Greqia mbyll bankat troket falimentimi

Greqia mbyll bankat, troket falimentimi

Nga sot e deri më datën 5 korrik (dita kur do të zhvillohet referendumi), bankat greke do të qëndrojnë të mbyllura. Vendimi i marrë ditën e djeshme nga pala greke erdhi pas vendimit të Bankës Qendrore Evropiane se nuk do të shtojë fondin e emergjencave për bankat greke. Për një javë në shtetin helen nuk do të shpërndahen pará (përveç pagesave të domosdoshme) dhe kjo thirrje, sipas autoriteteve greke, bëhet për të shmangur kolapsin e një dyndjeje masive në to. Lajmi u bë i ditur pasditen e djeshme nga Shefi Ekzekutiv i bankës së dytë më të madhe në Greqi, “Piraues Bank”, Anthimos Thomopoluos.

Sipas tij, ky vendim është marrë pas një takimi të komisionit për stabilitet financiar të qeverisë. Banka Qendrore Evropiane deklaroi se, megjithatë është e gatshme ta rishikojë vendimin e saj dhe të bashkëpunojë me Bankën e Greqisë. Tavani aktual për fondet e emergjencës së BQE-së apo asistencën e likuiditetit, siç njihet ndryshe, është 89 miliardë euro. Fondet në fjalë përdoren nga bankat për t’u siguruar “cash” depozituesve, të cilët kërkojnë të tërheqin paratë e tyre. Lëvizja e Bankës Qendrore Evropiane vjen pas refuzimit të ministrave evropianë të Financave për të shtyrë afatin për pagesën e këstit nga qeveria greke.

Mungesa e fondeve të reja mund të sjellë falimentimin e Greqisë, ndërkohë që shteti, për të dalë nga kjo situatë, duhet t’i paguajë 1.6 miliardë euro Fondit Monetar Ndërkombëtar brenda ditës së nesërme (dita kur skadon shpëtimi i Greqisë). Me këtë situatë që po kalojnë, fqinjët tanë rrezikojnë të dalin nga zona euro. “Është mëse e qartë se këto vendime nuk kanë synim tjetër veç shantazhimit të vullnetit të popullit grek dhe të pengojnë procesin e butë e demokratik, referendumin. Por nuk do t’ia dalin. Kjo do të sjellë krejtësisht të kundërtën, populli grek do të jetë edhe më i vendosur në zgjedhjen e tij për të refuzuar propozimet e papranueshme të kreditorëve”.

Falimentimi

Prej 5 vitesh Greqia duket se i ka bërë ballë krizës permanente që mbërtheu vendin në vitin 2009. Por, sot vendi duket se po jeton ditën më të vështirë të tij, teksa gjendet pranë humnerës së falimentimit. Teksa dy ditë më parë, me mijëra qytetarë grekë iu drejtuan bankave për të nxjerrë depozita e tyre, duket se referendumi i shpallur më datën 5 korrik do të ruajë normalitetin e situatës, edhe me thirrjen e kryeministrit të vendit. Eurogrupi hodhi poshtë kërkesën e qeverisë greke për të zgjeruar programin e saj të shpëtimit, deri të dielën, duke e bërë më të afërt se kurrë më parë gjatë këtyre viteve probabilitetin e daljen nga eurozona, teksa mbijetesa e bankave greke varet nga huadhëniet emergjente të Bankës Qendrore Evropiane. Por çfarë ndodh, nëse shteti grek do të falimentojë.

Duke e cilësuar si katastrofë, ekspertët e ekonomisë botërore parashikojnë që shteti juglindor i Evropës lë eurozonën në kaos, në mes të demonstratave dhe thellimit të mjerimit për shumicën, me qeverinë duke fajësuar gjermanët për çdo gjë. Asnjë ndihmë nuk është dhënë për të mbështetur dhe për të mbajtur situatën nën kontroll dhe realizuar pagesën ndaj FMN-së. Ekonomia e Greqisë zhytet në një depresion të dytë. Falimentimi më i madh në historinë e kapitalizmit drejton Evropën përsëri në një recesion dhe në një mal me presione mbi vendet e rrezikuara të euros. Rrëmuja hedh dyshime mbi anëtarësimin e Greqisë në NATO. Megjithë zhvillimet e fundit, një kthesë e papritur e orëve të fundit, mund t’i japë tjetër drejtim shtetit që udhëhiqet nga Cipras.

Kreu i SYRIZA-s, i cili fitoi zgjedhjet e janarit duke premtuar se do të ndreqë kushtet e vështira të kredive dhe të shpëtojë vendin, “kapitullon” ndaj kërkesave të kreditorit dhe nis me masat e uljes së pagave dhe shkurtimit të pensioneve. Të ballafaquar me një zgjedhje, ndërmjet dëbimit efektiv nga eurozona ose zbatimit të masave shtrënguese në këmbim të kredive, Cipras zgjedh të marrë paratë, ndërsa BQE vijon mbështetjen e saj ndaj sistemit financiar. Por, ndërsa liderët evropianë duket se i kanë larë duart me problemin grek, duke e lënë në dorë të institucioneve, qeveria amerikane ka lëvizur për të parandaluar ndoshta përforcimin e marrëdhënieve ruso-greke. Sekretari amerikan i thesarit, Xhej Lju, mësohet se i ka telefonuar menjëherë krerëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, por edhe përfaqësuesve të lartë gjermanë e francezë për t’i shtyrë që të riulen sa më shpejt në bisedime me negociatorët grekë.

Kriza

Ndonëse shteti grek prej disa vitesh po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri për sa i përket stokut të investimeve të huaja direkte për vitin 2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Greqia ka një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40 për qind në raport me një vit më parë, ku vendin kryesor e zënë telekomunikacionet. Nëse shteti grek vijon të bjerë më shumë në krizë, efekti do të ndihet dhe në investimet e huaja në Shqipëri, qoftë në fluksin e ri të investimeve, ashtu dhe në daljen e të ardhurave nga investimet në formën e transferimit të fitimeve, që është rritur ndjeshëm vitin e fundit, teksa kompanitë bija do të tentojnë t’u vijnë në ndihmë mëmave.

Kthesa e Cipras, referendumi i dytë

Ditën e djeshme, Parlamenti grek ka miratuar mbajtjen e referendumit të datës 5 korrik, të paralajmëruar dy ditë më parë nga kryeministri Cipras. Ndër 298 ligjvënës të pranishëm në votim, 178 prej tyre kanë qenë pro mbajtjes së referendumit dhe 120 të tjerë kundër. Ndërkohë menjëherë pas këtij zhvillimi, drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Lagarde ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me referendumin e datës 5 Korrik. “Ligjërisht, ky referendum u referohet marrëveshjeve dhe propozimeve që nuk janë më të vlefshme në atë datë”, mësohet të jetë shprehur Laggarde. Përballë ligjvënësve grekë, Cipras deklaroi se ky referendum nuk përkthehet domosdoshmërisht në një thyerje të marrëdhënieve me Evropën dhe kreditorët, dhe se një marrëveshje e mundshme është ende në tavolinë.

Por në terren, në shtëpitë dhe rrugët e Greqisë, sondazhi i fundit nënvizon faktin se dy të tretat e grekëve janë pro qëndrimit në zonën e monedhës së përbashkët evropiane, dhe 57.5 për qind e tyre janë të mendimit se qeveria e drejtuar nga Aleksis Cipras duhet të sprapset për të arritur një marrëveshje me kreditorët. “Ishte e pritshme se situata do të vinte deri në këtë pikë. Ishte e qartë që në momentin që asnjë prej palëve nuk pranonte të tërhiqej. Ne nuk mund të përballojmë masa shtrënguese edhe për më shumë. Tashmë gjërat janë tepër të vështira, do të shohim çdo të ndodhë”, shprehet një qytetare.

“Mendoj se gjithkush është i shqetësuar. Çdo shtet ku do të ndodhte diçka e tillë do të ndihej si ne. Situata është tepër e vështirë”, shton ajo. Skadenca e ndihmës nga kreditorët shënjon datën 30 Qershor dhe presidenti i BQE, Mario Dragi, do të vendos më 1 Korrik nëse do të vazhdojë programin e financimit për shtetit helen, ndërsa referendumi i qeverisë mbahet në datën 5 Korrik. Ngjarje të ngjeshura për një Evropë komplekse dhe një Greqi në një situatë të vështirë. Për të disatën herë evropianët duhet të vlerësojnë pjesën greke brenda tyre. Menjëherë pas samitit në Bruksel kancelarja gjermane bëri edhe një herë thirrje, që Athina duhet të pranojë ofertën e kreditorëve, e cila sipas saj është jashtëzakonisht bujare. Vetëm disa orë më vonë erdhi përgjigja: Aleksis Cipras njoftoi për referendumin në një fjalim televiziv dhe i rekomandoi popullit të tij që ta refuzojë propozimin.

Nga këndvështrimi diplomatik kjo është paturpësia më e madhe, që mund të imagjinohet. Sepse në mesditën e së njëjtës ditë ai kërkoi edhe një herë biseda private me Merkel dhe me presidentin francez Hollande. Nga sa bëhet e ditur ai nuk u kishte treguar asgjë nga planet e tij atyre të dyve. Pastaj në mbrëmje pati një telefonatë me Berlinin, që nuk ndryshoi më asgjë. Ndërsa Angela Merkel deklaroi se ka akoma shpresë për një rezultat pozitiv, homologu i saj grek duhet ta kishte përpiluar prej kohësh planin, për të hedhur në erë bisedimet shumëmujore.

Shqipëria mund të përfitojë nga situata

Bankat në vendin tonë, por edhe shteti vetë, nuk janë të rrezikuara nga falimentimi i Greqisë. Edhe pse gjasat janë që shteti fqinj të përfundojë në “humnerë”, ekspertët shqiptarë sqarojnë, duke qetësuar shqiptarët, se depozitat e tyre në bankat greke që operojnë në Shqipëri janë të sigurta. Fakti që bankat greke, që nga viti 2009 janë të shkëputura nga mëmat e tyre, duke mos krijuar lidhje varësie, do të thotë se ato kanë kapitalin e tyre, çka nuk duhet të alarmojë shqiptarët. Duke e konsideruar të pritshëm vendimin e Eurogrupit për të mos shtyrë afatin e shlyerjes së këstit të radhës nga Greqia, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, dhe eksperti i ekonomisë, Olti Rrumbullaku theksojnë se kemi të bëjmë me një situatë që shkon pranë ekstremit, në të cilën i mbetet Eurogrupit të bëjë lëvizjen e duhur.

“Fakti që qeveritë e ndryshme në Greqi e kanë përdorur referendumin si një element për të bërë presion, atëherë është mirë të bëhet kësaj radhe e përfundimisht të ndahet. Pasi paqartësitë në tregjet e kapitaleve do e bëjnë më të rëndë situatën. Ata që e paguajnë janë taksapaguesit grekë”, citon Malaj. Por, sipas ekspertëve, në një fazë të parë, Shqipëria mund të përfitojë nga vala e largimit të parave nga Greqia, duke pritur një pjesë të tyre, siç ndodhi në qershor 2012, kur depozitat në valutë në sistemin bankar shqiptar shënuan një rritje të fortë mujore, jo sezonale, me rreth 6.5 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, më e larta e viteve të fundit. Rritja, në pjesën më të madhe erdhi nga largimi i depozitave nga bankat greke, si rrjedhojë e frikës së daljes së Greqisë nga euro në prag të zgjedhjeve të asaj kohe. Me emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët vlerësohet se kanë kursime që arrijnë deri në 2 miliardë euro, një pjesë e parave të larguara nga shteti fqinj ka ardhur gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama