Greqia do te sjelle zemren e Ilia Karelit

Greqia do te sjelle zemren e Ilia Karelit

Të paktën dy orë për secilin kanë zgjatur dëshmitë e katër rojeve të para që janë thirrur për të dëshmuar para hetuesisë greke. Është hera e dytë që ata u thirrën për të dëshmuar, pasi herën e parë janë njohur me aktakuzën dhe kanë kërkuar afat për të përgatitur bashkë me avokatët e tyre mbrojtjen ligjore.

Pasi të kenë mbaruar të tetë dëshmitë, hetuesia do të këshillohet me prokuroren e çështjes dhe do të japin, sipas vlerësimeve nga burime brenda gjykatës, masën e arrestit për këta persona. Ata akuzohen për vdekjen e një të burgosuri nga tortura sistematike dhe të vazhdueshme mbi të, për ushtrim dhune ndaj një personi dhe përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.

Prej mëngjesit të së martës janë çuar edhe thirrjet për shtatë të akuzuarit e tjerë që pritet të dëshmojnë në ditët në vijim. Ndërsa për sa i përket drejtorit të burgut, ai përballet me akuzën e fshehjes dhe mosdenoncimit të krimit të kryer në institucionin që ai drejton, por edhe për të nuk është çuar thirrje nga hetuesia për të dëshmuar. Ajo që thuhet se është e sigurt, pasi konsiderohet si ligj i shtetit, është që pas kësaj ngjarjeje të rëndë, shumica e nëpunësve të burgut të akuzuar do të humbasin vendin e punës.

Vlen të përmendim se procesi është zhvilluar nën masa të rrepta të forcave policore që nuk lejonin regjistrimin e pamjeve brenda dhe jashtë gjykatës, afrimin e gazetarëve apo të afërmve të të akuzuarve pranë zyrës së hetuesisë.

“Top Channel” ka siguruar të gjithë emrat e 15 gardianëve të burgut që implikohen në këtë çështje. Burime pranë policisë greke bëjnë se kanë lajmëruar Ambasadën Shqiptare në Athinë dhe Konsullatën Shqiptare në Selanik nëpërmjet një faksi që të marrin në dorëzim zemrën e Ilia Karelit që i është hequr atij për arsye autopsie nga mjekët ligjorë, si dhe disa inde të pjesëve të ndryshme të trupit të marra për të njëjtin qëllim.

Që prej mëngjesit të ditës së martë, gjykata greke në qytetin e Serresit ka nisur një seancë maratonë të dëgjimit të dëshmive të 8 prej 15 gardianëve të akuzuar për vrasjen e shtetasit shqiptar Kudret Kume, i njohur ndryshe si Ilia Kareli.

Hetimet

Drejtori i burgut do të përballet me akuzën e fshehjes së krimit. Ajo që është e sigurt është se të gjithë rojat humbasin punën


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama