Festa e Shën Mërisë më 15 gusht është kulmi i pushimeve të verës për ortodoksët grekë në të gjithë botën. Në Greqi, në një nga kishat e shumta të vendit, besimtarët i luten Virgjëreshës Mari për mëshirë. Pjesa më e madhe e tyre janë gjunjëzuar dhe me duart para fytyrës duken si të përhumbur në meditim. Gazeta greke “Ta Nea” në një shkrim të saj të fundit i ka rekomanduar edhe qeverisë greke që të bëjë të njëjtën gjë, pra t’i lutet Shën Mërisë me shpresën se ajo do të bëjë ndonjë mrekulli për të shpëtuar Greqinë nga kriza shumë e rëndë në të cilën është zhytur. Sipas gazetës, por edhe sipas shumë të tjerëve pa një ndërhyrje hyjnore do të jetë e vështirë që këtë vjeshtë shteti mesdhetar t’u mbijetojë vështirësive të shumta ekonomike me të cilat po përballet. Ky parashikim i rëndë vjen pavarësisht masave të stërmëdha dhe stërmundimshme që ka ndërmarrë Athina për të shpëtuar financat e vendit. Masat drakoniane të shkurtimeve të shpenzimeve e kanë reduktuar deficitin buxhetor të vendit me 39.7%, kjo pasi qeveritë e mëparshme kishin abuzuar me paratë e taksave duke mashtruar edhe me statistikat për vite të tëra rresht. Masat kanë reduktuar shpenzimet e qeverisë me një total prej 10%, 4.5% më shumë nga sa kishin kërkuar Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar që i dhanë Greqisë disa muaj më parë një kredi shpëtimtare 110 miliardë eurosh për tre vjet rresht.
Problemi aktualisht është se pikërisht masat e rrepta që u morën për të reduktuar deficitin buxhetor kanë prekur rëndë ekonominë e vendit. Fuqia blerëse ka rënë më shumë se kurrë, konsumi është ulur ndjeshëm dhe numri i falimentimeve dhe i të papunëve është në rritje të vazhdueshme. Prodhimi Kombëtar Bruto i vendit këtë vit, deri më tani, është tkurrur me 1.5%. Të ardhurat nga taksat, që duheshin dëshpërimisht për të konsoliduar financat kombëtare kanë pësuar rënie të ndjeshme. Ndërkaq, frika, mungesa e shpresës dhe zemërata janë ndjenjat që po shtohen e po forcohen brenda çdo greku.
Shkalla e papunësisë deri në 70%
Nikoas Meletis është i veshur mirë dhe makina e tij e bukur është e larë dhe e rregullt. Meletis ka pasur gjithmonë të ardhura të mira që i kanë siguruar një jetë mbi nivelin mesatar. Ai ka punuar në kompaninë e peshkimit “Perama” në një port në afërsi të ishujve Salamis. Për momentin janë duke jetuar me kursimet që kam mbledhur gjatë një jete punë”, thotë 54-vjeçari i dëshpëruar. Ai është shumë punëtor dhe gjatë gjithë vitit arrinte që të bënte 300 ditë punë, por këtë vit puna ka rënë aq shumë sa gjithë-gjithë ka mundur që të bëjë vetëm 25 ditë. Kjo i jep vetëm 25 pulla sigurimesh shëndetësore në një kohë kur ka nevojë për 100 të tilla për të siguruar veten dhe familjen e tij, përfshi bashkëshorten, e cila është e sëmurë me kancer. “Si do të vazhdoj të paguaj shpenzimet e spitalit?” - pyet Meletis.
Përfitimi i papunësisë është 460 euro në muaj dhe u jepet maksimalisht për një vit atyre që humbasin vendin e punës. Por për ta përfituar këtë benefit duhet që të kesh të paktën 150 pulla nga 15 muajt e fundit të punësimit. Në kushtet në të cilat është Greqia zor se ndonjë nga punëtorët ka mundur që të bëjë ditët e duhura të punës për të përfituar pagesën e papunësisë tani që ajo po shndërrohet në një fenomen gjithnjë e në rritje në Greqi. Sipas një studimi të fundit të Universitetit të Pireut në qytete papunësia ka kapur shifrën 60-70%, ndërsa 77% e kompanive detare greke kanë një papunësi prej 50%.
