Greqia tjeter

Greqia tjeter
Në filmin “Mediterraneo” të Gabriele Salvatores flitet për një grup ushtarësh italianë të zbritur në një ishull grek, të cilët ishin aq larg pjesës tjetër të botës sa e harruan luftën. Ngjarjet zhvillohen gjatë Luftës së II-të Botërore, por edhe sot, këto vende mishërojnë ndjenjën e arratisjes nga bota, ndjesi e cila i jep jetë çdo udhëtimi. Ishujt e Greqisë kanë një atmosferë mitike, të mbushura me shtëpi të vogla lyer me gëlqere, me njerëz krenarë dhe shumë mikëpritës, me verë të ëmbël dhe kafe të fortë.

Ne do ndalemi në njërin prej ishujve më domethënës të turizmit grek. Korfuzi, ishulli më i madh e më i populluar i bregdetit të Jonit.

Korfuzi

Sipas Homerit, Odiseja do të arrinte në Korfuz me not për ndalesën e fundit, para se të kthehej në Itakën e tij. Vargjet që përshkruajnë bukurinë e ishullit janë ndër më idiliket e gjithë veprës Homerike.

Ishulli ka ndryshuar shumë që nga koha e Homerit, por magjinë e tij e ka trashëguar deri në kohët moderne.  Më i madhi ndër 7 ishujt jonian, Korfuzi (600 km2) ruan me fanatizëm gjurmët e historisë së tij.

Qyteti kryesor i ishullit mban të njëjtin emër, ndërkohë që i gjithë ishulli është i përbërë nga fshatra të vegjël stolisur me shtëpi të lyera me gëlqere të bardhë.

Kerkyra, siç quhet në gjuhën greke, është i pasur me kisha bizantine, fortesa veneciane dhe një jetë nate të gjallë.

Por, vija bregdetare prej 216 km është padyshim qëllimi kryesor i vizitës tuaj në Korfuz.

Vizita në qytetin e Korufzit:

Qyteti i Korufiz është një mish-mash i bukur ndërtesash të lëna si kujtim nga okupatorët që ishulli ka patur ndër shekuj. Ata kanë influencuar padyshim në kulturë dhe arkitekturë, duke i dhënë ishullit në frymë shumë evropiane, gjë që e dallon nga pjesa tjetër e ishujve. Venedikasit, veç fortesave dhe kështjellave, kanë lënë pjesën e qytetit të vjetër me shtëpi ngjyrë rozë e të vërdhë, me sheshe të vegjël që kapërcehen fluturimthi në këmbë. Francezët kanë lënë një arkadë elegante kafesh të vogla të quajtura Liston, të cilat ende sot janë pikëtakimi më tërheqës i turstëve. Nëse doni të njiheni me anën më kozmopolite të qytetit ju këshillojmë sheshin Spianada,  i cili ka dyndjen më të madhe të turistëve dhe baret më të bukura në qytet.

Plazhet më të mira në Korfuz:

Të gjithë plazhet e ishullit janë padyshim jashtë qytetit. Mes dhjetra pikave ku mund të ndaloni, ne ju këshillojmë disa prej vendeve që kanë marrë vlerësimet maksimale nga pushuesit.

Paleokastritsa – në çdo guidë për Korfuzin këshillohet vizita në lokalitetin e Paleokastritsas, më i famshmi në të gjithë bregun e Korfuzit. Me ujin më të ngrohtë në ishull, ky plazh është ideal për pushime në familje me fëmijë të vegjël. Në majë të kodrës së fshatit ndodhet një manastir i shek. të 13-të ku ende jetojnë murgj. Panorama që do t’ju shfaqet prej aty është përrallore. Për të mos u humbur!

Dassia – ndodhet në lokalitetin turistik të Dassia-s. Është një plazh me rërë të imët dhe shumë i organizuar. Këtu ka një mori zgjedhjesh ku mund të rehatoheni për të fjetur, me shumë hotele, apartamente, madje edhe një kamping. Së bashku me Ipsos, Dassia është vendi më i frekuentuar nga të rinjtë, për jetën e natës e cila ofron festa e dëfrime pa fund në bare e diskoteka.

Agios Gordios – resort i pasur me shumë hotele e apartamente, është po ashtu dhe një nga pikat më të dashura të ishullit. Është i famshëm për rërën më të mirë në të gjithë Korfuzin. Vetëm 30 min larg aeroportit, mund të ishte ndalesa juaj ideale nëse e vizitoni për herë të parë Korufzin.

Mirtiotissa – parajsa në tokë e Korfuzit. Vizita në këtë plazh është një „detyrim“ për turistët e rinj. Duke qenë i izoluar, Mirtiotissa nuk arrihet lehtësisht, por mrekullia që rezervon ky plazh e justifikon rrugën. I vetmi plazh nudist në të gjithë ishullin, Mirtiotissa dhuron një panoramë idilike e të bën të mos duash të ikësh më prej andej. Nuk ka asnjë infrastrukturë, mos prisni as dushe, as tualete, as bare dhe as restorante. Në këtë xhep të bekuar nga Poseidoni, ka vetëm një kioskë që shet panine.

