Klubi më ekskluziv grek bregdetar i Greqisë është “Namos” dhe ndodhet në ishullin e Mykonosit, ku pija e stinës është Mastiha, një lloj brendi me bazë likeri. Kostantinos Tsakiris, 40 vjeç, është duke shijuar një gotë mastiha, ndërsa vështrimin e ka ngulur në det. “Këtu nuk ka krizë”, thotë Tsakiris, një nga pronarët më të mëdhenj grekë dhe pronari kryesor i klubit të futbollit “Panionios Athens”.
Në gjirin e vogël të Psarosit janë ankoruar shumë jahte dhe varka luksoze. Vendet e “parkimit” të jahteve në këtë gji janë shumë të pakta dhe të kërkuara dhe prenotohen në avancë. “Në këtë vend mund të bësh ç’të të shkrepet. Gjithçka që ke ëndërruar, çdo çmenduri”, thotë Tsakiris. Ai qëndron shpengueshëm në lokal dhe pranë tij ndodhet një manjat ndërtimesh nga Libani, i cili hedh në gotën e shoqërueses së tij të re shampanjë nga një shishe që kushton 250 euro. Namos është lloji i vendit ku gazetarët e tabloidëve marrin historitë dhe fotot e tyre.
Por ky klub njerëzish të famshëm dhe të pasur ka bërë “lajm” së fundi edhe në faqet e politikës, jo vetëm ato të kronikës së kuqe. Ministri grek i Financave ka urdhëruar pronarin e klubit që të paguajë një gjobë të majme, madje duke e publikuar shumën në mënyrë që të gjithë ta dinë: 3.972.000 euro. Kjo është një mënyrë e re e qeverisë për të bërë para dhe nuk është tërësisht në përputhje me rregulloren europiane për privatësinë e të dhënave. Por pikërisht ky është edhe qëllimi i qeverisë.
Greqia është e rrënuar. Për të shmangur falimentimin e shtetit, Kryeministri Papandreu jo vetëm që reduktoi në maksimum shpenzimet publike dhe pensionet, rrogat e punonjësve shtetërorë dhe mbështetje të ndryshme financiare, por ka rritur edhe taksat e pronësisë, të shitjes të të ardhurave, çmimin e benzinës, duhanit dhe alkoolit, si dhe të gjitha taksat për produktet e luksit.
Por edhe gjithë këto masa nuk janë të mjaftueshme për “sponsorët” e ndihmës së Greqisë, pra Bashkimit Europian, Bankës Qendrore Europiane, Fondit Monetar Ndërkombëtar. Javën e kaluar ata kritikuan ligjin e hartuar për mbledhjen e taksave të tilla, që sipas parashikimeve pritet deri në vitin 2012 të ketë bërë bashkë rreth 2 miliardë euro, por që janë një pikë uji në oqean krahasuar me 35 miliardë eurot e deficitit buxhetor, të cilin grekët nuk arritën që ta paguajnë për një dhjetëvjeçar të tërë. Papandreu ka nisur një tentativë që të ndryshojë mënyrën e jetesës, një mentalitet të caktuar që për vite të tëra ka “lundruar” në një ekonomi në hije, mes shmangies së taksave dhe korrupsionit. Në njëfarë mënyre, Papandreu ka ndërmarrë misionin e riedukimit të popullit të tij.
Administrata e Papandreut pretendon se të gjitha masat që ka ndërmarrë do të kenë ndikim parandalues. Ministria e Financave kërkon që t’ua bëjë “tërësisht të qartë” qytetarëve grekë që janë prekur rëndë nga masat e qeverisë, se shmangia e taksave dhe nepotizmi nuk janë më të pranueshme, madje edhe për më të pasurit dhe më të fuqishmit. Si pasojë, grekët e zakonshëm po mësojnë disa detaje, deri më tani të panjohura, për jetët e bashkëqytetarëve të tyre të pasur dhe të famshëm. Një nga këto të reja të fundit ka të bëjë me një incident në Namos, që nisi me një koncert “live” të dhënë nga këngëtari pop Antonis Remos. Një mbrëmje të freskët vere, Remos u bëri serenatë 3000 të ftuarve që merrnin pjesë në një darkë ekskluzive. Sipas gazetave “ishte një natë magjike”. Por ndërsa njerëzit e famshëm dhe të pasur ishin duke duartrokitur zërin e këngëtarit, hetuesit e taksave kishin hyrë nga dera e pasme e klubit ku po zhvillohej koncerti. Ajo çka gjetën ishte “asgjëja”. Asnjë lloj fature, asnjë lloj pagese e bërë nga pronarët.
