Tentativa e një grupi të shkarkuarish nga puna në Bashkinë e Tiranës për t’iu bashkuar grevës së urisë së të shkarkuarve nga administrata publike ka degjeneruar në konfrontime të dhunshme fizike dhe ofendime verbale, mes dy palëve, ku grevistët e vjetër do t’i nxirrnin me forcë nga lulishtja në krah të Kryeministrisë ku prej 11 ditësh kanë ngritur çadrat e tyre. Edhe pse pretendonin se ishin larguar me të padrejtë nga kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, dhe për këtë arsye ata kërkuan që t’i bashkëngjiten kauzës së punonjësve të shkarkuar nga administrata, këta të fundit e kanë cilësuar si provokim që po u bëhet atyre nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Incidenti
Situata do të tensionohej së tepërmi ku disa të shkarkuar nga puna, jo nga Edi Rama, por nga Lulzim Basha, rreth orës 13:15 do t’i afroheshin çadrave të grevistëve për t’iu bashkuar atyre në këtë nismë që sipas tyre është më e drejtë. Por ka mjaftuar prezantimi i arsyeve të pjesëmarrjes së tyre në këtë grevë, ku ata do të theksonin se ishin punonjës të shkarkuar nga administrata e Bashkisë së Tiranës nga kryebashkiaku Lulzim Basha, që situata të degjeneronte në dhunë fizike. Edhe pse në gjendje të rënduar shëndetësore pas dhjetë ditësh në grevë urie, në një moment gjatë konfrontimit Nertila Qafzezi, kryetarja e grevës së urisë dhe kryetarja e Shoqatës së të Larguarve nga Administrata do të kapte nga flokët njërën nga gratë e shkarkuara nga Basha, si dhe sulmoi fizikisht disa prej tyre.
“Ne kemi 10 ditë që luftojmë me shpirtin tonë dhe Edi Rama në vend të na mbështeste, sot kemi një show mediatik, për të treguar se janë larguar nga Lulzim Basha, por kjo nuk përbën një lajm. Ne i ftuam ato zonja që të futen në këtë çadër këtu me ne, por nuk pranuan, kjo tregon që e gjitha ishte një inskenim mediatik”, tha Nertila Qafzezi, pas shtensionimit të situatës së krijuar për rreth 30 minuta te çadrat e hapura në krah të Kryeministrisë. Ndërkohë, pas konfliktit mes dy grupeve të të shkarkuarve nga puna, një grevist është transportuar me urgjencë në spital për shkak të rëndimit të gjendjes së tij shëndetësore gjatë qëndrimit 10-ditor në grevën e urisë. Ndërkohë, grupi i të shkarkuarve që do të bashkohej me grevistët në grevën e urisë, pas mospranimit është larguar. Gjendja shëndetësore e grevistëve sa vjen e rëndohet ndaj dhe shumë prej tyre janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore dhe më pas janë rikthyer përsëri në çadrat e grevës. Dy ditë më parë grevës iu bashkuan edhe katër policë të larguar nga puna.
Policët e liruar
Në mbështetje të punonjësve të shkarkuar nga puna që prej 11 ditësh janë ngujuar në një grevë urie duke kërkuar rikthimin e tyre në punë, policët e liruar nga detyra zhvilluan paraditen e djeshme një protestë pranë Kryeministrisë. “I kërkojmë drejtorit të Policisë së Shtetit që të ushtrojë kompetencat e policisë sipas ligjit, pasi kjo organizatë është kthyer në organizatë politike që i shërben PS-së. Të pastrohet policia nga emrat e inkriminuar. Në të kundërt do nxjerrim emra që kanë lidhje me këtë çështje”, bëri me dije përfaqësuesi i policëve të liruar nga puna. Ndër të tjera, protestuesit u shprehën se janë hequr nga puna policë të trajnuar. “Ka rritje të vjedhjeve me armë dhe dhunë. Tonelata droge trafikohen nga Shqipëria. Të rikthehen në detyrë, policët e liruar nga detyra”, thanë protestuesit.
Debati te çadrat
Qafzezi: Ne jemi të larguar nga puna dhe kërkojmë drejtësi
I shkarkuar nga bashkia: Po shoh që ju jeni këtu të larguar këto 2-3 muajt e fundit, Ju nuk keni bërë thirrje të gjithë të larguarve nga puna.
Qafzezi: Ju lutem më dëgjoni, jam më e lodhur se kam 10 ditë e ngujuar këtu.
I shkarkuar nga bashkia: Kam qëndruar dhe unë dikur kështu
Qafzezi: Po pse nuk e keni ngritur zërin
I shkarkuar nga bashkia: E kam ngritur po qeveria që ishte në atë kohë nuk pyeste
Qafzezi: A të ka hequr Lulzim Basha, shko kërkoja Lulzim Bashës, mua më ka hequr Edi Rama
I shkarkuar nga bashkia: Ju nuk keni kauzë të drejtë, ju keni kauzën e SHQUP-it
Pas këtyre debateve situata do të tensionohej teksa grevistët do të nisnin një sërë ofendimesh me fjalë banale
Grevisti: Nëse do bashkoheshe me ne duhet të kishe ardhur para 10 ditësh jo sot, ky është provokim
E shkarkuara nga bashkia: Nuk është provokim
Grevistët i drejtohen duke e kapur për dore: Eja me ne, hyr në çadër
E shkarkuara nga bashkia: Si mund të vij me këtë fjalor që përdorni