Greqi qytetaret ndihmojne njeri-tjetrin per te perballuar krizen

Greqi, qytetaret ndihmojne njeri-tjetrin per te perballuar krizen
Iniciativa të ndryshme kanë nisur në Greqi ku qytetarët ndihmojnë njëri tjetrin për të përballuar krizën ekonomike që ka goditur vendin, përmes produkteve apo shërbimeve falas. Kështu tregjet sociale po lulëzojnë anë e mbanë Greqisë. I tillë është edhe tregu në bashkinë e Ilioupolit pranë Athinës, i mbushur me produkte të dhuruara nga kompanitë greke ose të sjella nga stafi i bashkisë me rrogat e tyre që shiten shumë më lirë se në vendet e tjera. Një shitës thotë se në këtë vend, vijnë shumë familje, veçanërisht ato me shumë fëmijë apo pensionistët. E njëjta bashki ka hapur edhe një farmaci sociale me ilaçe falas të dhuruara nga kompanitë farmaceutike, kishat apo dhe vetë qytetarët.

Gjithashtu një rrjet kinemash ka ofruar hyrje falas për të papunët, ndërsa jep dy bileta me çmimin e njërës në ditët e javës. Edhe ekspozitat e artit apo teatrot po ofrojnë gjithashtu bileta falas për personat e papunë. Websajte të ndryshme ndërkohë kanë nisur iniciativa bamirëse duke koordinuar individët bizneset dhe organizatat. Edhe disa prej furrave të bukës, janë bërë pjesë e këtyre iniciativave , duke u dhuruar tek organizata që kujdesen për fëmijët e familjeve në vështirësi.

Një tjetër bashki, ajo e Zografou-t, në rrethinat e Athinës përgatit vakte për më shumë se 200 familje nga produktet e dhuruara prej organizatave jo qeveritare. Po kështu janë hapur edhe kuzhinat e supës apo pazaret e shkëmbimit ku njerëzit shkëmbejnë sendet personale pa paguar para. Papunësia në Greqi ka arritur tashmë në 18 % që nga fillimi I krizës vitin e kaluar, ndërsa rrogat, pensione dhe përfitimet e tjera sociale janë reduktuar duke detyruar një pjesë të mirë të njerëzve të kërkojnë ndihmë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama