Me 178 vota pro të radikalëve të majtë, përfshi edhe “Grekët e Pavarur”, si dhe të Agimit të Artë dhe 120 vota kundër, Parlamenti grek ka miratuar kërkesën e Qeverisë “Tsipras” për të zhvilluar referendum ditën e diel në datën 5 korrik.
Brenda një jave, grekët duhet të informohen dhe të vendosin nëse pranojnë apo jo propozimin e huadhënësve të Athinës. Është e domosdoshme, që pjesëmarrja të tejkalojë shifrën prej 4 mln votuesish, në mënyrë që rezultati të jetë i ligjshëm. Kryeministri Tsipras ka kërkuar nga qytetarët të përgjigjen me një “Jo” krenare, ndaj nënshtrimit që kërkojnë kreditorët e Greqisë me reformat e tyre të ashpra.
“Nuk do të kërkojmë - nga vendi ku lindi demokracia - lejen nga zotërinjtë Schaueble apo Dijsselbloem për t’i dhënë fjalën vullnetit të popullit. Ne nuk do të kërkojmë leje nga Schaueble dhe Dijsselbloem për të mbrojtur demokracinë në vendlindjen e saj. Referendumi, që populli të vendosë mbi të ardhmen e tij në mënyrë sovrane, do të zhvillohet normalisht të dielën tjetër, duan apo nuk duan partnerët tanë. Populli grek do të vendosë dhe të gjithë ne do të respektojmë vullnetin e tij, cilido qoftë ai”, tha kryeministri grek, Aleksis Tsipras.
Nga ana e tij, kreu i konservatorëve e ka akuzuar kryeministrin grek për dështimin e plotë të qeverisë së tij, duke rrezikuar daljen e vendit nga Eurozona.
“Ajo, që do të vendosë populli grek, është të thotë ‘Po’ ose ‘Jo’ ndaj Europës dhe euros. Po e them që në fillim, qartë dhe në të gjitha kuptimet: duam që ne, grekët, të jemi qëndrueshmërisht në zemër të Evropës”, tha Antonis Samaras, kreu i Demokracia e Re.
Ndërkohë Eurogrupi, që për herë të parë ka nxjerrë jashtë gjatë samitit të tij ministrin grek të Financave, ka kundërshtuar të japë një shtyrje disaditore të programit të ndihmës për Greqinë, që mbaron në këtë mënyrë në datën 30 qershor, teksa ekonomia e vendit si dhe sistemi bankar ndodhen tashmë në një boshllëk tepër të rrezikshëm. Rol të rëndësishëm në ditët në vijim luan vendimi i BQE-së për likuiditetin e bankave greke, kur flitet për vendosjen e sistemit të kontrollit të kapitalit, për të parandaluar rrjedhjen masive të parave nga institucionet financiare të vendit.
Megjithëse ka disa deklarata për mbështetjen e Greqisë, që ajo të mos largohet nga Eurozona dhe vihen re disa lëvizje të udhëheqësve europianë për një samit të jashtëzakonshëm të BE-së, ministri gjerman i Financave, në dy intervista të orëve të fundit është shprehur se çdo gjë varet nga grekët, por politika e Tsiprasit e vështirëson situatën.
Zhvillimet në Greqi janë tema e parë në gjithë mediet e huaja, ku midis të tjerash veçohet titulli i “Financial Times”: Mos lejoni që Greqia të bëhet si Bosnje-Hercegovina, apo si Siria.