Filmi i fundit i Greta Garbos doli më 1941. Titullohej "Mos më tradhto me veten time" dhe ishte një dështim që shënoi fundin e karrierës së aktores. Veç kësaj aktorja ishte prezantuar me një "nuovo look", siç e quante regjisori George Cukor, i cili kishte dashur për të një grim ndryshe nga herët e tjera dhe me krela.
Për publikun, Garboja nuk duhej të ndryshonte: nuk i kërkohet kjo gjë një ikone, dhe aktorja e bukur suedeze vendos të tërhiqet, të zhduket. Qysh atëherë filloi historia e Mungesës së Madhe. Por si të gjitha legjendat, do të humbte në një mjegull të dendur dhe pothuajse obsesive.
Një ekspozitë në Trienale në Muzeun e Dizajnit në Milano që hapet sot deri më 4 prill, i bën homazh stilit të "Hyjnores": veshje skenike, aksesorë dhe mbi të gjitha këpucë të dizenjuara për të nga Salvatore Ferragamo. Për herë të parë ekspozohet edhe gardëroba private.
Nëpërmjet këtij materiali zbulohet bashkëkohësia e personazhit, guston e të cilit do ta përkufizonim sot minimale dhe avangardë, ashtu siç e rrëfen stërmbesa Gray Horan për gazetën "La Repubblicca".
Kur e mësuat se tezja juaj Kata, siç e thërrisnit në familje, ishte në të vërtetë Greta Garbo?
Nuk e njihja të kaluarën e saj si aktore deri 10 vjeç, kur u shtrova për një javë në spital dhe për shkak të një operacioni duhej t'i mbaja sytë të fashuar. Garbo më solli një gramafon me disa disqe, muzika e filmit "Peter Pan" dhe një album me këngë të Maurice Chevalier-it.
Më pëlqeu dhe kur erdhi në Nju Jork për koncert, ajo krijoi mundësinë që ta takoje pas kuintave. Ndërkohë që fliste me prindët e mi, dëgjoja të shqiptohej emri i Greta Garbos. U ktheva në shtëpi, shfletova enciklopedinë dhe e njoha gruan në fotografi. Mbaj mend që më bëri përshtypje por jo se më erdhi e papritur.
Kur ke parë filma të saj për herë të parë? Cili të ka pëlqyer më shumë?
Kur filluan të shfaqen në TV rrija dhe i shihja deri vonë. Të preferuarit e mi janë "Margherita Gautier" dhe "Ninotchka". Te "Margherita Gautier" është sublime dhe veshjet janë kaq romantike. "Ninotchka" është shumë e gjallë dhe zbavitëse. Them se është personazhi më i afërt me atë që Garbo ishte në jetën e vërtetë.
Shpesh është thënë se kishte natyrë të ftohtë. Në të vërtetë ishte shumë e dhënë pas familjes së saj. Me ç'raste takoheshit?
Mbaj mend se tezja vinte disa herë në vit në shtëpinë tonë jashtë Nju Jorkut, po kështu edhe ne shkonim në apartamentin e saj. Për Krishtlindje përgatisnim një buffet suedeze me të gjitha pjatat e saj të preferuara dhe përdornim mbulesat e bukës që kishte qepur nëna e Garbos, stërgjyshja ime. Duhet të them se, pas vdekjes së gjyshit tim Sven, vëllai i Garbos, nëna ime, vëllezërit e mi dhe unë ishim familja e saj e vetme.
E adhuronte tim atë që ishte mjek. Ishte e vetmja që e quante "njeriu me të bardha". Nuk kishte fëmijë, nënën time e kishte si bijë, dhe tezja ishte shumë krenare që kishte studiuar për drejtësi në Yale në një kohë kur pak gra e bënin këtë.
Ju e dinit që teze Kata ishte një mit?
Garbo ishte e veçantë dhe këtë e kam ditur gjithnjë. Ishte e bukur dhe elegante. Kuptohej që ishte e rëndësishme nga mënyra si sillej dhe si reagonin të tjerët.
Garbo gjithmonë ka ruajtur një atmosferë misterioze. I jepte edhe familjes të njëjtën përshtypje?
Unë mendoj se ajo ishte artiste në zemër. Mënyra e saj e të jetuarit i vinte nga thelbi i vërtetë i shpirtit. Nuk bënte kompromise, ishte autentike, ndaj ngjarjeve reagonte në mënyrë të veçantë: mënyra e saj.
Nuk influencohej lehtë dhe besoj që kjo i bën të mprehtë njerëzit. Po ishte dhe zbavitëse dhe moderne. Praktikonte jogën dhe gjithë jetës bënte shëtitjet e saj të gjata legjendare. Pëlqente ushqimet e shëndetshme dhe natyrale, shumë më përpara me zakonet e atyre viteve.
Para se të vinte në ekspozitë, si ishte në shtëpi gardëroba e saj?
Një dhomë gjumi të apartamentit të saj në Nju Jork e kishte bërë gardërobë me dy rafte këpucësh nga dyshemeja deri në tavan, me koleksionet e këpucëve të saj. Ruante kapele me vel.
Kërkonte cilësinë më të mirë dhe kujdesej që t'i mbante gjërat sa më mirë. Gadëroba e saj ruhet sot në një depo në temperaturën e duhur dhe është kataloguar.
Mbante bizhu të rrallë dhe kjo duket nga fotografitë e saj.
Garbo i çmonte gjërat e bukura, bizhuteritë. Kishte sende të mrekullueshme nga Cartier e Van Cleef & Arpels dhurata nga adhurues dhe mëtonjës, po edhe vetë blinte.
Kishte ndonjë për fat?
Vendoste gjithmonë një unazë të madhe të artë me iniciale që e kishte dhuratë dhe kishte një përkrenare fisnike suedeze.
Mbante dhe byzylykë floriri dizenjuar nga Verdura. Janë klasikë dhe prodhohen akoma. Njëherë më dha një këshillë për bizhuteritë. Më tha: "Nuk duhet të konkurrojnë me fytyrën tënde". Në rastin e saj, nuk kishte bizhu që të ishte po aq i bukur sa ajo.
Diçiturat e fotove
1. Garbo gjatë xhirimit të filmit "Trupi dhe Djalli", 1926
2. Greta Garbo në një rol mashkullor në një nga filmat e saj më të famshëm "Mbretëresha Kristinë" (1933)
3. Një imazh i gjallë i Greta Garbos në "Veli i stolisur" (1934)
4. Një qoshk i shtëpisë së Garbos: mobilje luksoze, shumë libra dhe mbi oxhak, një tablo e Renoir-it, piktori i preferuar i aktores.
5. Një foto nga filmi "Anna Christie" (1931), ku Garbo "flet" për herë të parë dhe kalon nga kinemaja pa zë në atë me zë.
6. Një nga interpretimet më të famshme dhe ikona të karrierës së Hyjnores, roli i spiunes joshëse hollandeze Mata Hari, 1932.
7. Një plan i parë Garbos gjatë xhirimeve të filmit "Anna Christie". Aktorja e lindur më 1905 në Stokholm, quhej Greta Lovisa Gustafsson. Ishte Mauritz Stiller, regjisor finlandez, që do ta zbulonte në moshën 17-vjeçare dhe që do t'i këshillonte atë emër arti me të cilin u bë e famshme.
8. Sandale me rripa të kuq me takën e rrumbullakët origjinale: është një model i krijuar nga Ferragamo për divën suedeze. Ata të dy u takuan për herë të parë më 1927 por "këpucari i ëndrrave" siç kishte qejf ta quante veten Ferragamo, duhej të prist vitin 1949 për ta ritakuar artisten, e cila mbetej kaq e mahnitur nga krijimet e tij saqë dilte nga studioja e tij me 70 palë këpucë.
9. Një tjetër model i dizenjuar për aktoren. Garbo preferonte një stil të thjeshtë dhe minimal, në harmoni me personalitetin e saj të rezervuar.
11. Një foto e Garbos pas tërheqjes nga skena më 1941. Aktorja vdiq më 1990 në Nju Jork. Gjatë 50 vjet ekzil, vëmendja e paparacëve dhe e shtypit ka qenë e vazhdueshme. Figura e saj prej dive të paarritshme frymëzoi Billy Ëilder-in për filmin "Fedora".
Nga : Gazeta Shekulli