Parlamenti grek miratoi sot një paketë të dytë reformash të kërkuara nga kreditorët si parakusht për një plan të ri ndihme, pavarësisht rrjedhjeve në kampin e kryeministrit Aleksis Cipras.
Projektligji i miratuar përfshin reforma në drejtësinë civile, skemën e mbrojtjes së depozitave bankare si dhe masat për të mbështetur likuiditetin e bankave.
Sipas numërimit përfundimtar, 230 deputetë nga 298 të pranishëm votuan pro miratimit të paketës, kundrejt 63 votave kundër dhe 5 abstenim.
31 ishte numri i deputetëve që votuan kundër nga radhët e Syrizas, nga 32 që ishin javën e kaluar. Ish-ministri i Financave, Janis Varufakis, që votoi kundër javën e kaluar, këtë herë dha votën pro.