundër ndodh tani, ata i drejtohen nacionalizmit. Fatkeqësisht ky është një mentalitet ballkanik.
Sipas “Transparency International”, mesatarja e grekëve paguan çdo vit rreth 1000 euro në ryshfete për çështje personale. Në dy vitet e fundit, këto shifra janë rritur në mënyrë të dukshme. Çfarë roli mendoni se luan korrupsioni në jetën e përditshme greke?
Korrupsioni ka depërtuar në të gjitha shtresat e shoqërisë. Nëse e vetmja mënyrë që një pacient ka për t’u kuruar në një spital shtetëror është të japë ryshfet, ky është një problem i shtetit. Në Greqi, edhe qytetari më i ndërgjegjshëm ka hequr dorë nga morali i tij dhe sot mendon se shmangia e taksave është një veprim i justifikueshëm. Ai mendon se kjo është e vetmja mënyrë për të pasur para. Nga kjo del se e gjithë shoqëria, deri në skajet e saj më periferike, ndan një faj të madh të përbashkët. Mendoj se ajo që duhet ndryshuar rrënjësisht në Greqi është mentaliteti. Por jam i shqetësuar se si gjithmonë, edhe këtë herë, do të kurohen vetëm simptomat e krizës dhe jo shkaqet e saj.
Çfarë ndryshimesh duhen bërë?
Ne kemi nevojë për një aparat të ri shtetëror, një shërbim civil që të funksionojë siç duhet dhe efikas dhe ligje antikorrupsion. Qeveria, së fundi, njoftoi disa masa që të bëjnë të shpresosh, por e rëndësishme është që ato të zbatohen në mënyrë shumë korrekte. Përndryshe do të kemi shumë shpejt një krizë tjetër. Greqia është me fat që ka ende një minoritet njerëzish produktivë dhe aktivë, të cilët duhen falënderuar për faktin se vendi nuk u shkatërrua plotësisht. Por kjo pakicë ndodhet në fund të forcave të saj. Ajo që mendoj se duhet të bëjë Greqia është që këtë herë, të ketë një trajtim drastik të problemeve të saj.