Greqia vendos sot te ardhmen Syriza drejt fitores sipas sondazheve

Greqia vendos sot te ardhmen, Syriza drejt fitores sipas sondazheve

Prej orës shtatë të mëngjesit, rreth 9.8 milionë grekë u janë drejtuar gati 20.000 Qendrave të Votimit në të gjithë vendin, për të zgjedhur qeverinë e ardhshme të Greqisë, duke dhënë një mesazh se duan të rinegociojnë kushtet e ndihmës ekonomike me huadhënësit ndërkombëtarë.  Kryeministri Samaras, që pretendon se ekonomia po rimëkëmbet, ka votuar qysh herët në mëngjes, me shpresën te rreth 14% e grekëve të pavendosur dhe te 2.1 milionë votues, të cilët janë mbi 70 vjeç dhe të vështirë për t’i bindur.

 

“Këto zgjedhje janë vendimtare për të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Sot ne vendosim nëse do të shkojmë përpara me dinamizëm, siguri dhe besim, ose nëse do të hyjmë në aventura”, tha kryeministri grek, Antonis Samaras. Siç vlerësohet, sot Samaras, jo vetëm mund të humbë postin e kryeministrit, por edhe atë të drejtuesit të konservatorëve. Dhjetëra gazetarë të kanaleve të huaja kanë krijuar kaos në Qendrën ku ka votuar udhëheqësi i opozitës, Aleksis Tsipras.

 

“Dhe mesazhi, një mesazh i fuqishëm nga populli grek, është se në Greqi do të rikthehet demokracia. Populli grek do të rimarrë kohezionin dhe dinjitetin shoqëror”, tha Tsipras. I kënaqur nga sondazhet, ai pret me ankth të përqendrojë një diferencë të madhe votash, të mjaftueshme për të marrë shumicën në Parlament, përndryshe do t’i duhet të zgjedhë midis partive të vogla, me të cilat mundësitë për bashkëpunim janë minimale dhe kjo do të vështirësojë premtimet e tij elektorale. PASOK kërkon të ruajë fuqinë mbështetëse, përndryshe edhe lideri socialist Venizelos do të përballojë dyshimin e anëtarëve të partisë së tij.

 

Lideri i partisë “Lumi” shijon betejën e tij të parë për Parlament, me synim vendin e tretë. Po ashtu, edhe komunistët grekë përpiqen për një numër dinjitoz votash. Më të shqetësuarit janë ish-kryeministri Papandreu me partinë e tij 22-ditore, të cilën sondazhet e lënë jashtë kufirit prej 3%, që i lejon futjen në Parlament, ashtu si dhe “Grekët e Pavarur”. Vlerësohet që pjesëmarrja të jetë më e madhe se në zgjedhjet e kaluara. Pas mbylljes së votimeve do të publikohen sondazhet paraprake, “exit polls”, ndërsa rreth orës 9 e 30 do të ketë një vlerësim të parë zyrtar për rezultatin e zgjedhjeve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama