Gjykata në Athinë ka dhënë masën arrest me burg për kreun e partisë ekstreme greke, Agimi i Artë, Nikos Mihaloliakos. Ai është akuzuar për krijimin edhe drejtimin e një organizate kriminale. Mihaloliakos mohoi akuzat dhe e cilësoi procesin “persekutim politik”. Ai mohoi të jetë simpatizant i nazistëve. Mihaloliakos tha se dënon dhunën dhe shprehu keqardhjen për vrasjen e Pavlos Fissas. Lideri i Agimit të Artë argumentoi se thirrjet telefonike të regjistruara natën e vrasjes së këngëtarit, të kryera nga organizata lokale e partisë me telefonat fikse, përfshijnë numrat që Mikaloliakos i ka në zyrat e partisë.
Sipas akuzës, Nikos Mihaloliakos ishte koordinatori i veprimeve të paligjshme të organizatës, kështu që dinte gjithçka që ishte planifikuar. Hetuesit e çështjes dhe dy prokurorët, komunikuan të njëjtën masë edhe ndaj shefit të degës lokale të Agimit të Artë për Nikean, Jorgos Patelis, i cili implikohet në çështjen e vrasjes së këngëtarit Pavlos Fissas. Si Mihalolakos, ashtu edhe Patelis e Lagos, mbahen në qelitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, në pritje të transferimit në burgun e Koridhalos.
Gjatë kohës që Mihaloliakos po dëshmonte, para gjykatës ndodheshin bashkëshortja dhe e bija e tij, si dhe rreth 50 përkrahës të Agimit të Artë. Dje në mbrëmje, njëkohësisht me Mihalolakos, në gjykatë u çuan edhe 5 pjesëtarë të tjerë të organizatës. Të arrestuarit u pritën nga mbështetës të Agimit të Artë që bërtisnin “Gjak, nder, Agimi i Artë”. Mes tyre ndodheshin edhe deputetët e Agimit të Artë, që ishin lënë të lirë mëngjesin e djeshëm. Sot në mesditë pritet të dëshmojë deputeti i Agimit të Artë, Kristos Papas.