Për shumë anije të huaja që dikur riparoheshin në Greqi tashmë kostot e këtyre shërbimeve janë bërë shumë të larta dhe të papërballueshme. Për më tepër që vendin e ka pllakosur edhe një burokraci e jashtëzakonshme, greva të njëpasnjëshme që e bëjnë çdo gjë të pasigurt dhe kjo ndikon jo vetëm në shpejtësinë, por edhe në cilësinë e punës. Ekonomisë greke po i humbet aftësia për të qenë konkurrente, që është një nga fatkeqësitë më të mëdha që mund t’i ndodhë ndonjë ekonomie. Zor se ndonjë nga industritë e vendit arrin aktualisht që të jetë konkurruese me tregun e jashtëm për sa i përket produktivitetit dhe ekspertët presin që Prodhimi Kombëtar Bruto të bjerë me 4% përgjatë kursit të këtij viti. Gjermania, që ndodhet në anën tjetër të “lumit” ka arritur ndërkohë një rritje ekonomike prej 3%.
Çmimet e shitjeve kanë rënë ndjeshëm
Paketa e shkurtimeve të shpenzimeve buxhetore e ndërmarrë nga Kryeministri Papandreu e ka tronditur thellësisht dhe seriozisht ekonominë greke. Kjo paketë përfshiu reduktimin e pagave të punonjësve civilë me 20% dhe pakësoi shumë edhe përfitimet e pleqërisë, pra pensionet, ndërkohë që rriti ndjeshëm një numër të madh taksash. Rezultati është se sot grekët kanë më pak para për të shpenzuar dhe çmimet janë duke rënë kudo në mënyrë drastike dhe shumë të shpejtë. Dhe kjo në një vend ku 70% e të ardhurave ekonomike bazohet në konsumin privat.
Mjafton të bësh një xhiro këto ditë në qendrat e mëdha tregtare të Athinës, apo në rrugët e dyqaneve të mëdha për të kuptuar situatën e vërtetë dhe për të kuptuar edhe shkallën e rënies. Thuajse një e katërta e dyqaneve kanë vënë në vitrinat e tyre të mbyllura lajmërimin: “Jepet me qira”. Konfederata Kombëtare e Tregtisë Helene ka llogaritur që 175 e dyqaneve të Athinës kanë falimentuar. Gjërat nuk duken më mirë aspak as në qytetet e vogla e zonat rurale. Calkidona ka qenë, deri pak vite më parë, një nga nyjat e trafikut të kamionëve në zonën rreth Selanikut. Dy rrugë kryesore të mbushura me fastfood-e dhe restorante e dyqane të ndryshme ishin në shërbim të shoferëve të kamionëve dhe kishin një fitim shumë të madh për vite me radhë. Por kohët e fundit ato janë shndërruar në rrugë të shkreta nga përkeqësimi i ndjeshëm i numrit të kamionistëve që qarkullojnë në atë zonë. Kjo është shprehje e një biznesi në kolaps dhe një ekonomie në krizë të thellë. Një pjesë e madhe e dyqaneve dhe restoranteve të këtyre rrugëve ishin dhënë me qira dhe banorët me to kompensonin pensionet dhe kishin një jetë dinjitoze. Por dyqanet pak nga pak u mbyllën, sepse qiramarrësit nuk arrijnë dot që të paguajnë qiratë për shkak të rënies së ndjeshme të konsumit. Të mendosh që dikur për të marrë me qira ambiente në këto rrugë të rrahura shumë ishte tepër e vështirë dhe çmimet ishin mjaft të larta. Vetëm disa pak restorante kanë vazhduar të qëndrojnë hapur dhe t’ia dalin disi për të mbijetuar, por edhe aty pronarët e tyre kanë larguar nga puna kamerierët dhe të punësuarit e tjerë dhe po i kryejnë vetë të gjitha shërbimet në pamundësi për të paguar punonjës. Një pjesë e tyre ishin emigrantë shqiptarë dhe ata tashmë po kthehen në masë në vendin e tyre, duke qenë se Greqia nuk mund t’u ofrojë më atë për të cilën ata shkuan: punë dhe para. Në Shqipëri, situata nuk është më e mirë, por të paktën emigrantët kanë shtëpitë e tyre e nuk do t’u duhet që të paguajnë qira.
Pa rrugëdalje
I gjithë vendi është në pragun e një depresioni të madh. Është një situatë që tashmë ndihet në ajër dhe kudo. Gjithçka duket se ka marrë rrokopujën në këtë vend dhe është një spirale që vazhdon të përkeqësohet me ritme të shpejta dhe mbi të gjitha dhe çka është më e keqja situata duket pa asnjë rrugëdalje. Pjesa më e keqe, megjithatë, është humbja e shpresës. Janë të paktë ata që ende ushqejnë shpresën se gjërat një ditë do të përmirësohen. Shkalla e papunësisë në vend e bën këtë tendencë shumë më të qartë dhe të kthjellët. Në vitin 2009 papunësia ishte 9.5%. Këtë vit mund të shkojë deri në 12.1% dhe ekonomistët presin që deri në vitin 2011 ajo të ketë kapur 14%. Por këto janë vetëm shifra zyrtare. Po t’u referohesh parashikimeve të bëra nga sindikatat greke vitin e ardhshëm pritet që papunësia të shkojë deri edhe në 20%. Nëse kjo do të vërtetohej atëherë shkalla e papunësisë për këtë vend do të arrinte atë të ekstremit të vitit 1960, kur mijëra grekë u detyruan që të emigronin. Ndërkohë, fuqia blerëse në vend ka rënë në nivelin e vitit 1984.
Situata në prag të vlimit
Menelaos Givalos, një profesor i shkencave politike në Universitetin e Athinës është shfaqur në televizion dhe ka paralajmëruar shikuesit për vështirësitë e mëdha me të cilat do të përballen të gjithë në të ardhmen e afërt, dhe me faktin se gjërat do të shkojnë edhe më keq. Ai parashikon një valë të madhe grevash dhe protestash që do të nisin në shtator me pasoja jashtëzakonisht të mëdha sociale.
Të gjithë ankohen për ndryshimin e beftë të standardit të jetesës me të cilin ishin mësuar të jetonin që prej shumë vitesh. Tani njerëzve mezi u del të shtyjnë muajin dhe një pjesë e madhe vazhdon të jetojë vetëm falë përdorimit të kursimeve të grumbulluara nga vitet mbarë. Burrat e papunë mblidhen nëpër kafene dhe duke folur u ndihet edhe shtimi i rebelimit dhe i ngritjes së zërit. Janë të gjithë të papunë dhe nuk dinë se kur do të rifillojnë sërish të punojnë, të dëshpëruar dhe të inatosur me politikanët, të cilët e futën në telashe të tilla. Grekët nuk kanë më asnjë lloj simpatie për asnjërën nga partitë politike dhe politikanët e tyre madje as për sindikatat. “Sindikatat vetëm dinë të organizojnë greva për interesat e tyre. Ndërsa askush nuk interesohet për problemet tona dhe për sa më takon mua e vetmja gjë që më intereson është buka e përditshme, paga ime ditës. Ajo është partia ku bëj pjesë përveç kësaj do të doja që edhe të ndihmoja vendin tim duke punuar dhe duke paguar taksat, por deri më tani veçse na kanë rrjepur”, thotë një i papunë i revoltuar.
Ai është vetëm një nga të papunët që e ndiejnë se gjërat kanë shkuar aty ku nuk mban më dhe se situata do të përkeqësohet edhe më shumë nëse ata nuk do ta marrin fatin në dorë. Të gjithë e ndiejnë se është vetëm çështje kohe për shpërthimin e madh.