Policia greke ka zbuluar një ngjarje makabër. Një 30-vjeçar është arrestuar pasi ka vrarë me armë gjahu një shqiptar dhe më pas e ka varrosur trupin e tij afër shtëpisë. Ngjarja ka pasur si zanafillë shitblerjen e një makine. Viktima, 31-vjeçari shqiptar, i ka shitur grekut një makinë 2 200 euro. Shqiptari ka marrë 500 euro dhe pjesa tjetër i është premtuar se do t’i kthehej në një çast tjetër. Më 18 shtator, shqiptari ka shkuar të takoi shtetasin grek për t’i kërkuar paratë e prapambetura por ka marrë dy plumba në kokë.
Pas kësaj, ai e kishte mbështjellë trupin e viktimës me një batanije dhe kishte hapur një gropë pas banesës së tij. Aty kishte futur trupin e shqiptarit. Ndërsa makinës i ishin bërë disa modifikime me qëllim që të mos identifikohej nga policia. Por nuk përfundon këtu. Autori i krimit ia kishte rrëfyer ngjarjen një polici, por ky i fundit nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim ndaj tij. Madje edhe e ka strehuar vrasësin në shtëpinë e tij. Për këtë policia ka arrestuar edhe oficerin e përfshirë në këtë ngjarje.