Por kur i hodhën një sy librave të brendshëm të pronarit, gjetën se rreth 4 milionë euro nuk ishin raportuar. Pronarët e lokalit e morën vesh për pasojën e kësaj vizite pikërisht në media, nga gazetat. Aty ata lexuan për një gjobë “të jashtëzakonshme” që u kishin vënë, si dhe kuptuan se që nga ai moment e në vijim gjërat nuk do të funksiononin si më parë, por edhe ata do të detyroheshin t’i përgjigjeshin autoritetit të taksave të shtetit deri në qindarkën e fundit. E njëjta gjë do të vlejë edhe për të gjithë qytetarët e tjerë grekë, kryesisht ata që e mbajnë veten për të pasur dhe të fuqishëm dhe deri më tani me “imunitet”.
Në muajin dhjetor, Ministra e Financave ngriti njësinë e Krimit Financiar që i raporton në mënyrë të drejtpërdrejtë ministrit të Financave dhe është e pajisur me një pushtet të madh. Inspektorët pritet që të sjellin në xhepat e shtetit një të ardhur shtesë prej 1.3 miliardë eurosh në fund të vitit. Agjencia ndërkohë ka vënë një objektiv edhe më të lartë: 5 miliardë euro.
Qeverisë i duhet që të rrisë të ardhurat në masën 13.7% ose në shifra 6.6 miliardë euro vetëm këtë vit. Kjo kërkesë që i është bërë Greqisë nga trojka BE, FMN, ECB ishte një parakusht për dhënien e kredisë “shpëtimtare” në muajin maj. Por sipas asaj që kanë bërë të ditur vëzhguesit, deri më tani Greqia ia ka dalë të realizojë këtë objektiv deri në masën 4%. Rreth 97% e bizneseve greke janë të vogla, ose shumë të vogla, biznese që kanë pak të punësuar.
Kjo shpjegon aktin se përse deri në njëfarë mase kjo masë nuk ka pasur shumë sukses. Sipas punonjësve të autoritetit të taksave, të gjithë janë duke punuar me presion të madh dhe duke u marrë me të gjitha bizneset e vogla, çka nuk është shumë e lehtë, sepse kjo gjë nuk ndodhte më parë në këtë përmasë. Shumë punonjës të autoritetit të taksave dalin rrugëve për t’u marrë kryesisht me pronarët e kamionëve, që përbëjnë edhe biznesin e vogël dhe nëse nuk merren vesh me të mirë me ta, u vendosin edhe gjoba të majme. Për autoritetin financiar nuk është më vetëm çështje që ka të bëjë me mbledhjen e parave, por në njëfarë mënyre me riedukimin e njerëzve, pra me faktin e ndërgjegjësimit të tyre për të mos shmangur pagesat dhe detyrimet ndaj shtetit, ashtu siç kanë bërë më parë.
Aristidis Spiros është një 43-vjeçar që merret me operacionet plastike dhe këtë javë mori një lajm shumë të keq përmes telefonit. Miqtë e tij i telefonuan për t’i thënë se emri i tij ishte në listë. Fillimisht ai ishte çuditur, por më pas e kishte vërtetuar edhe vetë një gjë të tillë.
Mjeku kozmetik, së bashku me 56 mjekë të tjerë nga Athina, është pjesë e një liste të publikuar nga Ministria e Financave për të gjithë ata mjekë që kanë kryer krime ndaj autoritetit të taksave. Për shembull mjeku në fjalë akuzohet për mosdeklarim të përditësimit të të ardhurave nga biznesi i tij, si dhe për mbajtje të shumë pagesave të pacientëve jashtë regjistrit, pra mosdeklarimi i tyre. Deri më tani ai dhe mjekët e tjerë janë gjobitur me 1000 euro dhe kjo gjobë mund të shtohet. Sipas mjekut bëhet fjalë për një parregullsi të vogël me taksat, të cilën ai e ka anashkaluar, për shkak se nuk i ka dhënë shumë rëndësi dhe nuk ka pasur kohë. Por një shpjegim i tillë duket se nuk ka qenë i mjaftueshëm për autoritetin e taksave.
Sipas një mjeku tjetër që është gjithashtu pjesë e kësaj liste, ajo është një propagandë e llogaritur mirë nga autoriteti bankar dhe se qeveria me këto publikime që po bën, kërkon që të tregojë se është duke “ua matur kokën” edhe të pasurve, jo vetëm njerëzve të thjeshtë dhe pensionistëve.
Ky mjek dhe të tjerë e shohin veten pjesë të një fenomeni social që ka qenë realiteti i vendit për dhjetëvjeçarë me radhë dhe në të cilin të gjithë kanë luajtur pjesën e tyre. Kryeministri Papandreu kërkon që të ndryshojë këtë status quo pa marrë parasysh pozicionin e njerëzve në shoqëri. Ai vetë ka deklaruar se është i vendosur që të luftojë “ekonominë në të zezë”. Po a do të jetë një masë e tillë e mjaftueshme?