Gripi i shpendeve prodhohet varianti qe do te vriste 1/2 e popullsise se botes

Gripi i shpendeve, prodhohet varianti qe do te vriste 1/2 e popullsise se botes
Studiuesit e Erasmus Medical Centre në Roterdam (Holandë) kanë prodhuar një variant shumë të rrezikshëm të virusit të gripit të shpendëve H5N1, i cili është në gjendje të transmetohet lehtësisht tek miliona njerëz, duke shkaktuar një pandemi. Shkencëtarët e ekipit të drejtuar nga virologu Ron Fouchier, kanë zbuluar se mjaftojnë 5 modifikime gjenetike për të transformuar virusin e gripit të shpendëve (që deri tani ka shkaktuar 500 të vdekur) në një agjent patogjen ngjitës, i cili mund të shkaktojë një pandemi që do t’i merrte jetën gjysmës së popullsisë së botës.

Aftësia e jashtëzakonshme për t’u përhapur është provuar duke zhvilluar eksperimente me kafshët që e kanë sistemin e frymëmarrjes të ngjashëm me njeriun.

Kërkimet

Kërkimet e ekipit Fouchier janë pjesë e një programi që ka për qëllim studimin e mënyrës se si funksionon virusi H5N1. Vetë drejtuesi i ekipit ka pranuar se varianti i modifikuar gjenetikisht është një nga viruset më të rrezikshëm që mund të jetë prodhuar ndonjëherë. Gjithashtu, një tjetër grup virologësh në Universitetin Uiskonsin në bashkëpunim me Universitetin e Tokios kanë arritur në një përfundim të ngjashëm me Fouchier.

Polemikat

Tashmë debati është përqendruar në faktin nëse duhet publikuar apo jo kërkimi i kryer. Shumë shkencëtarë janë të shqetësuar se nëse virusi do të binte në duart e gabuara, ai mund të transformohej në një armë biologjike. Në SHBA, polemikat janë në kulmin e tyre. Thomas Inglesby, shkencëtar, ekspert i bioterrorizmit dhe drejtor i Qendrës për Biosigurinë në Universitetin e Pitsburgut është kategorik në përgjigjen e tij. “Është një ide e keqe transformimi i një virusi vdekjeprurës në një virus jashtëzakonisht ngjitës. Ide edhe më e keqe është publikimi i i rezultateve të kërkimeve, që mund të kopjoheshin nga të tjerët”.

Edhe Richard Ebright, profesor i biologjisë molekulare në Universitetin e Nju Xhersit shprehet se kjo gjë nuk duhej të ishte bërë. Ndërkohë, vetë Fouchier, ngul këmbë se publikimi i rezultateve të kërkimit do ta ndihmonte komunitetin e shkencëtarëve për t’u përgatitur për një pandemi të mundshme të H5N1.

Në mbështetje të tij vjen edhe Fabrizio Pregliasco, virolog në Universitetin e Milanos. “Mospublikimi do t’i linte studiuesit në errësirë. Shkëmbimi i dijeve është thelbësor për parandalimin e ndonjë pandemie të mundshme”, thotë ai.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama