Katër kapitujt mund të lexohen nga publiku si një libër fotografik mbi ferae naturae - natyrën e egër. Ekspozita hapet me autoportretin: Bëhu vetë ndryshimi që kërkon te bota.
Mimoza e nis nga vetja, bëhet pjesë e prezantimit.
Autoportreti total i saj është një trup në gjendje të çliruar, të papërmbajtur, të dhënë, të dorëzuar. "Jam për lakuriqësinë shpirtërore, për dëshirën për liri, që të më duan me mënyrën time të të jetuarit." Fotografja mendon se ky lloj komunikimi i nxjerr njerëzit, me vonesë, më të fituar.
Kapitulli i parë, "Gruaja", përbëhet nga nudo, nga trupa në rënie, por edhe inskenime me modelë që autorja ka bërë në vende të braktisura. Gruaja në rënien e të gjitha llojeve, si vetëvrasje, mënjanim, përçmim, dhunim.
Gruaja dhe pozita e saj në shoqëri është një temë e ekspozitës.
Inskenimeve që ka bërë në një fabrikë të braktisur birre në Berlin i përket fotoja e kësaj familje me tre anëtar. Si të kapur në kafaz, babai, nëna dhe fëmija. Mungesa e komunikimit është bërë një gjendje konstante midis njerëzve edhe aty ku ka kushte për të krijuar gjëra të mira. I këtij mendimi është fotografja që i ka vendosur njerëzit në këtë situatë.
Inskenimi i kësaj nudoje është bërë në Berlin, më 2010. Është pjesë e një performance. Është fiksuar në këtë kuadër një vajzë e ambientuar dhe e krehur në stil retro. Fundi i një epoke hipi. "Më pëlqen klithma e saj", thotë Mimoza. Nudon apo lakuriqësin Mimoza e sheh si dhimbje jo si kënaqësi. Me fjalët e saj, edhe kjo vajzë-grua, paçka se me dukjen e një ferali, është në rënie.
Ka një seri fotosh me trupa në ujë. Ndjesitë më të përafërta ndaj gruas dhe ujit janë frika dhe çlirimi. Ndërsa për Mimoza Veliun (1979) e larguar nga Tetova për të studiuar dhe punuar në Gjermani, janë liria dhe e vërteta. Duke na prezantuar kapitujt e ekspozitës që nuk ka ndonjë titull, me shaka do thoshte se punët me ujë i ka quajtur "në fillim ishte uji".
Gjithsesi, kapitulli mbi gruan mbetet i hapur. Ajo mendon që gjatë verës të prezantojë një ekspozitë vetëm mbi këtë subjekt, me pak punë të mëparshme dhe të tjerat të reja. Nga këto, na tregon një foto që e ka përfshirë në ekspozitë: Katër persona në një bar të braktisur. Tri femra i shërbejnë një mashkulli.
"Sa për dhunë ndaj gruas", mbyll dalëngadalë këtë kapitull Mimoza dhe për këtë i referohet Gjermanisë, vendit ku ajo jeton prej dhjetë vitesh, "quajeni si të doni, dhunë familjare, dhunë institucionale, ka sa të duash." Kapitulli i dytë i saj merret me mashkullin jo tipik, që luan role në jetën e tij, që vishet si femër. Vetëmaskimi ose "gjërat ndryshe" përbëjnë një subjekt delikat. Fotografia e Veliut qëllimisht apo jo, nuk ka një kufi të prerë midis fotografisë së modës apo trajtimit me mjete të modës të një natyre transgresive që shfaq njeriu.
Shpend Bengu, artisti që e ftoi Mimozën për këtë takim në Tiranë në Shpend Bengu Multimedia Studio, duke iu referuar fotove që merren me mënyrën e egër të jetesës, thotë: "Mbi të gjitha më pëlqen cikli ferali. Duket fashion, por është analizë e individit drejt e në thelb të tij.
Duket sikur fotografja merret me formën, por ajo futet brenda thelbit." Fotot e modeleve në gjendje të egër, foto që rrinë më shumë tek kapitulli mbi gruan, janë kryesisht me ngjyra.
Të papërmbajtura në veshje, portret, flokë, pozicion, shpesh në vende të braktisura, ato përfaqësojnë imazhe të dëshirës, njëherësh të njëfarë dënimi, ndëshkimi. Vrapojnë, përpiqen të shpëtojnë, por janë edhe të kapura si në rrjetë apo të ngrira si bisha mbi katër këmbë në gjendje natyrale.
Kapitulli i tretë i quajtur "Kafshatë që s'kapërdihet" janë fotoreportazhe nga Shqipëria dhe Kosova.
Tema sociale mbahet kryesisht me portrete fëmijësh. Katër vite përpara me një cikël fotosh nga këto, të quajtur "Fëmijët e Krushës", Veliu u vlerësua me Çmimin "Gjon Mili" të konkursin ndërkombëtar të fotografisë që organizon Galeria Kombëtare e Kosovës dhe mban emrin e fotografit amerikan me origjinë shqiptare.
Në kapitullin e katërt, duket dora e njeriut feral, në kuptimin fatit që i ka përcaktuar natyrës. Prandaj ky kapitull që mbyll ekspozitën quhet "Bota, parajsë e përdhunuar". Bota e bukur po shkatërrohet. Në fund të takimit me fotografen, Shpend Bengu, zbuloi arsyen pse e pëlqen punën e Mimoza Veliut: "Ajo sfidon teknologjinë. Ka shumë artistë që fotografinë ua bën aparati dhe teknologjia, Mozës ia bën shpirti."