Shenjat dhe simptomat
Gripi sezonal karakterizohet nga temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve. Shpeshherë personat e prekur nga gripi kanë ethe, dhe brenda një jave kanë probleme në rast se nuk marrin mjekimin e nevojshëm. Koha e inkubacionit të virusit të gripit të zakonshëm është dy ditë.
Gripi i zakonshëm mund të prekë të gjithë popullatën për nga ana tjetër mund të sjellë komplikacione për një pjesë të popullatës me risk si fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë apo me gjendje të vështirësuar shëndetësore. Ata që preken më shumë nga gripi janë personat me probleme të zemrës, mushkri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë tre tipa të gripit të zakonshëm. A, B, C. Tipi i gripit A ka disa nëntipa të tjera dhe kombinime të viruseve. Disa nga nëntipat janë A(H1N1), A(H3N2), të cilat po qarkullojnë edhe te njerëzit në të gjithë botën. Tipi C i gripit është më pak i zakonshëm se A dhe B. Për këtë arsye në vaksinën e gripit sezonal përfshihet mbrojtja për tipin A dhe B.
Epidemia sezonale
Gripi i zakonshëm, përsëritet çdo vit në vjeshtë dhe në dimër kryesisht në zonat e buta. Shumica e vdekjeve nga gripi ndodhin te moshat mbi 65 vjeç dhe kryesisht në vendet e industrializuara. Sipas OBSH-së, mënyra më e mirë e parandalimit nga virozat dhe gripi i zakonshëm është vaksinimi, traditë kjo 60-vjeçare. Përveç gripit të zakonshëm, vaksina parandalon në 60-90 për qind të rasteve edhe viroza, sëmundje të tjera.
Kategoritë që duhet të vaksinohen çdo vit dhe duhet të trajtohen me prioritet janë personeli shëndetësor, personat afër pleqërie, pacientët kronikë, gratë shtatzëna, personat në detyrë të rëndësishme për shoqërinë, fëmijët nga 6 muaj deri në 2 vjeç.
Gripi sezonal është një sëmundje respiratore e shkaktuar nga një virus infektiv. Virozat sezonale u identifikua për herë të parë në vitin 1933. Sakaq, vaksina sezonale është në tregun farmaceutik. Ajo kushton nga 1200 deri në 1400 lekë. Duhet të merret në farmacitë pranë qendrave shëndetësore, ndërkohë që periudha e krijimit të antitrupave nis nga 2 javë deri në 1 muaj pas marrjes së saj.