Antua Grizman dhe Fernando Torres janë dy protagonistët "e veçantë" të Atletikos së Madridit. Sulmuesit e ekipit që ka përparësi të shkatërrojë lojën e rivalëve, pas kalimit të pengesës së quajtur Bajern, tani janë gati për hapin e madh.
Në finalen e 28 majit, duke mundur Realin e Madridit, ata do të hakmerren për disfatën që pësuan në Lisbonë dy vite më parë përballë po të njëjtit ekip, me të cilin, për fat të keq, "ndajnë" edhe qytetin.
Për gjithçka - "Ne nuk keni nisur ende që të mendojmë për finalen në Milano, pasi kemi ende dy ndeshje mjaft të rëndësishme në La Liga.
Së pari, duhet të mbyllim sfidat me Levanten dhe Seltën pastaj të shikojmë për më tutje", pranoi Antua Grizman, autori i golit që i dha Atletikos të drejtën për të luajtur në finalen e madhe të Ligës së Kampioneve.
Merita e Simeones - Në fjalën e tij sulmuesi francez zbuloi sekretin që e ka ndihmuar të kthehet në një goleador të vërtetë. "Kur dal përpara portierëve, them me vete: 'Më në fund vetëm'. Sa i përket golit që shënova në Gjermani, duhet t'ia di për faleminderit Torresit, pasi më dha një pasim shumë të zgjuar. Në ato çaste bëra sikur doja të dërgoja topin në anën e kundërt dhe më pas e dërgova drejt. Sekreti? Them se jam bërë një goleador i mirë falë Simeones.
Ai më ka kërkuar që të bëj ushtrime ekstra dhe prandaj jam përmirësuar kaq shumë. Përveç të tjerash, më jep shumë besim", tha francezi që iu bashkua Atletikos vetëm dy vite më parë.
Revanshi - Ndryshe nga shokët e ekipit, Grizman nuk ka lënë të kuptohet se do të futet në "San Siro" me dëshirën për të marrë hak për humbjen që i shkaktoi Reali dy vite më parë Atletikos.
"Tifozët tanë janë të lumtur, pasi ne do t'i dhurojmë edhe një herë emocionet që të jep një finale. Kjo ka më shumë rëndësi për mua. Nuk do të futem në fushë duke menduar atë që ndodhi në Lisbonë.
Do të luaj për kurorën", pranoi 25- vjeçari (që u transferua tek Atletiko disa ditë pas finales).
Ironi dhe premtim - Ditën e djeshme mediat spanjolle publikuan një filmim të festës madrilene në Mynih. Fernando Torres, teksa po dilte nga "Allianz Arena", iu drejtua Saulit: "E humba me dashje penalltinë, pasi doja që të vuanim deri në fund. Tani nuk do të gaboj më. E kam ruajtur një gol për finalen e madhe".