Si të shkoni: Mirtiotissa ndodhet mes fshatit Pelekas dhe Vatos. Plazhi ndodhet poshtë malit Agios-Georgios dhe plazhi më i afërt që ka në krah është ai i Glyfada-s.

Sidari – është zgjedhja e gati e çdo turisti që pushon në Korfuz. Plazhi i cili ndodhet  32 km larg qytetit të Korfuzit, ka fituar famë botërore falë “Canal D’Amour” (kanali i dashurisë). Ky është një fenomen i rrallë natyror pasi mes 2 shkëmbinjëve është formuar  një tunel nëntokësor ku mund të kalohet lehtësisht. Vizita në “Canal D’Amour” është për të mos u humbur, pasi pamja që ju dhuron është thjesht përrallore.

Po ashtu edhe pika të tjera pushimi si Kalami, Barbati, Nissaki dhe Kassiopi, përveç qetësisë dhe popullaritetit të vogël, ofrojnë dhe çmime pak më të përballueshme se pjesa tjetër e ishullit.

Për të mos u humbur në Korfuz:

Vizita në pallatin Achilleion, ndërtuar nga princesha austriake Elisabeth, apo e famshmja Princesha Sisi, mes viteve 1890–1892. Pallati ndodhet vetëm 20 larg qendrës së Korfuzit. Ka autobusë të posaçëm që të lënë në hyrje të pallatit mbretëror. Në tarracën e tij do të mund të shihni edhe muzeun e mitologjisë greke.  Orari: 08:00 -19:00

Vizita një ditore në fshatin e Benitses, një lokalitet peshkatarësh i cili do t’u dhurojë përjetime reale të jetës së thjeshtë detare. Ndodhet 12 km në jug të qytetit të Korfuzit, në drejtim të asaj ç’ka vendasit e quajnë „Lugina e smeraldit“.

Aktivitete në Korfuz:

Një nga mënyrat me të mira (e më të lira) për të eksploruar ishullin janë biçikletat me qera. Mund të merrni një të tillë në Corfu Mountain Bike shop në Dassia (www.mountainbikecorfu.gr). Aty do t’ju pajisin edhe me harta e ide për xhiron tuaj në biçikletë. Qeraja kushton nga 10 – 14 euro dita (në varësi të biçikletës)

Për më pak sportivët, shumë të zakonshme janë edhe makinat me qera. Për familjarë është varianti më i mirë për të bërë një shëtitje të gjatë panoramike përgjatë gjithë ishullit. Qeraja kushton nga 15 – 30 euro dita (në varësi të makinës.)

Për t’u ditur:

Jeta e natës – zonat më të populluara janë në  Mandouki (e quajtur edhe Disco Strip) si dhe qendra e qytetit të Korfuzit. Një nga filmat e James Bond For Your Eyes Only është xhiruar pikërisht këtu.

Shopping – Produkti tipik lokal është qeramika. Punimet e qeramikës por edhe ato artizanale prej druri do t’i gjeni gati në çdo pikë të qytetit. Si kujtim nga Korfuzi mund të merrni edhe një shishe verë ose, pse jo, edhe një shishe kumquat, i cili është një liker special bërë nga portokajt japonezë që rriten në ishull.

Lëvizja – Rrugët në Korfuz janë të mira e të rehatshme për t’u përshkuar me makinë apo biçikletë. Po ashtu Korfuzi ka dhe një linjë urbane autobusi i cili është transporti më i lirë brenda ishullit.

Si shkohet në Korfuz:

Mënyra më e shpejtë për të shkuar në ishull është trageti. Nisja bëhet nga Saranda dhe udhëtimi zgjat rreth 1 orë. Lundrim ka 1 herë në ditë nga Saranda. Nisja bëhet në ora 10:00 , ndërsa nga Korfuzi në ora 09:00.
Bileta (vajtje-ardhje) kushton 38 Euro personi.

3 restorantët më të mirë në Korfuz:

Dionysos – qyteti Korfuzit

Kuzhina: greke

Çmimi: 11€ – 39€ personi

Adresa: Barbati Road, 49083

Trilogia Restaurant – Kassiopi

Kuzhina: Greke, internacionale

Çmimi: 20€ – 25€ (menu dite) ose 20€ – 40€ personi

Adresa: Post Code 49100, Kassiopi

Stevens On The Hill – Agios Gordios

Kuzhina: angleze, greke, mesdhetare, pica

Çmimi: 11€ – 25€ personi

Adresa: resorti Agios Gordios

Çfarë nuk dini për Korfuzin:

Është ishulli grek më i vizituar. Numron gati 1 milionë turistë në vit, ku dominojnë ata italianë, anglezë, gjermanë dhe „backpackers-at“ australianë.

Ishulli ndër shekuj ka qenë koloni e italianëve, francezëve dhe anglezëve. Korfuzi iu bashkua territorit grek në vitin 1944.

Që prej 2007, qendra historike e qytetit të Korfuzit mbrohet nga UNESCO si trashëgimni botërore kulturore.

Korfuzi është 2 deri në 15 milje larg brigjeve tona.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama