Greket shohin vetveten tek emigrantet shqiptare

Grekët shohin vetveten tek emigrantët shqiptarë
Një nacionalist grek pasi del nga burgu endet nëpër Athinë si një Uliks i kohëve moderne. Pas ecejakeve të dëshpëruara dhe pambarim ai gjen ngrohtësinë falë dashurisë së një shqiptareje, e cila është emigrante në Greqi. Kjo është fabula e filmit “Correction”, me të cilin Greqia paraqitet në konkurrimin e festivalit ndërkombëtar veror në Shqipëri. Në Greqi premiera e këtij filmi me protagonistë një burgaxhi vendas dhe një refugjate shqiptare ka qenë e zbehtë. “Ata pak njerëz që e kanë parë e kanë pëlqyer”, thotë regjisori, i njohur grek Thanos Anastopoulos, i cili kërkon revanshin në Festivalin e Durrësit. Ai ka bërë një film global me të cilin prek tema të mprehta ballkanike. “Ka një problem me emigrantët në Greqi. Vendasve nuk u pëlqen përzierja dhe në ato lagje të Athinës ku banojnë emigrantët, grekët po largohen”, tha Anastopoulos paraditen e djeshme gjatë konferencës për shtyp.

Sipas tij, në një film nuk ka asnjë rëndësi buxheti. “Unë personalisht nuk besoj tek buxheti i madh apo i vogël. Për mua nuk ka rëndësi nëse filmi bëhet me kamera dixhitale apo me regjistrime celulari. Është komunikimi me sytë e publikut ai që vendos dhe jo paratë apo kamerat”, komentoi regjisori grek, sipas të cilit filmat janë një formë komunikimi. “Ato kanë mundësi të promovohen. Një film është si një mesazh. Ai i ngjan një shisheje në det të hapur. Ja pse shumica e festivaleve ndodhen pranë detit apo lumit. Filmi udhëton”, shton regjisori, duke treguar më tej një tjetër të vërtetë për popullin helen. “E vërteta është që grekët shohin vetveten tek emigrantët shqiptarë. Kjo i ngjet si një pasqyrë për ta, por grekët kanë vështirësi të madhe në pranimin e këtij imazhi. Filmi flet për idenë e identitetit. Ai ka të bëjë me faktin që të pranojmë disa gjëra që më parë nuk i pranonim”, u shpreh Anastopoulos. Ndërkohë regjisori kërkon publikimin e filmit të tij në Shqipëri. “Dua që filmi im të shihet këtu”, tha ai, duke shtuar se pret telefonatën e ndonjë rrjeti kinemash apo televizioni për të marrë të drejtën e transmetimit.

Por Festivali i Durrësit zbulon përmes konferencave të shtypit vlerësimet e kritikëve të njohur botërorë në fushën e kinemasë. Marian Tutui nga Rumania shpreh vlerësimin për garën spektakolare të filmave që po zhvillohet. Ai njëkohësisht deklaron se “filmi shqiptar po konkurron denjësisht dhe si i barabartë me prodhimet e huaja kinematografike”. “Jam i interesuar në filmin ballkanik. Eshtë hera e dytë që vij në Shqipëri. Kam ardhur më parë në vitin 1999. Shpresoj që mes 16 filmave të përzgjedhim më të mirët.

Nuk është e thjeshtë të organizosh një festival filmi”, tha në konferencën për shtyp Tutui. Sipas tij, filmi ka emocion në sallë kinemaje dhe jo në DVD, apo videoregjistratorë. “Presioni ideologjik pati ndikim negativ në kinematografinë tuaj. Pas rënies së komunizmit, Shqipëria ka pasur të njëjtin problem si Rumania, mungesën e parave të eksperiencës etj. Disa filma të mirë shqiptarë janë “Tirana viti zero” dhe “Slogans”, e cila është një komedi. Të qeshësh është mënyra e të thënit “lamtumirë” diçkaje të keqe që ke lënë prapa, ndaj dhe “Slogans” është i arrirë”, është shprehur ndërkaq kritiku rumun.

Durrësi është shndërruar këto ditë në kryeqendrën mesdhetare të kinemasë. Në ditët në vijim priten konkurrimet e filmave nga Turqia, Italia, Iraku, Shqipëria dhe Norvegjia. E dje në mbrëmje në teatrin “Aleksandër Moisiu” është shfaqur filmi italo-francez “Life Sentence” me regji të Davide Barletit. Filmi flet për përpjekjet e një grupi mafioz të ri, të cilët përpiqen të vendosen në një zonë të varfër dhe të fshehtë të Italisë, mund të mos zgjasin për shumë vite, por këto kohë të tmerrshme gjakderdhjeje, vrasjesh, kaosi shkaktojnë shumë të vdekur dhe dhimbje. Ky grup kriminelësh në Salerno të viteve 1980 do të bashkohet edhe me një njeri të shtresës mesatare të shoqërisë, ku do të fundosen në ferrin e heroinës, bixhozit dhe krimit të organizuar. E krahas tij është shfaqur edhe filmi shqiptar me regji të Besnik Bishës “Mao ce Dun”. Festivali do të mbyllet më 31 gusht. Deri atëherë askush nuk e di se cilit shtet do t’i shkojë statuja e “Gladiatorit të artë”, pasi gara mes filmave dhuron emocione të mëdha. Në të tilla raste parashikimi për fituesin mbetet një bast i vështirë.

“Koha e kometës”

Kritikët shikojnë si një ndër pretendentët për çmimin e madh të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, bashkëprodhimin shqiptaro-gjerman “Koha e kometës”, një variacion mbi novelën e Ismail Kadaresë “Viti i mbrapsht”. Në një nga rolet kryesore ishte Blerim Destani, i cili ndihet i gëzuar që premiera e filmit pati një sukses të jashtëzakonshëm në ditën e parë të festivalit, ashtu si 8 muaj më parë në premierën e Berlinit, kur u prit shumë ngrohtë nga kritika e huaj. Ai ka besim se “Koha e kometës” do të jetë më i vlerësuari në këtë event artistik, duke u shprehur se është filmi më i kompletuar i kësaj gare. Ne do ta fitojmë çmimin e madh”, thotë Blerim Destani. Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1914, kur Shqipëria drejtohej nga Princ Vidi. Një histori lufte, por edhe bashkëjetese fetare.

“Mirush”

Një nga filmat që pritet të shfaqet sot në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës është edhe filmi norvegjez, me titull “Mirush”. Është një film më histori shqiptare, dhe flet për Mirushin, një djalë nga Kosova, i cili largohet drejt Norvegjisë, me shpresën për të gjetur të atin, që braktisi familjen e tij shumë i ri. I ati, menaxhon një restorant në Oslo, por gjithashtu i ka një borxh të madh mafies shqiptare. Mirushi fillon të punojë në restorantin e babait të tij, por pa i treguar që është djali i tij. Gjatë kohës ata njihen me njëri-tjetrin, por Mirushi nuk e përballon dot atë çka zbulon për të atin. Ai është i detyruar të bëjë një zgjedhje me pasoja për të dy. Filmi është realizuar në 35 mm nga regjisori Marius Holst dhe zgjat 100 minuta.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama