Gripi… Kur femijet duhen mbajtur mbyllur ne shtepi?

Gripi… Kur femijet duhen mbajtur mbyllur ne shtepi?
Këshillat e ekspertëve për simptomat e virusit dhe sugjerimet për të forcuar sistemin imunitar në tryezë

Në këto ditë të ftohta dimri më të rrezikuar nga virusi i gripit janë fëmijët e vegjël, parashkollorët dhe ata që ndjekin arsimin elementar, sepse kanë më tepër ndjeshmëri ndaj infeksionit dhe si pasojë mund të bëhen mjet infektimi. Për këtë arsye duhen marrë të gjitha masat e nevojshme që kur shfaqen shenjat e para. Por përveç gripit, gjatë dimrit fëmijët kanë shpesh kollë, temperaturë, dhimbje të ndryshme trupore, janë të plogësht: a është e nevojshme të mbahen mbyllur brenda për të shmangur sadopak rrezikun? “Sistemi imunitar i fëmijëve të vegjël akoma nuk i njeh dhe s’di t’i luftojë rreziqet e zakonshme.

Për këtë arsye deri në moshën 8-vjeçare ata duket sikur ‘sjellin’ në shtëpi çdo gjë që qarkullon në shkollë; Kjo është edhe një nga arsyet që sëmuren shumë herë në vit”, shpjegon një ekspert amerikan. Pyetjes se kur duhen mbajtur në shtëpi ai i përgjigjet: “Ata duhen mbajtur në shtëpi kur nuk janë në gjendje të marrin pjesë në aktivitetet normale të përditshme dhe kur mungon përqendrimi i duhur për të mësuar ose për të luajtur”. Pra kambana e parë e alarmit është kur fëmija duket papritur i pafuqishëm. Simptomat e tjera janë të renditura më poshtë:

- Dy ose më shumë episode të vjellash brenda 24 orësh, ose marramendje të tejzgjatura.

- Temperaturë mbi 38°C.

- Kollë e fortë ose vështirësi në frymëmarrje.

- Diarre, të paktën një ditë.

- Dhimbje të forta e të vazhdueshme barku.

- Afte në gojë.

- Skuqje të lëkurës, ose sy të skuqur për të cilat nuk kuptohet shkaku.

- Laringit dhe të gjitha sëmundjet e njohura ngjitëse, nga lija e dhenve te puçrrat në lëkurë.

Specialistët kujtojnë se gjëja më e rëndësishme në këto raste dhe në veçanti që fëmijët të mos preken nga gripi është larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë të rrjedhshëm duke i fërkuar për të paktën 15-20 sekonda sa herë që shkohet në banjë.

Në qoftë se higjiena është një prej mënyrave për të reduktuar kontaktin me mikrobet, një rrugë tjetër është edhe vaksinimi i personave të rrezikuar, sepse në këtë mënyrë u forcohet sistemi imunitar. Akademia Amerikane e të Ushqyerit dhe Dietologjisë sugjeron se cilat ushqime nuk duhet të mungojnë asnjëherë në tryezat tona: mosngrënia e tyre mund të fuqizojë viruset.

Proteinat: janë pjesë e mekanizmave mbrojtës të organizmit. Më të preferuarat janë ato që gjenden te peshku, mishi i kuq me fije, mishi i bardhë i pulës, veza, bishtajoret, soja, frutat e thata jo të kripura dhe farat.

Vitamina A: ndihmon për të rregulluar sistemin imunitar dhe të mbron nga infeksionet. Gjendet te: patatja e ëmbël, karota, spinaqi, lakra, speci i kuq, qumështi, veza.

Vitamina C: mbron nga infeksionet duke nxitur formimin e antitrupave dhe sistemin imunitar. Gjendet te: agrumet, specat e kuq, papaja, kivi, domatet.

Vitamina E: me veprimin e asaj antioksidant neutralizon radikalet e lira dhe mund të përmirësojë punën e sistemit imunitar. Gjendet te: bajamet, farat e lulediellit, lajthitë, spinaqi.

Zinku: ndihmon sistemin imunitar që të punojë në mënyrën e duhur. Gjendet te mishi i vicit, te farat e grurit, gaforrja, fibrat e grurit, farat e lulediellit, bajamet dhe qumështi.

Ushqyes të tjerë që mund të kenë një rol mbrojtës janë vitamina B6, seleni, hekuri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama