Greqi-Shqiperi nje bilete vetem per kthim

Greqi-Shqiperi, nje bilete vetem per kthim

Për shkak të krizës financiare në Greqi, rreth 200 mijë emigrantë shqiptarë, kanë vendosur të lënë shtetin helen dhe të kthehen në atdheun e tyre. Kjo është një zgjedhje e vështirë për ata të rinj, të cilët janë  përshtatur shumë mirë në Greqi dhe tani do t’i duhet të jetojnë në një ambient, të cilin nuk njohin shumë mirë. Kështu e ka nisur shkrimin e përditshmja greke “Ta Nea”, kushtuar të rinjve shqiptarë, të cilët kanë jetuar në Greqi për vite me radhë. Shkrimi bën fjalë për një djalë shqiptar, i cili prej vitesh bashkë me familjen jetonte në Greqi. Por tani, në pamundësi për të mbijetuar atje, ata janë kthyer në Tiranë. Djali i quajtur Kristos, kur është kthyer në Shqipëri të gjithë e quanin “Grek”.

Familja e Kristos vendosi të shpërngulej në Shqipëri, pasi babai i tij, murator mbeti rreth 6 muaj pa punë, ndërsa nëna tij, punonte ndonjë punë të vogël, duke pastruar ndonjë shtëpi ose duke shitur libra, por të ardhurat e tyre nuk ishin të mjaftueshme.

E gjithë sfida e kthimit ishte për Kriston, pasi ai kishte lindur edhe ishte rritur në Lagonisi, një qytet bregdetar në shtetin fqinj. Ai ishte shkolluar në Greqi, që nga kopshti deri në shkollën e lartë, kishte krijuar një shoqëri të tijën dhe e njihet shumë mirë ambientin ku jetonte. Por, kthimi në Tiranë për të ishte sikur, të shkonte në planetin Mars. 

Ai nuk di as të lexojë dhe as të shkruajë në gjuhën shqipe. Por, çfarë klase duhet të shkojë ai? Në klasën e parë, atje ku duhet të nisë të mësojë gjuhën shqipe?

Shkrimi flet edhe për miqtë e Kristos, i cili thotë se në Shqipëri nuk përshtatet dot, pasi të gjithë shokët e tij janë atje, në Greqi. Sipas Kristos rrugët e Tiranës janë të rrezikshme, natën nuk qëndron dot gjatë, shkollat janë të çrregullta. Ndërsa në Lagonisi, Kristos mund të rrinte gjithë natën jashtë dhe nuk i kanosej asnjë rrezik, pasi vendi ishte i qetë dhe njerëzit ishin të kulturuar. Kristos thotë se nuk di si ta organizojë kohën, pasi Tiranës i mungojnë ambientet argëtuese. Ndërsa në qytetin e tij të lindjes, ai e kalonte kohën pa shpenzuar shumë dhe duke u argëtuar me miqtë e tij.

Gazeta thotë që Kristos, është një nga mijëra fëmijë të emigrantëve shqiptarë, të cilët për shkak të krizës financiare duhet të kthehen në Shqipëri dhe të përballen me sfida të reja.  Sipas zyrës greke që nga mesi i vitit 2004 -2012 janë regjistruar rreth 104.225 fëmijë, të lindur nga prindër shqiptarë, të cilët kanë emigruar në shtetin fqinj për një jetë më të mirë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama