Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, i ka thënë ish-presidentit amerikan, Bill Klinton, se vendi i tij ndodhet në “depresion të madh”, ashtu si SHBA në vitet 1930. Komenti i Samarasit vjen dy ditë pasi ekipi i trojkës evropiane mbërriti në Athinë dhe kërkoi masa të tjera shtrënguese, që vendi të plotësojë kushtet për marrjen e huasë për shpëtim, që do të shmangë falimentimin kaotik. Athina, nga ana e saj, ka kërkuar masa më lehtësuese për borxhin prej 130 miliardë euro, të arritur në marsin e vitit të kaluar, në mënyrë që të ulet ndikimi në gjendjen ekonomike, e cila është më e keqja që pas daljes nga lufta.
“Ju keni kaluar Depresionin e Madh në SHBA”, i tha Samaras, Klintonit. “Kjo është saktësisht ajo që po kalon aktualisht Greqia, është versioni ynë i Depresionit të Madh”. Greqia duhet të ulë deficitin e buxhetit poshtë 3% të GDP deri në fund të vitit 2014 nga 9.3% që e kishte në vitin 2011. Kjo gjë kërkon një tjetër shkurtim të shpenzimeve me 12 miliardë euro dhe taksa më të larta. Duke theksuar zhgënjimin në rritje ndaj Athinës, revista gjermane "Der Spiegel" ka raportuar, pa cituar burime, që FMN-ja nuk mund japë financime shtesë për Greqinë. Ministrat e Financave të Gjermanisë dhe Greqisë nuk kanë komentuar një lajm të tillë. Klinton, nga ana e tij, kritikoi liderët e Greqisë për fokusim tek shkurtimet ekstreme, duke thënë se Athina do mund ta paguajë borxhin, nëse së pari arrin të sigurojnë rritje ekonomike.
Der Spiegel
Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk do të japë më ndihma financiare për të ndihmuar Greqinë, pasi ajo nuk ka aftësi të paguajë borxhin në shtator. Revista gjermane citon zyrtarë të paidentifikuar të Bashkimit Evropian për një lajm të tillë. FMN, BE dhe Banka Evropiane Qendrore kanë bërë të qartë se Greqia nuk është në gjendje të përmbushë 100% premtimet e saj, për të ulur borxhin me 120% deri në vitin 2020. Mosplotësimi i këtyre detyrimeve do të thotë se Greqia ka nevojë për 10 deri në 50 miliardë euro ndihmë shtesë.